Imzot Frano Illia (1918-1997), Argjipeshkvi Metropolitan i Shkodrës, i cili u dënua me vdekje më 25 prill 1968, dhe për rastësi në të njëjtën datë mbas 25 vjetësh, më 25 prill të vitit 1993 u shugurua Ipeshkëv nga vetë Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II. Mbas gjithë atij kalvari

vuajtjesh ishte ndër të parët ndër bashkëvuajtësit e tij që ka lënë dëshimitë e tij tronditëse të persekutimit që i bën të ndryshme nga ato të lëna nga At Zef Pllumit, vetëm sasia e tyre. Po sjellim hyrjen e këtyre shënimeve personale, si një homazh ndaj jetës dhe veprës së tij,

sepse gjykojmë se kanë vlerën e një postulati. Ribotimi i këyre kujtimeve dramatike i paraprijnë ceremonisë së Lumnimit gjatë Ritit të Lumnimit e të Naltimit në altar të Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 shokëve të tjerë, (procesi i filluar me 10 nëntor 2002, shqyrtuar

nga ekspertët e Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve dhe i mbyllur me 8 dhjetor 2010, firmosur nga Papa Françesku me 26 prill 2016 me dekretin përkatës të shpallje të Lumë), ceremoni e cila do mbahet në Shkodër më 5 nëntor 2016. (Shënim i redaksisë).

E katerta herë qe e filloi ket punë që s’mu duk asnjiherë e letë. Porse më dukej se e kam detyrë, si âsht edhe per të tjerë qe kanë vuejtë si unë. Âsht thanë çka mund të thohet. Do të tjera ja lamë harresës?

I

Âsht e katërta herë që ia filloj këtij punimi mâ shumë të mërzitshëm se të vështirë, por po e rreshtoj që breznitë e tashme e t’ardhshme ta dijnë se çka na gjet e çka vuejtëm na, që të shohin, të besojnë e mos të hutohen por të shikojnë para per veten e vet e të mbasardhesvet të vet brez mbas brezi.

Këto që po rreshtoj unë, janë pika gjaku e lotësh për veten teme dhe për të tjerë. Po i rreshtoj sa dij, punët e vuejtjet e mija, që më duken shum

të vogla, tue i krahasue me të tjerve edhe shokve të mij në të njajtën fatkeqsi. Unë i ftoj të gjithë ata që kanë pasë fatin e zi apo të bardhë me rrahë rrugën e salvimit, t’i shkruejnë për t’u lanë mbasardhsave ato që pamë, që vuejtëm, për hir të së vërtetës e të së mirës. Qe mbasardhsat tonë tue i pa këto e tue i besue, t’ia venë menden vetes e mos të përsëritet mâ ajo e kalueme e zezë, me të vërtetë e zezë.

Bisha e kuqe e filloi me nji herë zbatimin e qëllimeve të veta jo vetëm të padrejta, por tue shkelë me të dyja kambët të vërtetën e të drejtën

e tue fillue kundra pasanikve, tregtarve, dhe me nji mllef të egër e të veçantë kundra katoliçizmit shqiptar, tue grabitë gjithshka due

bâ kerdi në njerzit e pafarë faji, tu e shfrye mëninë tradicjonale sepse nuk u hynte në zemër as nuk u hyn njerzve të ndershem të nënshtroheshin verbas ateizmit e komunizmit gjaksuer. Ajo epidemi shfaruese u përhap në mbarë tokën shqiptare e me mizori mâ t’ashper në veri e

kryesisht në Shkodrën tonë, kryeqendër e katoliçizmit shqiptar. Ktu kje ma i rrebtë salvimi e ra në sy me nji herë: lufta vllaznore, me i nxjerrë sytë njeni-tjetrit. Gjithë kjo kërdi e mizori e kobshme në nji popull me tradita fisnike.

Shqiptari vetë trim ka dijtë me e çmue trimnin dhe kurr s’e ka prekë jo vetëm mikun por as anmikun e dorxuem e të paarmatosun.

Fatkeqsi e fatkeqsive…fanatizmi fetar e krahinuer kalue në traditën famkeqe bjen shkatrrim nder zemrat e shqiptarve.

Historia na mson se shembjet e popujve fillojnë me vllavrasje. Salvimi i pergjakshëm filloi në vendin tonë me Dom Ndre Zadejen, famullitarin e Sheldisë, meshtar i flaktë shqiptar. Ky kishte ndihmue nji të perndjekun nga komunistat dhe per ket arësye e pushkatojnë. Pushkatohet tradita e shkëlqyeshme shqiptare: mikpritja.

Kapet në Mirditë prifti i ri, njatherë dalë prej shkolle, Dom Mark Gjani, që po shërbente si sekretar i Abatit të Mirditës n’Orosh. Rrahet e turturohet tue i urdhnue të shante Krishtin. E biri besnik i Fesë Krishtit, mbas shembullit të heronjve të krishtënimit të gjitha kohve u përgjegjte: Rrnoftë Krishti Mbret. Dhe ashtu deri sa dha shpirt,

nën kambet e çlirimtarve ardhë prej jugut. Dhe katilat e marrin për kambësh e rrshanë e hjedhin në nji prrue aty afër që ta shkyejshin qenët e katundit. Ma ka tregue bashkvuejtsi i tij Nikoll Pernoj prej Perlatit

Thkellë që e ka pa me syt e vet. Ky krim ndodhë në Sh’Pal të Mirditës, njatherë kur kishin hy partizanët. Po çka i kishte ba ky djalë i ri shqiptar? Ishte prift katolik! Unë kam kenë bashkstudent teologjie me tè në Kolegjen e Gjenoves. Lutu, lutu o dishmitar i Krishtit Zot, per ket popull që ka ra në humbnerën e djallit të mallkuem. Bashkoje gjakun tand me atë të Krishtit Zot, për të mbarën e këtij populli fatzi, që të kthejë n’udhën e Zotit.

Në Koplik të Shkodrës sjellin dy meshtarë të Malcisë së Madhe: Dom Aleksandër Sirdanin në gjysë të moshës, famullitar i Bogës dhe Dom Pjetër Çunin, djalë të ri, famullitar i Reçit dhe si i turturojnë e i rrahin barbarisht, i hjedhin për së gjalli në gropën e zezë të policisë dhe aty ua marrin shpirtin tue i zhytë n’atë fare uji si shpirti i salvuesve Asllan Lici e Pal Melyshi. Ç’ka u

kishin ba kta dy priften katolikë atyne bishave t’egra, pjellë e fundit të ferrit? Kjo mni djallzore ishte ushqye prej ideve komuniste, nuk kishte lindë n’ato dit… Ishte ushqye qysh në djep prej nanave shqiptare, që kishin lindë bishë t’egra e ma zi, se çka bajnë ata kurrnji kafshë sado e ndyet nuk e ban. E ban njeriu i padinjitet e ban shqiptari kundra shqiptarit. Oh kob i zi! Po ashtu bane disa gra vlonjate tue e shkye gjallë me dhambë mishin e plagosun të nji ushatri shkodran te SHIK-ut të quejt Lekë.

Nder Stigmatine ishte nji moter e re, quejtë Marie Tuci (Gjomarkajsh). E paka Hilmi Saiti, gjenerali komunist prej Jugut, qe n’ate kohë tronditëte Shkodrën, e i çueka fjalë se e donte. Dhe kur ajo pergjegji se ishte e kushtueme Jezu Krishtit Zot, ai trim ne mendemadhsinë e

epshin e shfrenuem e të çmendun, thanka: “Do ta baj qe as prindët e saj mos të mund e njohin”. Dhe trimi i trimave e futka në burg dhe në dy vjet e bani me të vertetë ashtu si e kishte msue djalli i mallkuem, shoqi i tij, e si e bani asht e lkurë, sendergjoi nji tjeter burrni, qe veç djallit ka muejtë me ia shku në mend. Ban ta shtijnë vajzen në nji kllef dysheku bashkë

me nji dac t’egër dhe aty i rrahe me shkop të dy bashkë derisa lahet vendi në gjak, nën zgërdhimjet satanike të kulimave të kolosit Hilmi Saiti. Mandej e çon n’spital njashtu asht e lkurë e la në gjak dhe heroina Mirditore para se me dhanë shpirt u thotë grave që kishte afër:

“E lumja unë që po vdes e pastër”. Me të vertetë kur e panë prindët nuk e njohten binë e vet që kishte kenë si hyll drite. Nji vajzë e re, në lule të jetës mbrrinë n’atë heroizem, ashtu fuqia e Shirtit Shenjt, si kurdoherë nder luftat të krishtenve te gjitha kohnave, asht njeri i shekullit

tonë. O histori e zezë e shqiptarve ateista! O histori e lume triumfuese e shqiptarve katolikë të vertetë. Salvimi i egër mizuer me rritmin e vet shfarues vazhdon: Mizoria vllavrasëse vazhdon.

Mbahen në mend shumë figura të shemtueme nder të cilat po më kujtohen: Ali Gjunga, Elez Mesi, Pjerin Kçira, Fadil Kapisyzi, Kapidan Abdyl Hakiu, Dul Rrjolli, Dulaç Lekiçi, Xhevdet Miloti, Kasem Troshani, Shyqyri Qoku, Fadil Llazani, Shyqyri Rrjolli që i hodhën në Dri eshtnat e Pader

Gjergj Fishtës, etj., etj., të panjehun në mbarë Shqypninë e mjerë. Na i kemi falë, por s’besoj se i ka falë Zoti, derisa asnjeni sish nuk dha shej pendimi, perjashtohet ndoshta Pjerin Kçira!

Për Pjerinin thohet se bani keq shum dhe tue turturue njerz të pafajshem, por e làn veten tue bâ dishmi burrnisht se ishtE sigurimi qe kishin shti armet në Kishë. Tregohet edhe prej njerzve që i kishin lejue me e pa para pushkatimit se paska shprehe dishirin qe me u pà me nji meshtar si i penduem. Dhe me atë pendim vdiq. Po të jetë plotësisht e vertetë, ai del i vetmi i penduem nder torturusat e panjehun në tanë token Shqiptare.

Qytetaret e Shkodrës e të rretheve janë bâ grusht. U ka hy tmerra. Gjaku vlon. Gadi s’dinë njerzit me ecë rrugës. Ka hy tmerri per palc. Asht msimi i kriminelve të revolucjonit francez qe perseritet tashti në vendin tonë.

O gjak i nxehtë derdhun prej vllazenve tonë, nxier prej Zotit. Ky gjak i derdhun prej dorës vllavrasëse do te kerkojë gjygje prej Zotit nder shekujt e ardhshëm.

O Zot i Gjithpushtetshem, sielli sytë e tu të dhimbshëm mbi ket popull që gjithmon në shpirt e në trup e veç prej teje pret ndihmën e shpëtimin.

O Jezu Krisht qe derdhe gjakun tand për ne, bashkoje me tandin gjakun e vllazënve tonë që ranë në fushën e nderit tue të nderue e lavdue ty.

Kuvendi françeskan, ky vend lutje, kulturë e shqiptarizmës u kthye në nji thertore perqethse, ku derdhej gjaku i klerit katolik dhe i qytetarve ma të mirë e në shej. Por këtu fjalën tanë mjeshtri po u la dy kolegve te mij meshtarë: At Zef Pllumit qe i ka pà me syte e vet e provue në trupin e vet si pershkruen gjallë në veprën e vet “RRONO VETEM PER ME TREGUE”. Ashtu

edhe At Konrrad Gjolajt. “Çinaret” që ka marë pjesë n’ato vuejtje. Dy vepra që lshojnë drite të madhe mbi salvimin gjaksuer bâ prej vllazneve shqiptarë. Ket punë duhet ta bâjnë gjithkush ka kalue neper zjarmin e ktij salvimi t’eger. Keshtu historia ashtu msuesja e jetës. Breznitë e ardhshme mos rashin mâ në kët tmerë qe rame ne. Fatkeqsi e kobshme me dalë prej popullit tonë të tillë perbindsha qe e flliqen historinë tonë! Per t’u vajtue me lot nder shekuj keto krime e mizori qe nuk i lanë asnji lum gjaku. Vetem po: Gjaku i Jezu Krishtit dhe

fuqia hakmarrese e Tij.Vetem Ai e çmon idhninë qe asht nder dejet tonë. E keqja e madhe âsht se prej vllazenve tonë të cilët kurrë nuk u penduen, madje klyshet e tyne shprehen gjithnji edhe sod se kan bâ pak çka duhej te bâjshin. Po çka duhej të bâhej tjeter mbi ne? Jo, jo, o shpirt humbun, na e kemi Zotin qe na shpeton e na forcon e na ngushllon e na shperblen, Atij i kjoftë lavdia e ndera. Ai pastë dhimbë për ju të pandreqshem e mbushni

fundin e ferrit. Mblidhuni, o zanat e malit, o hijet ilire e vajtoni mbi bijtë e ksajë Toke ka mbysin shqiptaret njani me tjetrin ma keq se çdo bishe e eger. Çonju prej vorreve të pluhnueme o ju vajtojcat me futa të zeza, gjamtaret me kepolë mbi krye të shekujve dhe vajtoni me denesë fatkeqsitë e sternipave t’uej që bijnë mbi gjakun e vet të dermuem e të vrame prej vllazenve. Kjani e kjani o lumenj e prrojet e maleve tona që mblidhni e çoni në dete lotet e nanave të zeza e gjakun e të mjerve shqiptare që bien mbi gjakun e vet nen

breshrine e mitralozave të vllazënve të vet shqiptarë. Ky âsht e do jetë vajtimi e gjâma e perjetshme qe do të kërkojnë drejtsi prej të Gjithpushtetshmit per kobet e shemtueme të kryeme mbi ne prej vllazenve tonë shqiptarë. Kjani e vajtoni o shqiptaret e sodit qe patë e provuet se çka bâne mbi ne vllaznit tonë shqiptare, qe prishen njerinë, prishen çdo gjâ shejte të ndertueme prej dores se njeriut dhe token e zeze; qe s’dijten me u ngì kurr me gjakun tonë të vllazenve të vet; ata qe siellen e perdridhen perreth nesh tue u kaperdise pse na nuk

hakmerremi me ta. Te mendojnë mire ata mizore se na kemi fjalen e Krishtit Zot që na thotë: “mue më perket hakmarrja, unë do t’a marr hakun t’uej, ju vetem durim e falje, si bâna une”. Dhe na o Krisht, mbas urdhnit t’yt falem e po i falim dhe po te lutemi ty per ta qe jo vetem nuk janë pendue as nuk pendohen, por po pendohen se s’kane bâ mà keq kundra nesh se jemi t’ut, o Zot. Dhe ata ta dijnë mirë se Zoti lutjet tona per ta, do t’i kthejë në unë të ndezuna mbi rrashtat e tyne mizore. Zoti fiton. Alleluja! AMEN.

II

Në vjetin 1967 ndërsa ishem tue bashkpunue pranë Institutit t’Etnografisë Tiranë, kryesisht për të kenë afer njerzve të dijes e të studimit, m’erdh në vesh nji fjalë, si rrfe për të kthiellë, s’di prej kuj: “Nën xhamin e tavolinës së zyrës së punë t’Enver Hoxhës, asht nji biletë me emrin tand”. Ky ishte lajmi i zi për të kqijat që ishin bâ gadi edhe për mue. Si për shokët e mij para e mbas meje. S’do të baj unë përjashtim: “Zot ndihmën tande, merre flijen teme e

bashkoje me atë të Jezusit për të mirën e Kishës dhe të popullit shqiptar”. Prej anës seme ishem ruejtë në çdo drejtim, përveç shërbimit të Zotit, dhe prandej i raka në mend diktatorit të pashpirt për mue. Ndihma e Zotit të gjithpushtetshëm.

Me 21 shkurt 1967 u mbyll Kisha e Shën Kollit në Milot, Kisha e eme. Disa dit përpara organizata e rinisë kishte vendosë me e mbyll ket Kishë. Dhe fjala e keqe duel e erdh te unë. Mblidhet populli me shumicë të madhe në Kishë, pikllim e lotë e aq vaj u bâ sidomos tue u përshndetë me trupore e fugure, sa dyshemja e kishës u lag me lot si me pasë lshue ujë me

shumicë. Populli i pafuqishëm veç kjanë, burra e gra, pleq e fëmij. Ngushticë me të vërtetë e papershkrueme. Nji popull që kjanë e s’ka çka bàn tjetër, çdo fuqi të mbrendshme e të jashtme ia ka hjekë diktatura. Ditën e martë pra me 21 shkurt 1967, atë ditë, mbush

moshën 49 –vjeçare, kooperativa mbluedh njerzit e vet të pjesës së malit e filloj punën në tokën e marrun kishës. Dhe në pikë të mjesditës, grumbullohen të gjithë për rreth njaj tavoline në mjedis të livadhit para qelës e Kishës dhe e filloi komunisti Ramazan Rexha,

kryetari i Kooperativës Bujqsore e nder të tjera perfundoi se duhen shkemesë do ferra që e pengojnë ecjen tonë përpara si janë kisha e xhamia. Kshtu foli edhe përgjegjsi i Rinisë Ferid Ahmeti i cili sa mbaroi fjalën prini drejtë derës së Kishës, mbas tij nxanasat e shkollës ardhë me flamur si në festë pri prej meses së Hoxhë Muharremit në mënyrë demonstrative. Prej popullit veç disa lpisa të sahanit të tyne se populli tjeter u shkput e me krye ulte muer rrugën

e katundit burra e gra pa i përfill brimën e komunistave që thirrshin me u ndalë e me marrë pjesë në atë vepër me randsi të madhe…për të pafetë.

U munduen me bâ edhe ndonji prej popullit me folë, por të gjithë heshten e me emën thiren të flitëte Ndue Hil Jaku, por ai refuzoi tue thanë qiella e toka bahen bashkë, por unë nuk pranoj ket punë. Foli diçka edhe Jorgo Gjinopulli, tue thanë se në vendin e tij në Përmet Kisha ishte mbyllë tash 15 vjet. Ata rrebelçe hynë në Kishë, zveshen elterin, hoqën kalamajtë dhe kështu kisha u përdhunue e u kthye në votër kulture për komunistat e Milotit. Aty baheshin mbledhje, qfaqje e deri gjygje. Presbiteri kje kthye në nji podium.

Prifti i shkretë bashkë me At Leon Kabashin i kundruen kto vepra të shemtueme të djalllit me lot në sy, prej dritareve të qelës, ku shkova mbasi dola prej mbledhjes. Kjeçë thirrë

detyrimisht me kenë pranë. Largimi i popullit mbarë grue e burrë, kje demostrativ, tjetërgja s’mujten me bâ, dhe ate punë e bane me guxim. Ishin pikllue të gjithë e veç folshin me njani-tjetrin me të fshame e besa edhe me lot deri në tokë. Diktatura ia kishte mbrrijtë qellimit të

vet, që me pasë në zap mbarë popullin që mos të mujte me thanë asnji fjalë. Kjaje Zot të keqin. Truporen prej druni të Shën Nikollit e coptoi me dorë të vet Zef Molla dhe e futi në furrë me keqardhjen e të gjithve. Mbasi zbriten për tokë kumbonet dhe rrshanë, si tue kja, i çuen në nji odë poshtë në qelën e Milotit qe tashti u bâ e huaja.

Në ballë të Kishës ishte edhe fugurja e Zojes së Këshillit të Mirë në riliev dhe atë e hoqën e e vendosën 3-4 vetë milotas mbi tavanin e Kishës dhe aty qendroi deri që erdh me u ndreqë ajo kishë si asht sod.

Kater djelm të ri, të gjithë muhamedanë milotas të primë prej Ferid Ahmetit, Sekretar i Rinisë u niten mbi pullaz dhe rrxuen kryqin në ballin e Kishës. Ishte fitorja e komunistave të Milotit, por fatlumsisht per pak kohë se kryqi tash ndritë në vendin e vet e i thrret besimtarët kahdo të jenë. Megjithikta shkoi sa shkoi e fjala e Krishtit nuk ra, por u vertetue “S’kanë për të ia

dalë”, dhe s’ia duelën, kisha u rindërtue edhe ma e bukur e populli e sidomos fëmijët e të rijët po rrâjnë me shumicë të madhe si gjithkund, në liri të plotë. Por kjo liri do të prishet prap në vjetin 1997.

Unë edhe pak ditë ndeja në Milot n’ato dy dhoma e nji guzhinë, tue mos mujtë as me u takue me njerzit veç tinzash se na kishte kapë tmeri të madh e të vogël. Organet e qeverisë komuniste ishin në kambë. Unë tashti kqyreshem si anmik i pushtetit popullor. Pritshem çdo

ditë burgimin. Edhe kjo ishte me të vërtetë turturë. Pa i bâ keq kuj, pa i pasë gjâ borxh kujt, duhej ndejë nder grepa. Nuk mund të harrohet kurr ajo pritë shtypse që s’lente kund qetsi. Vetëm lutja n’ato çase ep ngushllim e fuqi.

Nuk vonoi e erdh edhe 23 shtatori 1967. Ishte kohë dreke e une po rrijshem në kuzhinë me fytyrë në dritare qe kqyrte kah obori e Kisha, ndersa motra Pelegrinë po fergonte do speca për drekë. Ia beh nga ana e furrës, mbas shtepie, kryetari i kooperativës Ramazan Rexha, hyni mbrendë piu nji kafe e menjiherë duel thekatueshem kah erdhi. Ai kje sihariqi. Mbas pak

minutash para derës së qelës e Kishës u ndal nji gjips. N’atë zhurmë vjen me pa edhe Pelegrina e kur dolen pesë vetë prej gjipsit e u drejtuen kah dera e qelës. “Mbaruem”, – tha ajo. E unë “Në dorë të Zotit”. Hynë mbrendë si të çartun në fetyrë. Pyet Koço Josifi: “Ktu rrin

ti? Ku e ke zyren? Dhe una para ata mbas meje e nalt në zyre, qe e kishem edhe odë fjetje. Sa hymë mbrendë, Koço tha: “Me urdhen të Ministrisë së Mbrendshme je i arrestuar” dhe i ndej gati Elham Gjika e me vuni hekrat gjermane në duer e Koço prap: “Ulu këtu (në shtrat). Ishin Koço Josifi, Elham Gjika, Ilo Papa, mandej Kryetari i Këshillit të Milotit Selman Saferi, Shaban Kasemi dhe operative i xonës Qemal Karamani.

Koço Josifi tha: “do të kontrollojmë tashti tanë shtëpinë. Ç’ka mendon ti se asht e ndalueme?” “Armët veç” – thashë unë. Ndërsa po kontrollonte raftin e teshave i tha Koçua

Pelegrinës edhe ajo aty n’kambë: “Bjeri të hajë”. Ajo më suell nji çini me tre speca, nji grimë djathë e nji rriskë buk dhe thikë e pirun. Thikën e muer Koçua e ia kthej motrës. E unë nisa me i hanger tri kashatë por nuk hahej. Ndërlaq Ilua po kontrollonte odën e nanës e të motrës. Nana ishte poshtë në kuzhinë e smutë tash sa kohë. Ndersa Ilua po bante me

terhjekë prej nenshtrati të motres nji valigje të madhe e mbuluem prej pluhuni, aty ulun mbi shtat ajo u lut: “O Zojë” e në atë ças Ilua e lanka atë valigje e u merrka me sende të tjera.

Atëherë Motra me vedi iu fali nderës zojës “Të falem nderës o Zojë”. Ishte valigja ku kishim lanë lekët e shtëpisë dhe të shumë të huajve që kishin sjellë për roje, amanet. Shpetuen. Kontrolli ngati plot tri orë. U bâ edhe nji inventar i percipet. E lexova. S’asht gjet kurgjâ e ndalueme e firmosa edhe unë. Elhami nxuer nga nji bllok fotografishë e i mur do dhe as sod

nuk dij çka pat marrë. Ma vonë ai bllok më ra prap në dorë. Atëherë Koçua para, unë mbas tij me duer lidhë përpara, të tjerët mbas meje dhe kur mbrrijta te dera e jashtme shndrrova nji shikim me Zog Markun që ishte ulë kambkryq për tokë dhe drejtë e te gjipsi. Dhe unë në vend qe me vu kamben në veturë, u shkeputa e në do hapa putha murin e Kishës e ktheva

me nji herë në veturë mes dy hetuesave Ilo Papa e Elham Gjika. N’ato çasa erdh Pelegrina me Nanen për dore që mezi ecte, e i fola unë i pari: “Nanë mos u merzit, në dorë të Zotit kjofshim” dhe ajo: “ta baftë Zoti mbarë more bir” dhe prekem majat e gishtave e gjipsi

rreshti asaj teposhtje e në rrugë të madhe e fulikare në Tiranë, nder birucat e Hetuesisë së vjetër. Tue u nisë vetura Pelegrina tha: “Unë do ta kem në kujdes sa të jetë gjallë, nanën”. Kjo kje fjala qe me gjalloi n’atë rrethanë aq të vishtirë sa s’mund të tregohej. N’atë birucë ku me futen, gjeta nji djaloç të ri, të rruem e të paqethun qe më tha se kishte mbiemrin Beltoja.

Kishte aty per tokë pak ushqime e ndonji enë të vogël gjelle. Mue m’erdhën mâ vonë nji çini alumini e po ashtu nji lugë, tri batanija të holla. Ndeja me tè vetëm tetë dit e mandej më çuen në nji birucë tjetër. Beltoja më tha ndër të tjera: “A trego gjithshka ke ba e del pa turtura ase mos fol asnji fjalë e të dalë ku të dalë se ktu pa vuejtë nuk del kush.”

Në birucën tjetër gjeta nji burr në gjysë të moshës, i trishtuem pa masë e vetëm mbas dy-tri ditësh filluem të njihemi e të bisedojmë. Ai quhej Asllan Veliu prej Çamerie, arrestue- tha ai, “për tentativë arratisje”. Unë i thaçë emen e të gjitha tjerat si ishin. Biruca e shtrueme me drrasa, nji dritare sipër në mjedis tavanit ku edhe ishte nji dritë e zbehtë. Unë ishem me petka të verës: kanotjere, kmishë, xhaketë e sigurisht të linte e pantallona e kurgjâ tjeter. Dhe ashtu mu desht me kalue tânë dimnin e egër e të lagët që ka Tirana. Dhe vetëm për nder të Zotit nuk u ftofa asnji herë gjatë tetë muejve të hetuesisë. Në vend të jestekut veshem racjonin gjashtëqindgramesh. Dalë kadalë kerdhokullat erdhën e u banë gadi plagë, ashtu

 

edhe nejet e kambvet tue u shtypë natën e ditën mbi drrasa. Gjella pak lang specash e qepesh simbas stinës, gjithherë e ftohtë e vetëm nji garuzhde si të vinte, edhe farë ujë. Moter Pelegrina sa mâ shpesh mund të vinte edhe javë për javë e me siellte ushqime të mira. Mendonte me me qite gjallë e shkreta. Shoqi im Asllani m’u paraqit pa ndihma dhe kshtu e hangrem bashkë gjithshka kishem unë, pra tetë muej në strajcen teme. Por si ujku e kingji,

pse ai, (e diktova vonë fare), ishte spiju biruce, i vuem prej hetuesisë me më mbikqyrë mue, me më msue si me folë në favor të hetuesisë, dhe unë i ngrati as me më shkue mendja, veçse i burgosur si unë, në të njajtën fatkeqsi. Ai ishte kenë dënue me Teme Sejkon 16 vjet e tashti e kalonte me njatë zanatë famkeq. Tue kenë se m’ishte bâ petk mos me folë kundra qeverisë, nuk fola as nuk kishem çka me folë.

III

Hetuesia e ême filloi me 25 shtator ditë e hanë 1967. Hetuesi im ishte Ilo Papa. Ai ia filloi si me të butë e arsye të tregojshem gjithshka kishem bâ faj kundra pushtetit popullor. Shumë gjâna i dijmë që përpara, tha ai, të tjerat rend e rend rreshtoji ti me qetsì e sa ma drejt të

folish ti aq ma mirë do të siellemi ne me ty. Ne nuk të kemi arrestue si prift, por si fajtor kundra popullit e pushtetit popullor. E unë mora leje e i thaçë: “Mos vlla, une nuk kam bâ asnji faj kundra pushtetit e as kuj në botë. Ju kam pasë frigë e s’kam guxue me thanë as me bâ kurrgja kundra Jush.”

N’e nesre perseri në hetuesi. Në nji zyre tjetër. Me pritshin tre vetë. Dy ndejun e nji në kambë, Elham Gjika. Me rrebtsì tue i qite syte xixa, më tha: Hiqi syzat.” Unë i hoqa e ai m’i rrembeu prej dore, i perplasi në tavolinë që ishte aty afër dhe më dha nji flakaresh aq të

randë sa e ndiej edhe sod mbas sa vjetesh tue më pigrue veshi. M’u dha e mblova fëtyrën me dyja durët. Do t’ishem bâ gacë në fetyrë. Âsht kafja kjo tha ai. Të tjerat vinë pas e me bollëk. Unë mendova: kshtu ia kanë bâ edhe Jezusit para Pilatit. Unë nuk kërkova arsye, se pata frigë të dyten dhe heshta. “Mendou mirë e mos e merr veten në qafë. Ne nuk tërhiqemi,

duem të vërtetën e krejtë të vërtetën. Ti po të duesh mos thuej…ik.” Dhe kjo seancë muer fund me ket flakaresh të fortë. „Kafja“! Shkova prap n’atë të shkretë birucë, në birucën e fundit të ferrit. Mendo, shmendo, me qitete kryet tim. As gjumë, as qetsi, se me hanger gjâ në asnji mënyrë, ishte lidhë gjithshka.

Mbas kafes, të tjerat: grushta e shtjelma e përplasje për muer deri sa u lodh. E atëherë m’uli në tavolinë përball vetes dhe filloi tue me pështye në fëtyrë e sidomos në gojë, me të shamet e fjalët mâ të ndytat që dijnë me qite vetem ata që janë si ai, rrugaç.

“Mos bre burr, se jam shqiptar, jam vllau yt, kam nji trup si ti. “Mirë, fol ti unë s’po t’perkas. Po në kjoftë se une s’kam çka me thanë? Zotni s’kam bâ kurrgja. S’kam asnji faj, kundra jush, as kujt tjetër.”

Mbasi më shkapeti përsëri për muer me të tanë fuqinë e vet, e unë shyqyr që ishem diçka i fortë, mandej grushta në parzem si me ken tue i ra njâj thesi me lesh. E pa pritë më ra dy

herë flakë për flakë grusht në stomak e tue bâ me ra për tokë i thaçë: “Pashë jetën tande mos ma plas stomakun se atëherë s’më duhet gjâ jeta të lutem më vra e të kjoftë falë gjaku veç në stomak mos më bjer mâ.” Dhe nuk më ra mâ ashtu.

Kaluen njashtu dit e javë, veç zi e mâ zi.

Nji ditë m’erdh Elham Gjika me disa fletë letrash zyrje e me nji laps kopjativ e më tha: “Na kto fletë, sa t’ap do të më kthejsh. Ulu i qetë e shkruej të gjitha fajet tua ashtu ndershem e në qetsi e imtësisht. Ja do të tregosh, ja vdekje. Po të ap nji javë afat.“ M’u duk e madhe nji

javë me ndejë në njifarë qetsie! Po çka se java kaloi aq shpejt sa se mendova.

„Ti paske pasë çka me tregue, po si t’ia baj unë që s’kam çka me thànë? Mirë, mirë, por po pate, mà mirë herët se vonë. Ata do t’i qesin për hundësh. Unë çka kam pasë e kam thanë që me kohë.“

Unë “Nuk ju due, as gjâ të përbashkët me ju nuk kam, tjetër s’ju kam bâ as nuk keni për ta gjetë kurrë se çka nuk âsht nuk ka emën. Unë me shpifë nuk mundem, as vetes as të tjerëve. Me iu shpifë kuj âsht mkat i randë fort, të ndëshkon Zoti. Ma mirë me vdekë se me i bâ keq kuj. Mue le të më bâjnë çka të duen, por të tjerëve jo, unë jo”.

Shkuen njashtu me Ikon ai bie e un mrrudhu, ai shajë e un mos bàn zâ. Njaty kah fundi i frorit ndryshoj pakëz gjendja. Ikon duket e transferuen e në vend të tij erdh nji tjetër hetues, quejtë Iljaz Haxhiaj, mbas gjase dibranë. Ai nuk përdori mâ grushta e shtjelma, as përplasje për muer, por si tue dashtë me më bindë më përdridhte krahët e tërhiqte gishtat e duerve e

ndalej kur bajshëm me bërtitë të madhe prej dhimbe. Faliminderës prej tij kurr nuk më shau me Zot, as me nanë. Për të më mundue zgjuedh ket tjetër sistem: si thaçë tashti tue m’i tregue e mos dhanë ushqime, të cilat edhe pjesërisht shkojshin dàm. Ky ndryshim njerëzish më la përshtypje të thellë. A thue asht sheji i bujarisë dibrane?

Ai përpiqej me më mbush menden për të mirat që i ka bâ popullit partia, e kur i pashë njifarë butsie në te i thaçë. “Të më falish e mos ma merr për të keq. Unë jam njeri? Jam shqiptar, pra vllà me ty, qysh të mëson ty e sidomos shokët e tu partija me bâ mbi ne çka tmerron

çdo mende?” “Shuej mor zànin e mos ta ndiej kush atë fjalë,”- sikurse pat frigë se po më ndjejshin muret atë farë bisede e ku? Po çka lente pa e bâ Iljazi e plotëson Koçua dhe Elhami. Vinte Koço Josifi me ata koca të mdhaj duersh me binte butit të kresë sa me më qitë syt xixa

e përfundonte punën e vet me të shamet tipike të veten: “qelbësirë e m…”; mandej vinte Elhami me sarkazmat e veta banale. “Ku e ke shkue natën vetëm? Sa dashnore ke pasë?” Unë i përgjegë: “Mos të kjofsha falë ty as kërrkuj për atë punë. Kurr se kam trathtue idealin tem. Ju dedektiva jeni, kërkoni se s’keni për të gjetë kurrgjà n’atë drejtim. Për atë jam krenar gjithmonë e përballë gjithkuj, e i faleminerës Zotit.“

„Po àr a ke pas dhe kue e ke mshehë?“ „Ju e dini se unë kur kam dalë prej shkolle në shërbim kam shkue pikë së pari në Gallatë e Skuraj. Atje kishte àr kudo dhe e mjera nana e eme sa hiqte keq me e pastrue.” E morën vesh batutën e i futën gaz. Nji ditë tjetër ishin grumbullue njà dhetë hetusa tue qeshë e tue folë me shoqishojnë. Kishin argëtim e pushimin

e vet. E nji i panjoftun prej sish m’u afrue mue me ashpërsi mu në frymë e tha: “Ti s’don me tregue? Ha ta…nanën tande.” S’ma kishte thàn kërkush një fjalë të tillë e u skuqa në fëtyrë, e gadi në vàj i përgjegja: “Mos bre burr se nana ême asht motër e nanes s’ate!” Ai me shikjoj i çuditun e nuk tha mâ asnji fjalë, u largue e se pashë mâ. Më thanë se ishte prej Rrëshenit, hetues.

Herë pas here vinte ndonji oficer civil i Ministrisë së Mbrendëshme e i mblidhte hetuesat e mij aty ku më kishte thirrë mue, ishin pesë dhe çante kapalla me te e drejtë meje hidhte ndonji tallje a sarkazëm. Por kurrë nuk më shau si tjerë. Madje nji herë më tha: “Pesë muej e ke kështu e mandej gjygji.” N’ato ditë më shkoi goja e thaçë, “pasha bukën” dhe ata tue u tallë me mue shkojshin tue e përsëritë tash e tash së pari me mue e shoqishojnë.

Kah fundi i hetuesisë, me duket në fillim të prillit, filluen ballafaqimet që ishin si prova e përgjithshme e farsë e formimit të grupit. Kët grup, simbas vullnetit të hetuesve e bàni njeri nesh. Ky i ligshtuem së tepërmi u ishte dorëxue e bàjshin çtë dojshin me të. Ai filloi e na kndoi të gjitha akuzat me të cilat dojshin me na dënue. Dhe e keqja ishte se ia fillonte te vetja e

përfundonte te nà. Këto akuza të randa synojshin me provue juridikisht para popullit se na ishim me të vërtetë fajtorë. Kishim folë me njani-tjetrin sa kemi mujtë kundra pushtetit popullor. Kishim bâ takime me italianë që vijshnin në Shqipnì, kishim çue relacjone në Vatikan per gjendjen e kishës katolike në Shqipni etj. Dom Zef Bici i pranoi të gjitha tue thànë s’kam çka me shtue as me mungue. Dom Mark Dushi u mundue me me i përgjysmue. Kurse unë thaçë “sa për relacjon në Vatikan e takime me italjan unë s’kam kurrgjâ dhe tash po e ndjej të të parën herë”. “E pra: ti ke pasë dijeni.” “Pra mue me mbetej mosdenoncimi që ishte baras me ata që i paskan krye. Unë për vedi asnji dishmitar tjetër s’kam pasë, si tjerët.” Mjaftoi kjo dishmi sa me më dhànë mandej dënimin mà të ràndin; me vdekje.

IV

N’ato dit’ Elham Gjika më takoi me Dom Zef Bicin që ishte bâ àsht e lkurë, prej smundjes së keqe, për të cilën edhe ishte operue. Nuk di pse ma bòni ate takim. Ai ishte thellsisht i trishtuem se e shihte vedin në prak të vdekjes tue e pas deklarue kryetar grupi. U theka edhe

unë në shpirt por nuk shndrruem asnji fjalë. Kishte marrë fund gjithçka. S’vlejshim mâ as kundërshtimet as ankimet. Tash vetëm se kishim punë me të Madhin Zot tue kërkue ndihmën e tij. Diktatori donte kshtu për të provue para popullit se na ishim fajtorë të gjithë dhe se denimet e dhanuna ishin të drejta.

“Diktatori për të luftue katoliçizmin e njikohësisht gegnishten si e kryqit, trilloi nji mënyrë tjetër për ta xevendesue giuhen, të folmen gege me tosknisht. Me nji të shtime me vra dy zogj: gegnishten e katoliçizmin e kulturën e tij. Kjo giuhë e unjisueme, bâ me urdhna të

preme e të nxitun, nuk ka temel shkencuer, madje ka gabime të randa kundra natyrës së giuhes shqipe. Dhe gega i shkretë i kje dorëxue verbtas diktatorit. Dàmin e vërtete e bajnë kosovarët që lanë giuhën e nanës se vet, përqafuen njerken gjirokastrite, dhe vazhdojnë me kambëngulje, pa marrëveshtje me krahina tjera, pa përfill askend. Me urdhna e diktat nuk bahet giuha, sidomos në ket kohë kur jemi në stad të naltë kulture. Ajo don mirkuptim,

bashkim mendimesh të njerzve mâ të shquem shqiptarë e sidomos giuhtar. Kosovarët në daçin e dijnë se na jemi me numër mâ shumë se jugu dhe me kulturë të nxanun vend me shekuj. Kryesor àsht se me humbjen e giuhes nuk fitojmë asgjâ vetëm humbim të kaluemen e kulturën tonë. Unë u kam thanë kosovarëve se na jemi nji popull me të njajtën të folme

me ju dhe se në kët mënyrë po e thelloni dasinë që e kanë imponue rrethanat historike. Unë mendoj se edhe giuha e ka randësin e vet. Dhe ket randsi na e çmojmë me plot arsye e kambëngulje. E ardhmja do të gjikojë me lavd a përçmim”.

Në dy gjipsa të ndamë për mbrenda me batania, mes dy policësh seicili nesh, na çuen në prej Tirane në Shkodër nder birucat e hetuesisë, seicili në birucë të veçantë, si zakonisht. Gjygji i Gjykatës së Naltë të Shkodrës u zhvillue në Kishën Stigmatine në Giuhadolit; 22-25.6.1968.

Trupi gjikues: Kryetari: Nuri Reznja;

Dy antarët: Marie Zef Gjoni e Gjergj Mark Doda:

Prekurori: Faik Minarolli.

Të denuemit në krah të majtë poshtë podiumit, ku ishte trupi gjykues, Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Mark Hasi, Dom Frano Ilia, At Geg Lumaj, Alfons Radovani e Kol Malocaj.

N’atë kohë advoketën nuk kishte.

Seanca e parë: Dom Zef Bici e Dom Mark Dushi

Seanca e dytë: Dom Mark Hasi e Dom Frano Illia

Seanca e tretë: At Gegë Lumaj, Alfonc Radovani e Kolë Malocaj

Seanca e katërt: Dishmitarë. Disa folsa prej popullit në sallë, edhe me të shame të ulta. Dom Zef Bici i pranoi të gjitha si kishte pranue në hetuesi. Dom Mark Dushi mbasi u suellë me disa ngatrrim shprehjesh pranoi.Dom Mark Hasi i këndoi të gjitha se në hetuesi. Unë pranova se

kishem kenë detyruem me e pranue në hetuesi mbas dishmisë së dishmitarit të vetëm që tha se “edhe ti ke pasë dijeni për gjitha këto që pranuen shokët”. Disa thanje tjera që dojshin hetusat nuk më ranë në mend me i thanë e kur mbaroi seanca sa s’më shtinë në dhè e më

detyruen me i thanë në seancën e ardhshme, që nuk ardh mà. Unë konkretisht u dënova për mosdenoncim që për ta ishte baras me të gjitha fajet e të tjerëve. Për të tjerët s’kam çka me thanë se edhe ata pranuen çka kishin pranue në hetuesi. Veç At Gega u tallë hollë tue ulë e vu syzat e tue përsëritë disa herë: kshtu në kohë të Zogut e ashtu në kohë të Zogut,

derisa të mërzitun i bërtitën me idhnim mos ta përsëritëte ma atë emën. Pretenca e prekurorit.

Me pushkatim: Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Mark Hasi, Dom Frano Illia

Dhjetë vjet heqje lirie: At Geg Lumaj e Alfonc Radovani e tetë vjet heqje lirie Kolë Malocaj.

Duertrokitje të stuhishme prej sallës së mbushun plot. Fitore e çmendun! Turp i tmerrshëm, turp i kobshëm. Vllazënt e vet Shqiptarë. Po dënoheshin padrejtsisht e me vdekje e ata faqezezë po duartrokitshin me forcë. Kudo e në gjithshka me të dalun vetja qefit. Si bahet njeri para frigës e interesit! Ato duartrokitje ishin baraz me breshërinë e mitralozëve mbi né

mu aty në sallë. Këto e veprime të tjera kundra nesh bajnë me mendue: a po ky asht populli shqiptar që e humbë gjikimin në disa rrethana? Si do të mund flasim mà për fisniki shqiptare që na kandej me e thanë të kaluemen e afërt?! Jo Jo s’ka mbetë as shej i fisnikisë, si po kemi fatin e zi me e pa në veprat e tija vazhdimisht!

Çou, or Fisht e vajto me zanat e tua e të gjitha vajtojcat e të gjitha kohnave.

Gjygjtari: Mbasi i rreshtoi të gjitha fajet për të cilat epej dënimi për setcilin nesh: dha dënimin definitiv: Me vdekje pushkatim Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Mark Hasi, Dom Frano Illia. Kurse At Geg Lumaj e Alfonc Radovani dhetë vjet heqje lirie e Kolë Malocaj tetë vjet, si prokurori.

Ndër ata që folën kundra nesh kje nji berdicjanë që qiti prej goje të shame ma banale kundra Zotit e fesë sonë. Se ma lene për ne dhe meshtarët e tjerë. Nji skenim i tillë nuk asht ndie kund ndër gjygje.

Populli në sallë ishte i thirrun zgiedhun. Ndërsa jashtë ishin grumbullue para altoporlantave të fuqishëm vendosë në disa vende në shej të qytetit. Shkodër locja ishte ba grusht e tmerrueme e e pikllueme, pa muejtë me thanë kund nji fjalë. Kjo àsht fatkeqsi e madhe me u ligshtue në ket menyrë nji popull mbarë. Diktatura e egër me mbyllë gojën e të gjithve.

 

 

Gjygji pshtete në disa fakte trillimisht të smadhueme donte me justifikue dënimet e randa, me vdekje, që donte me dhanë e kshtu me e dërmue krejt klerin katolik e fenë e tij. Ky salvim me etapa përherë e ma të ashpra ishte qellimi kryesuer i veprimeve shtetnore e

kombtare. Nji vllavrasje e kobshme që s’ka gojë me e tregue as pendë me e pershkrue as vajtojcë me e vajtue. Shi fjala e të vjetërve që thonë: paska kenë vllau i yt ai që ta paska grrye synin aq thellë! Mjerë, mjerë Shqipnia fatzesë në ç’humbenerë ka ra. Do të çuditen breznitë e ardhshme, kur t’i lexojnë këto të vërteta të jetueme prej nesh. Do ta kenë vishtirë me i besue, por do t’u thomi: qe ku çon zemra e prishun.

Në tokën shqiptare, me aq tradita fiznike, populli àsht bà me iu dhimbë gurit e drunit. I asht dërmue ndërgjegja, i asht zhburrnue karakteri sa me i përngja mà tepër bishve të egra se arsyes njerëzore. I pangishëm deri në sadizëm me gjakun e vllazënve të vet. O Zot, ki dhimbë për ket popull që àsht shndrrue në nji thertore të përvajshme. Merre, o Zot, gjakun e dëshmorve e bashkoje me gjakun tand shpërblyes derdhe për ket e të gjithë popujt e botës dhe bàn që breznitë e ardhshme tue na kuptue, mos të bijnë edhe ata në ket katastrofë që veç fundi i ferrit e don dhe e shtyen.

Si ndieme dënimin e tmerrshëm me vdekje, menduem me i lypë Zotit të falun për mkatet tona e me u bà gadi me dalë para gjygjit të tij. Kur mrrijtëm në oborr të birucave, polici që më përciellte mue, hyni mbrendë, Dom Zefi që ishte nja dhjet hapa mbas meje më tha: ma ep, nji të zgidhun. E unë, me zà sa me ndie ai, thaçë: unë po të zgidhi prej mkateve tua

’emën të Atit e të Birit e të Shpirtit Shejt. Dhe polici tue përfundue unë formulën e màsipërme m’u hull në frymë e tue m’u gërmushë: Çka fole more? E unë iu përgjegje: I dhamë hallallin njeni tjetrit. Dhe hymë në biruca ku kishim kenë dhe na lidhën kamësh e duerësh me hekura, shtri për drrasa të thata, me të cilat nuk msohej kurr njeriu. I lutem Zotit me më dhanë fuqi me bajtë gjithshka për nder të tij. Ta merrte ai shpirtin tem që e kishte krijue vetë. O Jezus

edhe unë jam shtri për tokë si ti në kryq, ti i gozhduem pezull në kryq e unë i lidhun tue pritë me dalë para teje. Ti ke vdekë për mue edhe unë po ta kushtoj jetën e vdekjen teme Ty o i miri Jezus.

Ndër këto mendime i trandum në shpirt, vetëm për vetëm me Zotin, tue mendue me dalë para si, hapet dera e birucës dhe n’atë gjysë terr pash si nji hije që hyni mbrendë e mbylli derën e i vuni shpinën e më tha: Frano, ti nuk do të pushkatohesh, flejë i qetë. Ishte Elham

Gjika. E kur unë, pa dijtë çka thom, i kërkova spjegim, si ishte e mujtun, ai përsëriti fjalën e vet si sipër duel e shkoi.

A u gzova? Ishem i hutuem! S’dijshem çka me mendue, a me i besue? Por njeriu àsht mà i prirun kah jeta, megjithse nuk besohej kollaj n’atë rrethanë. Në dorë të Zotit. Ç’të ket thànë ai i lumi do të bàhet.

Nuk vonoi shum dhe atë natë apo n’ë nesre më sollën nji njeri në birucë për të më ndihmue ashtu si ishëm lidhë kambesh e duersh. Ishte nji i burgosun ordiner, për bigjoz, dënue nji vjetë

e quhej Ali Lopçi. Ai mundohej me më dhànë zemër e më ndihmonte në lëvizjet e domosdoshme si në nevojtore jashtë birucave. E falenderojshem dhe po e bekoj tash që po shkruej, unë gjallë e ai më duket i vdekun. Pastë dritë kush herët e kush mà vonë të gjithë t’asaj udhe jemi.

N’ë nesre vjen polici me nji letër të daktilografueme e me nji stilolaps e më tha firmose, asht lutja për falje jete, nënshkrueje shpejt. E kishte shkrue ndihma juridike. Lexoj, çka me pa, tanë blasfemi e të shame kundra Zotit e fesë sonë. Me at stilolaps i shkarravita të gjitha ato

fjalë fyese e nuk mbet tjetër veçse rreshti i fundit. Lypi mshirë. E firmosa njashtu i lidhun durësh. Ndërsa polici bërtitëte prej sportelit: shpejt se po ikën makina për Tiranë. Ndiej zànin e Dom Marka Hasit diku në anë tjetër të rruginës që po bante atë punë që bana unë tue thanë: ç’asht ky kob more. Me të vërtetë kob i zi, plotësisht vepër e djallit fillim e mbarim. O Jezus, deri kur luftë kundra gjarpnit. E Jezusi: Nuk do t’ia dali.

Kaluen 15 dit në ket gjendje që s’ka nevoj për asnji spjegim. Kuptohet prej gjithkujë. Nji lutje e pandame të madhit Zot e Zojës së bekueme, me njat fije shpnese. 15 dit agoni. Ma shumë kllapi se gjumë. Nuk hiqej mendësh çasi i kalimit. Ma afër Zotit se jetës toksore, trupi tokës e shpirti Zotit që e ka krijue. O Zot tashti e ndiej vetem ma afër teje se kurr. O Krisht m’ep fuqi

ta ndiej veten teme krejt afër teje me gzimin e asaj jete s’amshueme. Ti je Zot, ti je shpërblyes, ti je gjygjtar, ti je lumnia e amshueme. Po të bekoj tashti e përgjithmonë. Epma ti dorën kur trupi im të përplaset për tokë mbi gjakun tem të nxetë. Më ndihmo të thom edhe

unë si shokë e mij heroj tu: Rrnoftë Krishti Mbret edhe Shqipnia nanë. Bekoje ket vend. Fali vllazënt e mij shqiptarë që më munduen e po më vrasin, e po më vrasin se jam i yti. Kështu kan vdekë shpirtent e kushtuem ty, kështu po vdes edhe unë sherbtori i yt, që tashti po të gias mà fort se kurr, jam nji tjetër ti: flije.

 

Tue mendue kështu e herë tue u trimnue, e ndonjiherë edhe tue u gzue se tashti po vi te ti, O Jezus. Ti më rri afër krejtë. Nji bum e nji fluturim ndër krahët e tu. O Zojë Jezusi të la për nanë tonën e kur të kam afër Jezusin e ty nanën Mari, s’kam pse frigohem.

15 dit pa nda në mes të mendimeve të ndryeshme, mes jetës e vdekjes, veç për nanën më shkonte mendja ma shpesh e atëherë i thojshem nanës qiellore: ngushlloje ti. Kurr ma nanë nuk ndihet nana. N’ato rrethana veç ndihma e Zotit e nanës qiellore.

11 maj 1968. Asht pika e mesnatës. Në rruginën e birucave zhurmë e madhe dhe e vazhdueshme gjurmësh. Mbas do kohe edhe ajo zhurmë pushoj ma në fund u ndie nji zhurmë makine që duel prej oborrit të birucave e u drejtue kah Zalli i Kirit e mbas kund nji gjyse ore po ajo zhurmë makine kthej e hyni në qytet. Ishte ajo kohë kur lidhen me konopë

dy viktimat e asaj nate: Dom Zef Bicin e Dom Mark Dushin dhe i çuen me i ekzekutue. Gjithshka ndieva por gja nuk kuptova veç mbas disa orësh, në nadje. Kah ora 9 paradite erdh polici e me zgiedhi kambët e më muer për dore e më çoi në drejtori. Aty gjeta drejtorin e nji oficer dege: Ajet Zenelin. Kryetari më tha: Presidiumi i Kuvendit Popullor ta ka shndrrue

dënimin kapital me 25 vjet heqje lirije. Ti si e prek kët nderë: 25 vjet burgim mendova unë! Ma në fund thaçë vetëm: faliminersë. Pritën disa çasa se mos do të thojshem ndonji fjalë tjetër, e thirrën policin: çoje në birucë e hiqja hekurat. Atëherë erdhë tue mendue për jetën, që kthei edhe nji herë. E kjo për nderë të veçantë të Zotit atij i kjoftë lavdi e ndera. Ajo që nu u ba atëherë do të bahej kur të dojë Zoti i lum. Në birucë më priti Ali Lopçi me krahë hapët e

u përqafuem. Por vetdija e plotë më erdh shum kadalë. Gadi zdijshem me u gzue, megjithse jeta asht dhimbshme e e dashtun. Të falem nderës, o Zot, ti i ke në dorë jetën e vdekjen. Ti don të jetoj, për ty kjoftë sa don ti, veç ndihmën tande. Lavdi e ndera të kjoftë ty, sod e përgjithmonë.

Kur më çuen te kryetari ndesha kah kthehej Dom Mark Hasin që më përshëndeti me të kullun si e kishte zakon. E kishte marrë edhe ai zihariqin e jetës.

Pak ma vonë na qitën në oborr me ato plaçka që kishte seicili. Aty kërkueme me sy shokët. Aty morëm vesht për Dom Zefin e Dom Mark Dushin. Ata vdekë e unë gjallë! Puna e Zotit. Paçin dritë në jetën e pasosun. Me nji herë na nisën për në Tiranë ndër bujtsa, për të pritë se ku do të na dërgojshin, në cilin kamp pune.

Me 6 qershuer, mue e ndonji tjetër na çuen në Vlonë, Skrofotinë rep. 309. Aty ishte kneta e Nartës e ndame në dysh me nji argjinaturë të gjatë 14 km. Aty hapeshin kanale me kilometra të gjatë: gjansi në krye 12 metra e në fund nji metër e thellsi metra 2. Balta do të

hidhej me bela në njenën anë që baj kodër. Zakonisht fryente era e detit në të gjitha drejtimet e thaheshin djerst në trup, kur pushohej ajo e mbrrihej në kamp. Pushim s’mund të

kishte veçse vjedhtas përshtetë në bisht të belit në kambë. Mue më caktuen në nji grup të fortë. Norma ishte grupi e ata të atij grupi dojshin me ba dy norm përtë fitue njiqind lekë. Unë i shkrijshëm fuqitë e mija por s’ia mbrrijshëm atyne, që më dukeshin skavatora të vërtetë. Ata u ankuen tue thanë se normën unë s’mund ta bajshin. Më thirri oficieri i punës e më tha: na e dimë se ti nuk je i vaditun me punë, por duhet t’i shtrohesh si shokët. Unë s’pata tjetër

me i thanë veç: mundësitë e mija do t’i shkrijë, por edhe shokët mos të më kërkojnë çka nuk mundem. Ndonji herë shokët edhe më sulmojshin me të shame e fjalë t’ulta e veç brigadjeri që ndërhynte me nji herë e qetsonte gjendjen. Ata s’kishin faj, por as unë jo. Ata më shihshin sa i epshëm, më shihshin edhe uj në djersë.

Ndër ditët e para tue kalue ndër puntorë nji kapter i tha brigadjerit quejtë Rrako Shore, çoban, njatë, tue ba gisht kah unë, vene në fund të kanalit. E ai: si urdhnon, por s’bani kurrgja kundra meje. Më shihte sa e epshëm punës e si bahesha uj në djers, që s’tereshin kurr veç në kamp apo në dyshek, kur vinte koha e pushimit.

Nuk vonoi e më thirrën në komandë. Gjeta komandantin Sulejman Manokun e komisarin Kiço Gjançin. Komandanti tue më lëshue duhanin, më tha se më kishin thirrë për të ba nji kuvend të dobishëm për mue. Ndër të tjerat më tha: ti je njeri me kulturë dhe mund të na ndihmosh.

Rri ma afër komandës e ke për të kenë i ndihmuem e i mbi kqyrun. Këto fjalë kishin vlerën e thirrjes për t’u dorxue atyne e me bashkëpunue me ta, pra me spijunue të tjerët sidomos shokët e mij klerikë.

Unë si e thirra ma parë ndihmën e Shpirtit Shejt, pa vonesë përgjegja: Zotni unë jam prift katolik. Unë e kam të ndalueme rrebtësisht me u përzie në punë politike, prandej atë punë që më kërkoni ju unë nuk mund ta baj, nuk mund e marr mbi vedi. Ju lutem të më falni. U mundue komandanti me më bindë se ishte e mira e eme. Më thotë mandej: ku ka oficer pa ushtarë? Unë iu përgjegja: unë jam oficer dhe ushtarët e mij janë të lidhun si unë. Ndërhyni

komisari me ashpërsi: A nuk ke fjalë tjetër? Ndërhyni përsëri komandanti që donte me mbajtë anën e butsisë e tërheqjes kah ai. Ban mendim na këtu jemi, dhe të presim, mendo vetëm të mirën tande. Dhe i bani za kapterrit e i tha, çoje në kamp, mos e lidh.

N’atë ditë e mbas nuk më thirri ma kush për atë punë, por u përdor nji taktikë tjetër. Për çdo mbledhje e baheshin shpesh, unë ishëm ndër ma të parët që kritikoheshem për nji arësye e përt nji tjetër me mujtë e me ba të kërkojshem unë me u dorxue atyne e me bashkëpunue. Do të merrshem shokët në qafë e do t’u koritshem për jetë e për çka, për nji lugë gjellë, ase

me nji përgjegjsi të mbrendshme, si ishin të gjithë njerzit e puntorët e komandës. Kështu pra mue kapterat nuk më lejshin kurr të qetë, sidomos njeni quejtë Haki Muço.

Nji ditë tue dashtë me çue te kryet e shtratit strajcën e bukës, seose ende s’ishte ba depoja, gjeta kapanonin të mbyllun e përgjegjsi mbrendë. I kërkova të ma çelte derën e ai mohoi e

unë si tue dashtë me u tallë i thaçë: ma çil more fëtyre e keqe. S’u desht tjetër. Fjala në komandë shkoi e shtremnueme: i paskam thanë, spiju komande, që as nuk më kishte shkue ndër mendja megjithse i tillë ishte dhe për ket me nji herë më çuen në birucë tridhetë ditë. Ishte vera e madhe. Në birucë lejojshin nji batanie, tas, lugë e pagure uji.

Ndërmjet sulneve që më bajshin pa nda e gjetën edhe nji tjetër: Nuk ke të drejtë që të vinë ajo që vjen ty me ndihma sepse ti nuk e ke motër gjaku. U mbull edhe nji shtek ndihme. Vazhdoi motra tue më dërgue ka nji herë të holla, por edhe ato m’i epshin me vonesë e ndoshta edhe s’më dorxojshin. Njashtu me kto lufta e kalova nji vjet pune të randë.

Në krye të vjetit erdh komisjoni mjekoligjor e mbasi më vizitoi më qiti gjysë norme. Kshtu puna kje ma e letë e jo aq e kqyrun.

Prej punës sërandë dhe të djersve të tepërta tensioni alterial u njit rreth 200 dhe megjithse m’epte mjeku i makpit dhe merrshem mjekime edhe prej shtëpie e miqve, tensioni arterial veç shkonte në ngritje. Mbas disa kohe edhe puna e randë ndër kanale, ndryshoi nji grimë, sa u ndrrue mendimi i bujqësisë e u mendue nxjerrja e krypës e puna u përqendrue në bamjen e

oxhakve e mandej të mbledhjes së krypës, me të cilën u banë male. Më çuen në spital në Tiranë, ku për 19 dit më ulën tensionin në 140 por nuk shkoi gjatë kështu. Në vjetin 1970 erdh prej Rrësheni i quejtuni Mark Deda, hetues e më muer me të gjitha plaçkat e më çoi në

hetuesi të Rrëshenit. Aty n’ë nesre më thirrën në hetuesi e Komandanti Pandi Kita më tha: Të na tregosh si e njeh ti Anton Doçin e ç’farë mardhanjesh ke pasë ti me te? Unë i tregova drejtë se Dom Anton Doçin unë e kishem pasë shoq shkolle e shoq priftnie. Ata kërkojshin marrëdhanjet e sidomos politike. Dhe unë, tashma ma i

msuem me ato punë se tue pasë frigën t’uej nuk mund të merreshim me thana e thaça prandej unë s’kam kurrgja çka me thanë n’atë drejtim. Nuk ishim prishë mendsh me i ra murit me krye. Na ju kishim frigë, prandej asnji fjalë me rrezik. Mbasi u rregatën giatë e tue mos pasë çka me thanë unë, e mbyllën takimin me fjalë të forta prej anës së tyne e komandanti përfundoi tue thanë: “akoma ti qëndron në pozita armiqsore”. Dhe n’ë nese më çoi në Spaç. Ndeja nji muej tue punue jashtë galerive. Mbas nji mueji më çuen në Kampin e Repsit që mvarej prej Spaçit.

Mbas nji kohe jo të giatë, erdh e më muer Iljaz Haxhiaj, hetuesi im i maparshëm dhe më çoi në hetuesi të Tiranës, ku i gjeta hetuesët e mij Koço Josifin, Elham Gjikën e Ferhat Matohitin.

“Çka ke lanë pa tregue në hetuesinë e maparshme? Kjo pyetje u përsërit për ma se nji javë rresht e përgjegja e eme ishte thjesht: “Kurrgja”. Me kët kurrgja, hetuesia nuk kje ma e lehtë se e para. Madje më vejshin në tallje tue më thanë: kenke ba ma i mendshëm se në

hetuesinë e parë, por s’do ta kalojsh pa u djegë, e filluen grushtat e shtjelma me egërsi tue mos më dhanë nji muej ushqim, veç hekra gjermane. Sollën aty nji djaloç prej Gurzi të Milotit, që unë nuk e kishëm pa ndonji herë as për fëtyrë. Ai ishte i biri i Mark Preçit, ofiqarë i

gjendjes civile në Milot, atë e kishem njohtë. Por me të vërtetë asnji lloj marrëdhanje as me të birin as me t’anë. Ai djal quhej Agustin, mësues.

Ai nisi e tha: Unë kam ba ndërmjetës mes teje e Dom Zef Bicit në atë kohë pranë familjes së vet në Gurëz. Unë i merrshem letrat e tija e e lejshem nën nji gur të nji peneli poshtë qendrës

së Milotit e ti shkojshe e i merrshe tijat e lejshem tujat, letra që unë ia dergojshem Dom

Zefit. Dhe së fundi Dom Zefi të kërkoi dinamit me kordon të giatë sepse donte me shembë monumentin e Stalinit në Tiranë. Unë tue e mohue në mënyrë kategorike u thaçë se monumentin e Stalinit e kam lanë të rrethuem me gardh drrasash për ta hjekë prej andej e për ta vue në nji vend tjetër. Prandej edhe si të kishem dashtë me ba aso punësh s’kishte

asnji arsye. Mandej na e dijmë se komunizmi nuk shembet me nji monument të hjedhun n’erë. Na nuk jemi për rrënime materiale, që s’kanë asnji vlerë për sheje ideologjishë. Asht punë kundra mendsh. Prandaj as mendja nuk shkon.

Ata po unë jo, shkuen do dit. Atëherë na lanë të dyve bashkë, vetëm pa askënd tjetër në dhomë tue na thanë: tashti bini në godi njeni me tjetrin e na e epmni hallvën e pjekun dhe dolën për jashta e mbyllën derën.

Unë ulem në tavolinë përball Augustinit dhe i thom: Tashti jemi unë e ti vetëm për vetëm. More djalë i mirë, as nuk më bjen në mend të kemë pa ndonji herë, se ma me ba aso punësh që ti thue as n’andërr e për çka mandej?! Ai m’u përgjegj: “Mue kshtu më duhet me thanë”. Por sa gabim je ti e din mirë. Ti e din mirë se për kto punë shkon edhe jeta. Unë ty s’ta

kishem ba kurr! Ai mrudhte krahët e unë s’ia ngiata e u çova e trokita në derë për nji kohë të giatë e kur s’ndieva se erdh kush i raçë me shtjelma. Por vonë ia mrrijtën e hapën derën si mos të kishin ndie kurrgja. Ishin nja katër-pesë hetuesa e njeni me makinë shkrimi. Tashti na

tregoni si keni ra në godi për qeshtjen në fjalë. Fol ti Augustin. E ai ashtu si kishte thanë deri atëherë. E firmos ti këtë dokument? Ai me nji herë: po, dhe e firmosi. Mandej më drejtohet mue: Po ti Frano çka ke me thanë: Trillim fund e krye, kurrgja e vërtetë, absolutisht kurgja: Kështu shkroi n’atë dokument dhe ma paraqiti ta firmojshem. Dhe unë me nji herë si e lexova përsëri, ishte ashtu si thaçë unë dhe nënshkrova.

Mue më çuen në birucë ku ishem kenë dhe për tri javë s’më ra kush mbrapa ma. Mbas tri javësh, që po rrijshem kot n’atë vend, n’atë birucë, i tjom rojes së mbrendshme. Dishroj me u pa sa ma parë me hetuesin Iljaz Haxhiaj. Po e kërkoj, më tha, por kaluen disa dit e nuk

erdh, atëherë për çdo ditë e thirrshem e ma nëfund mëthirri në zyrën e vet e më tha: Pse më ke thirrë? E unë: Pse më mbani kot? Kot jam gjithkund, por tashti pse me ndejë ma giatë këtu? Ai menjiherë qiti nji letër e nji stilolaps e ma tha: merre e shkruej nji dishmi se ti s’do t’i tregosh askuj, me përgjegjsi ligjore penale për çka kemi ba këtu. E unë me njiherë: jam gadi

me e nënshkrue se s’më duhet gja me folë me lënd për kto punë. Nuk mora vesht kurr se përse ishte gatue kjo hetuesi e dytë e e kotë! Lojnat e tyne!! Me nji herë hetuesi Iljaz Haxhiaj më çoi në Reps ku më kishte marrë. Nuk vonoi e kampi i Repsit kje çue përsëri në Skrofotinë të Vlonës. Kërkova me më lanë në Reps, por s’ndigjuen e ktheva prap në Vlonë.

Prej Vlone në Ballsh të Mallakastrës ku ishte fillue ndërtimi i Uzinës së madhe për pasurimin e thell të naftës dhe n’at kamp qëndrova për dhetë vjet të plotë. Aty gjeta përsëri kapterr Haki

Muçon, që më shikjonte me ata sy urrejtës e nuk mëlente kund në qetsi. P.sh. më thirrte para shtratit e thonte nuk e ke ndreqë mirë. Unë e prishëshem e ndreqshem aq sa mund të ndreqej e vinte përsëri e më thonte nuk e ke ndreqë mirë, bante përsëri, veç me më mundue. E kshtu në gjithë tetorshin e vet.

Në vend të komandantit të maparshëm erdh nji oficer tjetër prej policisë së Tiranës, quejtë Skënder Leka dhe ati i dola para e i thaçë se kishem nevojë me folë me te. Ai e pranoi dhe unë ia diftova me pak fjalë punën që bante me mue kapterr Hakiu i cili edhe më shante. Dhe

ai me nji herë më tha: Askush nuk ka të drejtë t’ju ofendojë. Dhe nuk vonoi e e largoi prej andej Kapterr Hakinë për të cilin kishin ba ankime edhe ordinerët që ishin në kampin e vet afër nesh.

Në Ballsh ishin disa meshtarë. Imzot Nikoll Troshani përgjegjës i kapanonit të smuetnëve ku ishem edhe unë. Dom Anton Doçi kje dënue në burg dhetë vjet të tjerë, për arsye se s’kishte pranue me u ba spiju si ja kërkojshin, kje çue në Spaç për ta dënue edhe dhetë vjet të tjerë, kur ishte tue përfundue dhetë të parët.

Në vjetin 1973 me 1 kallnduer kjeçë përjashtue prej pune, pra më lanë në papunsi me racjonin e papunsisë: 600 gr bukë e gjellë papunsie. M’u duk se shpëtova.

Dom Ndrek Krroqi që na duhej gadi me e bajtë në shpinë për ta përcjellë në nevojtore, Dom Ndoc Sahatçia që kje dënue përsëri se kishte folë për punë të sigurimit europian që do të jetë

shpëtimi shpëtimi i ynë. Këtë llomotitje e bani tue shëtitë n’oborr me mue e Nikollë Troshanin. Unë tue ndie e tue e dijtë ku ishem e me kë po shetitshem, u largova menjiherë. Nikolla e raportoi dhe gjygji u ba në kamp tonë të Ballshit e Dom Nikolli i duel faqe e ia njehi njashtu si kishte folë dhe e dënuen edhe dhetë vjet tjerë.

Kje fatkeqsisht nji skandal kombëtarë. Nji prift kundra tjetrit.

Në kampin e Ballshit ishte pra nji kapanon i vogël ku ishin ma të smundët e kampit dhe si përgjegjës e kujdestar ishte Imzot Nikoll Troshani, me ndihmën e të cilit u bana edhe unë pjestar n’ate kapanon. Ma vonë sollën aty edhe Dom Anton Doçin, dhe ishim afër me shtrat, nalt, si dy shokë të vjetër. Ma vonë s’e mbajë në mend ditën, Dom Antoni, u ul kadal poshtë

e pa thanë se ndiente në vedi shqetsim, shkoi në nevojtore. Aty pat nji infart të plotë që e la në vend, pshtet për muer e shyqyr që s’ra në kanal. I pari e gjetka At Anton Luli, i cili aty për

aty s’e kishte njohtë, veç kur e kanë qitë jahstë. Kje vorrue në vorresën e katundit Panahor, prej andej në vjetin 1996 i vllai Mehilli eshtnat e tija i bajti e i rivarrosi mu pranë derës së Kishës re të Shna Vlashit në Malaj, ndërtue prej etënve Vinçencianë. 1996.

Po në Ballsh pak ma vonë vdiq edhe Dom Mark Hasi, që vuente prej tensjoni të naltë arterial deri në 300. Edhe ai kje vorrue në Panahor. Eshtnat e tija Motra Pashka i nxuer e i rivarrosi në Rmaj të Shkodrës.

Me 12 prill 1986 u ba nji falje e madhe e papritun, liruen prej burgu ma se 30 vetë e ndër të cilët edhe unë e Dom Mikel Koliqi.

Unë shkova me nji herë në Milot te qela e eme. Aty kishte vazhdue me banue fillikat vetëm Motra Pelegrina Kallmeti. Ajo kishte ardhë te unë qyshë në qershuer të vjetit 1960. Ndeja disa kohë me te me përbuzjen e të gjithë komunistave, pa asnji përkrahje as prej miqve të mij që s’guxojshin me m’u hull prej frige derisa u mendue me e rindërtue qelën e Milotit që ishte ba e pabanueshme.

Tue kenë se banim tjetër për mue as për Pelegrinën nuk u gjet në Milot kjemë detyrue me kërkue strehim njeti. Motër Pelegrina vojt te i vllai Ndrekë Kallmeti në Shkodër dhe unë te kushrini i im Paulin Shuk Dema, i cili me guxim më thirri: Hajde të jetojmë e të vdesim bashkë. Te ai shkova me 26 maj 1987. Paulini kishte nanën e vet Rozën, gruen e vet Irenën,

dy fëmijët Denjorin e Rozitën. Unë i gjashti. Roza kishte nji pensjon të vogël, Paulini e Irena kishin rrogat e veta. Kjenë pesë e u banë gjashtë gojë në shtëpi. Aty ndeja gadi dy vjet e mandej shkova te Shan Simon Zefi në Juban. Shani kishte për gru kushrinën teme Katrinën e cila ishte bija e axhës tem Mark Hil Illisë. Aty ndeja deri në fillim të vjetit 1991.

VI

Mbasi kushrini i im Dom Simon Jubani, i rrethuem prej djelmve shkodranë muer guximin e tha Meshën e Pra mbas Salvimit t’egër me 4 nanduer 1990 në Rmaj, edhe unë me djelmët e Jubanit me 11 nanduer, në krye të javës, thaçë Meshë e Parë në Juban ku muer pjesë krejtë

Jubani i madh e i vogël me knaqsi e lot gzimi, ndërsa policia patrullonte rrugës së madhe. U kishim çue fjalë se atje te Kisha s’do të ndodhi asnji shrregullim, të rrijshin të qetë e s’kishin nevojë me ardhë te Kisha. Ma e kandshmja gja kje se jo vetëm të moshuemt por edhe

fëmijët e vogjël e banë me jehue at shpat mali me tingujt me zanit të vet tingllues sa me i knaqë zemrat e të gjithve, me rruxaren shejtë dhe uratë e lutje të tjera që nuk ishin harrue, mbas sa vjetësh ndalimi tërrebtë të çdo lutje. Që me atë ditë e mbas shërbimi fetar vazhdoi pa ndërpremje aty në Juban edhe në Kishën e Zojës Ruxare të Ganjolles, ku kemi vorresën na Jubani.

Në Juban n’ate kohë ishim dy meshtarë Unë dhe Dom Luigj Kolaj famullitari i Mnelës. Për t’u shënue asht se nuk patëm me ba shumë pagzime, se ishin pagëzue të gjithë prej ndonji plake të zellshme e ma shum prej Fratel Gasper Jubanit. Bekueme të gjitha kunorat e fillueme rëfimet e Kungime në masë. Dom Luigji dhe Fratel Gaspri qëndruen në Juban giatë salvimit e tue kenë në përgjithsi popull besnik shërbyen pa shum frigë. Giatë vjetit 1990 unë

thaçë disa herë Meshën Shejtë në Kullë të Ndoc Rok Jakut derisa u ra në sy kjo punë komunistave të Jubanit dhe dy herësh më banë me u largue andej. E nji herë te Shan Simoni, sidomos mbasi patën arrestue Dedën të birin e Shanit për do letra që kishin shkrue kundra

rregjimit, m’i patën marrë të gjitha orenditë e Meshës Shejtë, si Kelk, patenë e stole etj, që mbas do ditësh m’i kthyen me kërcënimin e arrestimit po të diktoheshem se thom meshë. Tinsë, asht e dijtun se vazhdova tue u ruejtë ma fort se tjera herë. Në fruer 1991 djelmët e Milotit pri prej të riut Mark Ndue Hila e hapën me forcë të veten Kishën e Shën Nikollit në Milot, që kishte kenë kthye në vatër kulture, dhe unë fluturova e fillova shërbimin fetar tue fillue me thanë Meshën Shejtë në Derë të Kishës e populli besimtarë për jashta, mbasi kisha

ishte e papërdorshme tue kenë e ndame me dhoma për mbrenda, me pod në vend të presbiterit etj. Dhe mbasi filluem pastrimin dhe e kthyem në gjendje të përdorshme vazhdova gadi për çdo ditë shërbime fetare sidomos pagzimet e që atje s’kishte pasë kush me i ba përveç ndonji plake të zellshme e guximtare. Nji Meshë me randsi kjo me 24 fruer 1991 kur thaçë Meshën Shejtë te Shën Iza Vorresa e katundit Milot, ku edhe zgodha këshillin e Kishës prej 7 fiseve të Milotit.

Mbasi u pastrue Kisha prej meturinave e murije të mbrendshme, me 17.000 USA nxjerrë prej Propagandës me anë të Nuncit Apostolik Ivan Dias, u rindërtue kjo Kishë me dyer e dritare, pullaz beton armeje te sheshet dhe me nji kumbanare; si asht sod gjithnji në gjendje të mirë. Kshtu e gjetën Meshtarët Barnabitë ardhë në kët vjet 1996.

Kjo Kishë kje përdorë që prej 1967 si pallat kulture, ku baheshin mbledhje të ndryshme, konferenca, edhe gjygje.

Ndër të tjera gjygje kje edhe kur thirrën Motër Pelegrinën dhe u mbluedh të gjitha katundet e Milotit me sa komunista kuadra prej Kruje dhe u përpoqën me e ba t’i binte moh fesë faqe të gjithve. Po Pelegrina e ndihmueme prej Shpirtit Shejt dijti me u shmangë kërcënimeve të tyne tue ruejtë fenë e nderim. Se ishte nji plakë e ngratë as kish s’pat kujdes mjaft ta bajshin me thanë diçka kundra fesë si propogandë ateiste.

Kur unë fillova shërbimin tem fetar në Milot s’u gjet asnji odë për të banue mbrenda. Në qelën e Milotit kishin hy gjashtë familje po prej Milotit. Shërbejshem në Milot e me hangër e me fjetë shkojshem në Laç te Filip Jaku, nip fisi, i imi. As kur u ba nji pallat në Milot, nuk u dha për të strehuemit në qelën e Milotit asnji vend n’atë pallat sikurse ishte premtimi, mbasi kryetari Komunës së Milotit Gjok Gjoka prej Skrajsn strehoi të tjerë e jo ata që më kishin nxanë

qelën mue. Dukej se luejti rushfeti. Në vjetin 1992 shkova për pak pushime n’Itali në qytetin e Breshias i thirrun prej nji Meshtari Italian famullitar në famullinë Beato Palazzolo, Dom Mikelanxhelo Braga. Në kto rrethana Dom Mikeli kishte ndërmjetsue t’i xëvendsohej zemra e smuet në Spitalin e Bergamos njej djali prej Miloti Valentin Tomë Preçit. Ky i kishte tregue se ishem lirue prej burgu unë dhe i thanka sa mirë do t’ishte me e thirrë e me i dhanë nji muej pushim. Dhe me pranimin e Dom Mikelit ai më çoi fjalë dhe unë shkova. I pari bashkfjalim

mes meje e Dom Mikelit kje: Ai: O che brutto vecchiaccio e unë: oh che bel giovanotto dhe kshtu filluam miqsinë. Unë ndeja plot nji muej në shtëpi të tij ku fillova menjëherë me punue për shtyp Jezusin, dhe Kanunin e Skanderbegut ashtu edhe përktheva në shqip jetën e Gjon Palit II ashtu edhe jetën e Shën Françesk Saverit, përkthye ma parë e katekizmin e vogël. Tue më pa se ishem tue punue natë e ditë më mbajti në shtëpi të vet gadi plot një vjetë tue ndërmjetsue ndër bamirsa të m’i botojshin librat e nalt shenuem.

Kur ishem në Breshia me 24 dhetuer 1992 m’erdh emnimi për Ipeshkëv e fjalën e pranimit e muer Don Diego Kauzero që ma vonë edhe ai u ba Kryeipeshkëv në Afrikë. Tue pa Dom Mikeli deshirin e nevojën tonë për meshtarë i muer leje Ipeshkvit të Breshias dhe erdh me mue në dioqez të Shkodrës. Ma vonë ai muer edhe shtetsi shqiptare e kështu jetojmë bashkë tue e pasë edhe sekretarin temin. Më 25 prill 1993 Papa Gjon Pali II erdh në Shkodër ku në Kathedrale shuguroi katër ipeshkvij të ri për Shkodrën Frano Illia, për Durrës-Tiranë Rrok Mirdita, për Pult Robert Ashta O.F.M. dhe ipeshkëv ndihmës i Shkodrës Zef Simoni. Ky shugurim ipeshkvnuer për mue kombinoi me 25 prillin e 1968 kur kjeçë dënue me vdekje. Punë për Provaninë Hyjnore, që “ludit in orbe terrarum”.

Me shugurimin tem ipeshkvnuer administrova, me urdhën të Papës, djeçezet e Sapës, Lezhës, e Mirditës. Me shugurimin ipeshkvnuer të Ipeshkvit të ri për Mirditën, kto m’u shkarkuen e mbet vetëm Sapa.

Mbasi Imz. Engjell Masafra don me njohtë e ba sherbim mbrenda vetëm kufijve të Mirditës së coptueme prej regjimeve. Ky veprim i bjen ndesh randë dishirit të popullit të Mirditës dhe fes katolike.

Prandej unë insistova e insistoj që qeshtja të paraqitet në Dikasteret e Papës e ato ta studjojnë mirë ket punë. Mos me e çue zanin kush e din të vërtetën dhe e don, asht faj.

Mos të ndihmohen anmiqët e Mirditës dhe të fesë që ajo ka dhe traditës shekullore, si krahinë e pashkelun e e bashkueme katolike.

Me nji shikim.

Syni më ndalet në nji lebrec me titull: “L’Apparecchio alla morte”. Më ra në dorë ndë ditët e para të jetës seminaristike. Ai librec u ba program i jetës seme.

Sa vlen kjo jetë? Kjo e fton ase e hup amshimin. Njeriu asht krijue prej Zotit. Kët jetë e fitoi Jezu Krishti tue derdhë gjakun e vet për shpëtimin e njerzimitm dhe kët të drejtë ia fali njeriut, që me lirinë e vet ta fitojë ai vetë tue mbajtë urdhnimet e Zotit e me ndihmën e hirit të tij.

Fryti i shpërblimit asht Hiri i Zotit, Hiri shejtnues. Jy hir asht jeta e vërtetë e njeriut. Ky hir humbet vetëm me mkat. Djalli anmiku i njeriut tue e dijtë kët punë përpiqet me të gjitha fuqitë e veta, plot dredhi, se si njeriu ta humbasë kët Hir, ase kët gjendje miqsore me Zotin, tue e prish njerinë me Zotin me anë të thyemjes së ligjës së Tij.

Unë jam rruga e vërteta e jeta. Çka të vinë o njeri me fitue botën mbarë, po e humbe shpirtin tand? Mendo o njeri se pluhën je e pluhun ke me u kthye. Trupi prej toke kthehet në tokë, kurse shpirti i pavdekshëm do të kthejë te Zoti në qiellë.

Zoti e ep HIRIN e mjaftueshëm, i përket njeriut me e shti në dorë e me e ruejtë me lirinë e vet me menden e vullndetin e vet.

Pse e humba e për çka e humba hirin e Zotit? e kshtu lumninë e amshueme në Zotin. Bremje e ndërgjegjes.

Shpirti i rujtun vazhdimisht me HIRIN e Zotit e ban Lumninë e vërtetë në ket jetë e që vazhdon mandej n’amshim, në, përjetsi. Gjithska baj e baj për lumni të Zotit, gjithshka jam e jam vetëm prej Zotit, s’kam kurgja prej vetes seme as për veten teme. Çka t’i baj mirë shoqit ia kam ba Zotit. Ktij i kjoftë lavdi e ndera në jetë e n’amshim.

Seminari i paharrueshëm, fillimi e formimit t’idealeve ma të nalta të krishtena. Jeta toksore vlen sa vlen ai që fitohet në të: amshimi. Ktu formohet njeriu që i giet Zotit e bahet “alter Cristus”. Ktu njeriu e sheh mirë vetveten e çka e zbukuron asht përvujtnia, tue dijtë e ruejtë gjithshka në Zotin. Unë s’kam kurrgja temen, gjithshka kam vetëm prej Zotit. Unë mund të krenohem vetëm për fajet e mkatet e mija që më turpnojnë para Zotit, që më mbajnë me

humbë gjithshka ka fitue Jezu Krishti me gjakun e vet të paçmueshëm. Kush shelbohet vetëm me ndihmën e Zotit e kush dënohet vetëm prej fajeve të veta. Lum kush e mendon kët të vërtetë. I kujtoj e i përshëndes, i bekoj tashti kah fundi i jetës seme Babën, nanën e dy motrat e vogla që vdiqën fort të vogla e unë nuk i njohta. Ata tash më presin atje e luten për mue si janë lutë gjithherë. Ashtu i kujtoj me mall shokët e seminarit dhe të meshtarisë dhe të njohtunit e dashamirt. Kujtoj me nderim të madh njerzit e famullive ku shërbeva e të tjerë që ndesha në jetë. Më kujtohen shum fëtyra e kur kam rasë u çoi të fala e i kujtoj si nji film në takimet me to e gjejë njerz shum të mirë, gjatë jetës seme shum ka ba gadi e i kam përcjellë edhe me lotët e mij e po e përsëris s’kam mbulue njerz të mdhaj, as të vegjël, pa lotët e mijë. Tashti më merr malli për ato vende dhe i bekoj e do t’i bekoj edhe prej jetës tjetër. O jetë e shkurtë. O jetë me vuejtje. Kjosh përndëriti Zotit.

Jeta kenka nji paradite pune, si thotë populli: dhe kjo kaloi fillon tjetra e përjetshmja.

Zotit i kjoftë ndera e lavdi. Amen.

Mbyllja

O Zot, O Jezus-Zot, m’ep hir të veçantë të njoh e të due ty

si don ti që unë të due. Unë due me ta thanë nji fjalë, por vetëm e

vetëm me ndihmën tande: Jam krejtë i yti, mish e shpirt i yti,

për jetë i yti, më ndihmo që të jem i yti në jetë e në amshim.

Sa kenka e vishtir kjo, aq kenka e letë, sa kenka e fortë, aq

kenka e kandshme. Mendja që kupton, o Jezus, s’ka gja të

vishtirë. Davariten të gjitha terrinat. Bahet dritë. Ti je dritë.

Hiri i yt o Jezus e hyjnizon njerinë, e ban ma fort

shpirt se trup, pa pushtim epshesh, larg shpirtit të ndytë.

Shpirti në hir të Zotit kenka dritë, kenka lumni e pushim

i lumnueshëm, për jetë, sikurse Jezusi asht i përjetshëm.

O Jezus, kjo asht lutja e madhe prej anës seme. Pak fjalë.

Ndimen e ke ti. E ke premtue ti e ti e mban fjalën tande.

Pak dit më kanë mbetë, ti e din sa o Zot, por pak randsi ka kjo të

kaloj në Hir tand o Zot e merre ti shpirtin tem.

O Virgjin Mari, Nanë e Zotit dhe nana e jonë

S’ka gja ma të dashtun se nana. Thuej nanë e ke

thanë gjithshka. Prej teje pra due ate që ke ti, Hirin

shejtnues, ashtu si nuk e ke humbë kurr, as un mos ta humbi,

kurr e kurr. E të gëzoj me ty fëtyrën e Zotit e lumninë e tij.

Amen.

Shkodër, 08-IX-97, Frano Illia

Këto shënime autobiografike u botuan pas vdekjes së tij në disa numra në gazetën Albania që mbajnë titujt: “Fati, në rrugën e shpëtimit. Shënime autobiografike, të pabotuara më parë, nga Frano Illia, Ipeshkvi i Shkodrës”, Albania, Viti 5, E enjte 11 nëntor 1999, nr. 266 (1248),

f. 10; “Në tryezën e Enver Hoxhës është një biletë me emrin tënd”. E premte 12 nëntor 1999, nr. 267 (1249) f. 10; “Nuk të kemi arrestuar si prift, por si fajtor kundra popullit!” E premte 19 nëntor 1999, nr. 272 (1254), f. 10;”Gjyq dhe dënim”, E shtunë, 20 nëntor 1999, nr. 273 (1255), f. 10; “Jetë burgu”, E mërkurë 24 nëntor 1999, nr. 276, (1258), f. 10; “Unë

s’kam kurrgja timen”. “Gjithçka e kam vetëm prej Zotit”, e premte 26 nëntor 1999, nr. 278 (1260). f. 9. Të nisura dhe të ndërprera disa herë, këto shënime mbajnë si kohë të përfundimit të tyre, datën 08. IX. 1997./ballikombetar.info/