E padëgjuar: Në Shkodër nuk pranojnë fëmijë në një Akademi futbolli nëse nuk e kanë mesataren mbi 8 në shkollë!

Tek futbolli shpeshherë përfundojnë ata fëmijë që nuk e kanë dëshirë mësimin dhe shkollën.

Të pakta janë rastet që një futbollist me emër, të kenë qenë nxënës

dhe studentë me rezultate të larta.

Por për të ndryshuar këtë “imazh të keq” në lidhje me futbollistët, kanë menduar drejtuesit e një Akademie futbolli në Shkodër.

Sipas tyre, asnjë fëmijë nuk do të pranohet në rradhët e kësaj Akademie nëse nuk e ka mesataren mbi 8 në shkollë!

Diçka vërtetë e çuditshme dhe padëgjuar në Shqipëri të paktën.

Bëhet fjalë për Akademinë “Atletik Klub Shkodra” të krijuar pak muaj më parë dhe që duket se po bën një punë të shkëlqyer jo vetëm në aspektin sportiv me fëmijët që janë pjesë e saj por edhe në atë edukativ.

Një gjë të tillë e konfirmon për “Shkodra Sport” njëri nga trajnerët dhe njëkohësisht drejtues i kësaj Akademie, Elton Bungaja që shprehet:

“Në Akademinë tonë sot kemi të rregjistruar 150 fëmijë, nga të cilët 130 janë të federuar me ekipet e grupmoshave nga U-6 deri tek U-17.

Padyshim që tentojmë të kemi pjesë tonën lojtarë të talentuar por një nga kushtet që kemi vënë në rregullore, është që fëmijët të cilët duan të jenë pjesë e Akademisë “Atletik” të jenë edhe nxënës të mirë.

Sot ka ardhur koha qe perveçse nje sportist i mire duhet te jesh edhe nje njeri i shkolluar.

Ne nuk pranojmë në Akademinë tonë fëmijë nëse ata nuk e kanë mesataren mbi 8 në shkollë.

Po marr shembullin e ekipi U-13 që fitoi edhe kupën në turneun ndërkombëtar të Roverettos në Itali pak ditë më parë.

90 për qind e ekipit, e ka mesataren në shkollë nga 9 deri në 10. Madje, ka edhe një pikë tjetër në rregullore ku thuhet se të jesh pjesë e formacionit të parë, duhet patjetër ta kesh mesataren mbi 8.5 në shkollë”.

Pyetja që lind kur dëgjon diçka të tillë është ajo se çfarë bëjnë drejtuesit e kësaj Akademie nëse vjen një fëmijë i talentuar për t’u rregjistruar aty por ka një mesatare, le ta themi 6 në shkollë?

Përgjigja e Bungajës e sqaron edhe këtë: “Përderisa kemi përcaktuar një rregullore dhe vendosur disa kritere, duhet t’i zbatojmë të gjithë ato.

Nëse vjen një fëmijë i talentuar për t’u rregjistruar që di të luajë bukur futboll por ka mesataren më të ulët se ajo që ne kërkojmë, atëherë i lëmë një kohë të shkurtër në dispozicion për t’u përmirësuar dhe nëse e arrin, do vazhdojë të jetë pjesë e jona.

Kjo mënyrë na ka rezultuar efikase sepse mbi të gjitha, kemi bërë disa fëmijë që të jenë më të përgjegjshëm edhe për shkollën përveç pasionit që kanë për futbollin”.

Shkodra kësisoj gjithmonë prodhon gjëra të veçanta dhe padyshim që edhe kjo meriton një vëmendje maksimale.

Gjergj KOLA

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...