Ekipi i Vllaznisë i është bashkuar sot fushatës së sensibilizimit që ka nisur në gjithë vendin për fëmijët autikë.

Nën moton “Autizmi flet, është koha për të dëgjuar”, futbollistët e Vllaznisë sot u kanë dhuruar emocione fëmijëve autikë të shkollës speciale “3 Dhjetori”.

Ka qenë një aktivitet shumë domethënës ai i zhvilluar paraditen e së enjtes në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” nga kjo shkollë në bashkëpunim me KF Vllaznia si dhe me Zyrën Rajonale të FSHF-së në Shkodër.

Futbollistët kuqeblu kanë veshur fanellat e kësaj fushate, kanë firmosur një top për t’ua dhuruar këtyre fëmijëve dhe më pas, për disa minuta kanë luajtur sëbashku futboll duke u dhuruar shumë emocione e kënaqësi këtyre fëmijëve.

Kanë qenë momente shumë të bukura kur fëmijët autikë shënonin gola në portat që mbroheshin nga Sherri e Selimaj dhe padyshim që ata do t’i mbajnë mend gjatë këto momente.

Në fund, ka qenë trajneri Gjoka që ka ndarë edhe çertifikata për të gjithë fëmijët pjesmarrës në këtë aktivitet.

Padyshim që një veprimtari e tillë duhet të shërbejë për rritjen e vetëdijes së publikut dhe atë të shtetit për më shumë vëmendje dhe mbështetje ndaj individëve të prekur nga ky çrregullim.

Ekipi i Vllaznise ne fakt edhe sezonet e kaluara ka qene pjese e fushates sensibilizuese per keta femije dhe padyshim qe do te jete edhe ne te ardhmen, per t’iu gjendur sa me prane atyre.
© shkodrasport.com

PUBLICITET