Më shumë se dy javë të rrethuar nga uji. Banorët e Obotit, të njësisë Ana e Malit në Shkodër lëvizin vetem me varka e gomone.
Dëmet janë të mëdha, po ashtu jeta “e re” është bërë tejet e vështirë.

Një oficer i ushtrise tregon: “Kemi afruar shërbimet tona për të bërë të mundur kalimin banorëve nga fshati Obot për në rrugën kryesore të Muriqanit që lidh me Shkodrën, lëvizja është bërë me varka kur niveli i ujit ka qenë më i paktë me mjete të ushtrisë”.

Urgjente është furnizimi me ushqim për bagëtitë. 10 tonë koncentrant u dërguan këtë të enjte në Oblikë. Prefekti i Shkodrës Çesk Millja ndërkohë sapo i njoftonte fshatarët.

Ca varka gjysmë të shkatërruara që duhet të kenë mbetur nga përmbytjet e viteve të shkuara, shërbejnë për lëvizjen e tyre. Në secilën shtëpi ka një të tillë përballë.

Me çfarë erdhët?

“Me varka, keq, po flasim boll, po nuk po na dëgjon kush, dëmet janë të pallogaritshme”.

“Ishalla na japin do shpërblime”.

Në Nënshkodër janë përmbytur 2620 hektar tokë bujqësore, pjesë më e madhe me të mbjella të stinës. Niveli i ujit në Anën e Malit po vjen në rritje dhe pse pritej përmirësim.

Simon Shkreli-ABC NEWS