Ded Gjo Luli, shkru ka letër,
t’parit Shkodrës o ia ka çu,
Se Shqipnia nuk don tjetër,
veç don vedin me e sundu…
— vargje të këngës popullore.

Kur i patën thënë Plakut të Flamurit, Ismail bej Vlorës, i cili e kishte përcjellë Dedë Gjo Lulin vetë deri tek dera,- pse i batë aq nderime këtij katundari malëcor?, ai i qe pergjigjur:

– Dedë Gjo’ Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë.

Dhe ashtu mbeti, deri në çastin e fundit, në moshën 75 vjeçare, kur i organizuan kurthin në Orosh. Ai edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëruan miqtë që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vënd të prijësëve, i doli përpara kapiteni serb, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin: –

paskemi mbarue! Nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me pesë mirditorët,

nuk e lëshoi veten. Trupin e tij e gjetën pas dy javësh dhe e varrosën në kishën e Oroshit.

Për të kuptuar përmasat e figurës së Dedë Gjo’ Lulit, për të prekur simbolin e mburojës kombëtare, mjafton të sjellim për lexuesit vargjet e shkruara më 1913 nga poeti dhe studiuesi Risto Siliqi:

Ah, Qe prap don’ t’na dajnë copa!
Prap mendimi i parë asht ngjallë!
Por ta marrë vesh gjithë Evropa:
Dedë Gjo’ Luli prap asht gjallë!

Falë trimërisë së malësorëve, fqinjët ishin zmbrapsur nga trojet tona përmes pushkëve që mbaheshin në krah. Dedë Gjo’ Luli me djemtë e Hotit e kishin ngritë Flamurin e Skënderbeut, shumë më heret se sa në Vlorë. Madje në fund të marsit – fillim të prillit, ai gatit për ta

shpalos për të dytën herë mbi Deçiç. Palokë Traboini, që më 1911 kishte sjellë tre flamujë prej Vjene; njërin ia kishte dorëzuar Dedë Gjo Lulit, të dytin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit. Në librin “Lufta për çlirim kombëtar” të P. Pepos, kjo ngjarje është përcjellë

me emocion: “Ditën e dielë, më 6 prill 1912 u mblodh popull i madh të kisha e Traboinit, Kol Ded Gjoni me urdhën t’tet, Dedë Gjo’ Lulit, e hapi flamurin kuq e zi. U ba nji rreth i madh njerzish e Kola tha: “Shiqo popull! Nji ky asht flamuri i Shqipnisë, i kuq me shqipe të zezë me dy krena”. Të gjithë ndenjën pa za. Mandej u ba një batare pushkësh e ushtuen malet për rreth. Hare ma të madhe s’ishte pa ndonjëherë ndër Hot…”

Ndersa mësuesi, poeti dhe luftëtari i lirisë, Palok Traboini, çastin e sjelljes së flamurit e ka perjetësuar në vargje:

Tue krisë pushka shpat e n’shpat
Një djalë Hoti vjen prej larg
Pa pikë frymë prej Dalmacisë
Ded Gjo Luli ku e ka nisë
Me pru flamurin e Shqipnisë.

Dedë Gjo’ Luli duket se kishte lind me pushkë, (Jo vetëm pse lindja e djalit u përcoll me batare pushkësh) por prova e parë trimërisë së tij përcaktohet pjesëmarrja në betejen, që u zhvillua në ndihmë të Oso Kukës. Atëherë nuk ishte më shumë se 21 vjeç. Epopeja që shkroi trimi Oso Kuka në Vraninë, i cili pasi luftoi deri në fymën e fundit kundër malazezve, nuk u dorzua i gjallë, por i vuri zjarrin kullës. U shkrumbëzua dhe la pas këngën – epope të trimave,

këngë që mbajti gjallë jo vetem emrin e trimit, por dhe vetë historinë e shkruar përmes vargjesh që rapsodët thurën për trimat. Epopeja që shkroi Oso Kuka, i mëkoi trimat e Dedë Gjo Lulit me më shumë atdhedashuri,- u përcolli në ashtën trimërore malësorëve më shumë

ndjesi vetmohimi për komb e atdhe. Ndër luftëtarët që i kishin ardhë në ndihmë Vraninës, binin në sy shumë hotianë dhe malsorë të Grudës, ndër ta dhe djaloshi 21 vjeçar Dedë Gjo’ Luli. Ajo ditë është quajtur nga bibliografi i tij (P.Doçi) si dita e pagëzimit në zjarrin e luftës. Ishte një sprovë që i dha emer prijësit të ardhshëm të maleve.

Ai lufoi si titan kundër malazezëve dhe emrin do t’ia përmendinin për shumë kohë ndër ato anë. Trimi kishte treguar zotësi, urtësi dhe shkathtësi në luftën ballë për ballë me armikun. Dhe që nga ajo ditë, kur dëgjoheshin lajme lufte, malësorët thërrisnin: hej të lumtë pushka, Dedë Gjo’ Luli! Ku kërciste pushka për “komb” e “Shqipni” në krye ishte ai, trimi i Gjo’ Lulëve.

Në të gjithë malësinë e Shqipërisë së Veriut, Hoti ishte bajrak me emër, bajrak i parë, prandaj ai përfaqësohej në të gjithë kuvendet. Edhe në Lidhjen e Prizrenit, Hoti pati përfaqësuesit e vet, mes tyre ishte dhe prijësi i ardhshëm Dedë Gjo’ Luli, i cili ende nuk ishtë bërë aq i njohur, por pushka i ishte ndjerë. Pjesmarrja e tij ne Kuvendin e Lidhjes, ballafaqimi me patriotet e

medhenj te Rilindjes, te penës dhe pushkës, ishte më shumë se një shkollë për rrugën e vështirë nëpër të cilën do të ecte trimi i maleve, nën hijen e pandashme të pushkës.

Pas Kuvendit ai do të ishte i kudogjendur në mbrojtje të trojeve kombëtare. Vihet në vijën e parë të frontit kundër malazezëve, të cilët kërkonin të zaptonin e shkëpusnin copa nga

trungu i memëdheut. Lufta po e piqte djaloshin e Hotit. Ai ishte jo vetem në krye të luftimeve, por edhe përkrah lëvizjeve diplomatike të kohës. Ishte mes atyre që u kërkonin

konsujve europiane në Shkodër, të respektoheshin të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e të parëve të tyre. Në letrat që malësorët i drejtonin konsujve, e bënin të qartë betimin se asnjë copë tokë nuk do të lëshonin pa luftë. Në letrën që iu çua i ambasadorit të Austrisë, me 1 mars 1880, malësorët shkruanin: “…Të jeni të sigurtë se po të ndodhë kjo

padrejtesi që nuk e besojmë, do të ndodhin medoemos gjana të papëlqyeshme…” Në letër malësorët përcjellin mendimin e tyre se ata ishin të vendosur që të jetonin të patundur në viset e të parëve. Por fuqitë e Mëdha e kishin shitur Shqipërinë. Trojet kishin dalë në ankand.

Me 4 prill një tjetër letër u është drejtuar konsujve në Shkodër. “Na dëshirojmë me jetue e me gëzue lirinë për të cilën jemi kryenaltë; na nuk kishim ndejë pa kundërshtue, cilindo qoftë për ndërrimin e fatit tonë. Prandaj kemi vendose me derdhë pikën e fundit të gjakut tonë

para se me hy në zgjedhën e huej. Ideja kombëtare na bashkon për mbrojtjen e Atdheut tonë…” Por dukej se Evropën nuk e linin këmborët e fqinjëve tanë, që të dëgjonte zilet e shqiptarëve. Pazarllëqet ishin bërë me kohë. Sidoqoftë shqiptarët pushkët i mbanin ngrehur, gishtin në çark.

Deda ishte si gjithmonë në krye të luftëtarëve. Ai dha një kontribut të çmuar për mirëkuptimin e prijësve shqiptarë, mes të cilëve nuk mungonin dhe grindjet. Kronistët kanë shkruar se ai u priu forcave shqiptare, që pritën me pushkë ushtrinë e madhe të Malit të Zi, të cilën e udhëhiqte Vojvoda Mark Milani. Deda në krye të 18 trimave të zgjedhur prej Hotit dhe

Grudës, ishte shkëputur dhe doli përpara tek ura e Rrzhanicës. Këmbë serbi nuk e kaloi urën. Ushtria e Knjazit u kthye mbrapsht, duke mos u mbuluar me lavdinë e fitores së munguar, ndërsa malsorët shkruan një faqe tjetër të ndritur në historint e Shqipërisë. Dedë Gjo’ Luli kishte kaluar me sukses një provë tjetër. Pas thyerjes së Lidhjes, shumë luftëtarë nuk i ulën armët.

Valiu i Shkodrës nuk i ndërpreu përpjekjet e tij për të futur nën sundim me ligjet e Turqisë malësorët. Përveç dëshmive dhe kronikave të përcjella, nga shtypi i kohës, përsëri na vjen në ndihmë Palokë Traboini me poemen “Lufta e maleve”, i cili jep përmasat e figurës shumë popullore, Dedë Gjo Luli:

Kjo malsia kur ndigjoji
Dedë Gjo Lulit fjalë i çoi,
Çoi me e thirrë e me e pyet’

………………………

Dedë Gjo Luli trim dai,
qi s’i lè shoqi n’Malsi
bashkë me fise ban davi:
“Unë i herë, thom sa për veti,
armët e brezit nuk i hjeki…

Dhe kështu ndodhi. Ai mbeti tërë jetën me pushkën krahut. Ashtu siç luftoi pa e njohur kompromisin me pushtuesin turq me 1911, ku ai spikat si një ndër figurat kyç të kryengritjes, po ashtu kishte luftuar dhe kundër malezezëve me 1880-1881. Ai ishte mjeshtër i rrallë i shfrytëzimit të terrenit që e njihte me pëllëmbë dhe asnjëhere nuk u korit përballë armikut.

Në këngët e popullit është gdhëndur si një hero legjendar, që mundi dhe gjeneralin me akademi Shefqet Turgut Pashën, i cili në krye të katër divizioneve, 16 batalione, msyni malet. Gjenerali që qe shprehur se Ballkani ishte i vogël për me provue aftësitë ushtarake, do të ndjehej i poshtëruar nga sfida që i bënë 3500 shqiptarë të armatosur me ca pushkë të vjetra,

të cilët vertetë e humbën në fillim orientimin, se viheshin për herë të parë përballë mitralozëve që përdornin turqit, por shpejt do ta bënin gjeneralin që të kthehej me turp. Të njëjtën sfidë do t’i rezervonin trimat edhe Abdulla Pashës.

E tërë jeta e Dedës dhe familjes së tij është një shembull i papërsëritur atdhetarie. Një familje gati e shuar, por një familje, që kujtohet e nderohet për bëmat në ëmër të Atdheut. Kur do të binte i pari i dëshmor i fisit, Nik Gjelosh Luli, ai që më 6 prill 1911 kishte hedhe për tokë

flamurin me gjysëm hënë, Deda do ta ndjente shtypjen e zermës prej dhimbjës. Por ai nuk do ta jepte veten as kur i dhanë gjëmën e rënies së të birit, Gjergjit, 22 vjeçar. Në betejen e 29 gushtit 1912, kishin rënë shumë luftëtarë. Kur do t’ia jepnin lajmin Dedës, për të mos e lënduar, i thanë:

– Dedë, kanë mbetë 20 hotianë në fushë të luftës.
– Po burrat në luftë do të mbesin, qe përgjegjur ai.
– Po mbeti dhe djali yt, Gjergji.
– Po dhe ai djal nane ishte, qe përgjigjur Deda, duke e gëlltitë dhembjen.

Pas tre vjetësh do të vritej vetë Deda, shtator 1915. Djali tjetër, krahu i djathtë i tij ndër beteja, Kola, do të jepte shpirt tre vjet pas të atit, me 1918, i helmuar. Më 1920, në verilindje të Shkodrës, do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit i djathtë i tij ndër

beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi.

Nga ana e saj Shkodra e nderoi vetmohimin e familjes Gjo’ Luli. Në maj të vitit 1923, me përpjekjet që banë e bija Nareja dhe e reja Nora, (Bashkëshortja e Kolës), u bartën prej Oroshit eshtrat e Dedës dhe prej Vlore ato të Kolës dhe u sollën në Shkodër.

Mitingu i përmortshëm i përcjellë nga i shtypi i kohës ishte i jashtëzakonshëm.

Shkodra nderonte ata që gjakun nuk e kishin sakrifikuar për Atdhe. Në gazetën “Ora e Maleve”, (Viti 1923, nr. 8) përcillen fjalët e Gjok’ Lulit: ”Të falem nderës, moj Shkodër… Por ma tepër të falen nderës edhe gurt e Hotit. Nuk e kam besue se i dini këto punë e pasha këto eshtna që kena përpara edhe sa mashkuj, që të kenë pesëqind shtëpi në Hot kanë me dekë për Shqipni!”

Ndërsa deputetët shkodranë nga Tirana nisen telegramin: “Bashkohemi me evari në nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të Dedë Gjo’ Lulit, tue krye detyrën e mirënjohtësisë ndaj

Fatosit të Pavdekshëm që nga ma të parët ngrehi flamurin e lirisë se Atdheut mbi krepat e përgjakun të Malcisë së Madhe. Si përfaqësues të Shkodrës lutemi na zevëndësoni në ceremoni.” Ceremoninë e përshëndetën edhe shumë shkodranë që jetonin në Tiranë.

Në një telegram të tyre shkruhej: “Ditën kur Shkodra kryen detyrën ndaj Dedë Gjo’ Lulit, që gjithë jetën ja kushtoi atdheut dhe ushqeu në gjak lirinë, zemrat tona rrahin përnjëherë me ato të bashkëqytetaseve tanë të bashkuem në vorrin e nderimit për Fatosin e Malëcisë së

Madhe.” Edhe ky telegram është i botuar në gazetën “Ora e Maleve”.

Ndërkohë në Shkodër qe formuar dhe “Komiteti Dedë Gjo’ Luli”, që do t’i ngrinte një monument këtij patrioti të shquar. Luigj Gurakuqi, i zgjedhur bashkë me Avni Rustemin e Risto Siliqin, anëtar nderi të komitetit, shkruante: “…due të shtoj dy fjalë edhe mbi dy inisiativa të tjera që janë marrë; me i ngritun një monument edhe kreshnikut tonë me famë botërore Skënderbeut e malcorit të madh Dedë Gjo’ Luli…”

Patrioti tjetër i shquar, Avni Rustemi, do të shkruante që nga Roma: “Gëzohem që u muar inisiativa për t’i ngrehur një monument Burrit pa frikë e pa njollë të malësive tona, që kështu të jehojë emri i të ndjerit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni emëruar si pjesëtar nderi.”

Poeti Risto Siliqi do të shkruante fjalë zëmre për luftëtarin e madh: “Sot pa farë dyshimi mund të thuhet se gjeneracioni i jonë i sotshmi e ka kuptue rëndësine e veprave patriotike… që trupat e fatosave martirë të shporuem pa mëshirë me bajonetat e armikut mos të kalben nën dhè bashkë me veprat e tyre. Emni i Dedë Gjo’ Lulit, i cili nuk triumfoi me kombinacione,

por me vepra të gjalla, që e dëshmojne edhe krepat e thepishme të maleve tona, vuloset i gdhëndun në historinë tonë kombëtare” (Ora e Malësisë, nr. 20, viti 1923).

… Dhe emri i tij u gdhënd në histori përjetësisht. Fundi i tij ka mbetur sfidë atyre që i morën jetën. Një rapsod mirditor e ka fiksuar në vargje fundin e kreshnikut të maleve:

Në Bjeshkë t’Oroshit na u derdh zani
Se ç’ban m’ne serbjani.
Si ata trimat i kanë rrethue
Me vargoj na i kanë shtrëngue.
Zana e malit t’jam ankue
Curril gjaku a’ tue shkue.
Mu në Shëshëz burrit t’botës
Pa iu trëmb qerpiku i lotës

Serbi thikën i ngul në krahnuer
Dedë Gjo’ Luli’ burrë malëcuer
S’u përkul as nuk u tut
Por po i thotë këto fjalë açik:
Gjaku em të të shkojë fli
Për me pshtue të ngraten Shqypni…

Jemi në mars, fillimin e kryengritjes së Malësisë së Madhe, e cila çoi në Pavarësinë e Shqipërisë. Përkrah trimave e shumë martirëvë të asaj kryengritjë nderohet dhe emri i prijësit, Ded Gjo’ Luli.

Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” New York Nr.919, 17-20 Mars 2000, fq.10.