Ditë pazari në Shkodrën e vjetër

Erë e fortë qepësh,

zhurmë, rrëmujë, britje:

-Salla hapu!

Fëmijë që blejnë luledielli,

që përtypin fara kungulli.

Gra që bëjnë pazar për 30 qindarka

e ndalen vitrinash t’u’j ba burrat nervoz.

Burra me kapuç të bardhë e një pëllëmbë mustaqe,

që shesin kastraveca të njomë, qepujka,

djathë të bardhë,

të butë, të fortë, me erë, pa erë, me shtrepa…

Të pallura gomerësh,

piktorë amatorë me kavaletat n’anë t’rrugës,

sallata jeshile,

zile biçikletash.

-Avash more burrë, se na shkele…

-N’daç merre, n’daç lene se ka kush e merr…

Vapë, pluhun, sahata kontrabandë.

Pijanecë të mbetun pa pare, që dehen duke provuar rakinë e fshatarëve

e nuk blejnë kurrë një pikë…

-A don me ta shti nji fall…

-Sa po m’i jep me t’i marrë tana bashkë…

Turshi specash, domatesh, lakrash,

speca djegës,

vargje hudhrash, fiq…

-Kapeni, kapeni hajdutin,

më vodhi mistreci,

më vodhi dy shegë devedishe…

-Hajde qebap, qebap çasti…

-Hajde qofte, qofte me mish viçi…

Konkurrencë kush bërtet ma fort,

kush zë vendin më të mirë…

Malësore e re, e bukur, që skuqet,

mbulon fytyrën me shami

-Sa e mban këtë gic?

Vështrime që fshiken përkitaz,

sy që ndjekin fshehurazi,

gjokse që ulen e ngrihen.

-Babë, a dona me ardh prap të dilen tjetër?

-…

-Shpirt…

-Shhttt… budall se të vrau baba.

-U dogja…

-Pi uj kronit…

-Pse ma nguc motrën, he ta… nanen!

-Ndajini, ndajini more se u vranë…

Pika loti që lagin tokën e zhuritur poshtë,

pika loti që djegin prush…

Pastaj përsëri të pallura gomerësh,

erë e fortë qepësh,

zhurmë, rrëmujë, britje, vapë, pluhur,

ditë vere…

Ditë pazari në qytetin tim të vjetër.

Shkodër.

*

/Nga Ismet Drishti/

/Botuar në vitin 2011 në gazetën javore “Game Over”/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...