Një 28-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në kryeqytet. Marjo Majollari u qëllua disa herë në kokë dhe në trup, rreth orës 20 e 25 minuta, në një rrugicë pa ndriçim, që lidhet me rrugën “Aleksandër Moisiu”, në zonën e Kinostudios në Tiranë.

Policia dyshon se krimi ndaj tij është kryer për hakmarrje, pasi i ati vuan një burgim të përjetshëm për ekzekutimin e dy të rinjve 18 vite më parë.

A.M. ishte arrestuar për këtë krim të ndodhur në segmentin rrugor Tiranë-Dajt, 14 vite më pas dhe po vuante dënimin.

Vetë i riu kishte kërkuar disa herë azil politik për shkak të kërcënimit për hakmarrje, por nuk ia kishte dalë dot. Sipas të dhënave që ka mbledhur policia, M. bënte një jetesë të qetë dhe nuk ishte i skeduar ndonjëherë nga policia për ndonjë vepër penale.

Vrasësit, të cilët mendohen të kenë qenë dy, e kanë ndjekur nga pas viktimën dhe sapo është futur në një rrugicë jo vetëm të pandriçuar, por edhe larg kamerave të bizneseve aty afër, e kanë qëlluar. Por policia, e cila ka sekuestruar një numër të madh filmimesh të rrugëve lidhëse me atë “Aleksandër Moisiu”, shpreson të paktën të gjejë një identikit të autorëve të vrasjes.

Grupi hetimor sekuestroi në vendin e ngjarjes disa gëzhoja të një arme tip pistoletë, e cila ka kryer qitjen për vrasjen e të riut. Policia ngriti disa pika kontrolli në zonën përreth, por pa mundur dot të kapë autorët.

Gjithsesi ajo ka shoqëruar një numër të madh dëshmitarësh okularë, të cilët ishin në vendin e ngjarjes dhe prej të cilëve beson të marrë ndonjë dëshmi të vlefshme, në lidhje me identifikimin e autorëve