Gënjeshtra që ngjall urrejtje

Nga Marin Mema

Kryemurgesha serbe, ”Nënë” Makarija, udhëheqëse e manastirit të Sokolicës që gjendet afër fshatit Boletin dhe kullës së heroit Isa Boletini, paska thënë, siç raportojnë mjaft

media, se shqiptarët s’kanë objekte kulti (monument kulture) për të mbrojtur në UNESCO, pasi sipas saj ne nuk kemi trashëgimi të tillë.

Por nëse ne nuk kemi trashëgimi, të kujt janë tempujt e lashtë paganë që gjenden kudo në territoret shqiptare (si Sofra e Zotit mbi fshatin Vranisht, që daton mes 4 e 9 mijë vjet më parë) apo kishat paleokristiane që datojnë disa shekuj para se të ndodhnin dyndjet sllave?

A ia ka thënë vallë dikush kryemurgeshës se nga dyndjet barbaro – sllave, të parët që pranuan konvertimin në ritin bizantin të kishës së lindjes ishin bullgarët? Edhe pse kishin rënë më parë në kontakt me krishtërimin, aktin zyrtar ata e bënë pikërisht në territoret e Arbërisë.

Kjo ndodhi vetëm në vitin 866, kur mbreti bullgar Boris u pagëzua dhe u bë Mihal (ky element historik pranohet zyrtarisht edhe nga shteti bullgar).

Pra, kur ndodhnin dyndjet sllave, vendasit iliro – arbërorë kishin disa shekuj që e njihnin dhe forconin strukturën e tyre, jo më kot mjaft historianë e studiues e datojnë krishtërimin në Iliri që në periudhën Apostolike.

Viti 1303 sjell dëshmi dokumentare të shumta të objekteve të kultit katolik në territoret e Kosovës si ato në Graçanicë, Trepçë, në Janjevë e me radhë deri Prizren.

Një tjetër fakt i qartë është ai i shekullit të 14-të, më saktësisht në 1354-m, kur Stefan Dushani, përmes një letre i premton Papa Inoçentit VI se do t’u kthejë shqiptarëve kishat dhe manastiret e uzurpuara.

Janë të shumta letërkëmbimet ku vetë krerët e Vatikanit i kërkojnë Stefan Dushanit lirimin e tyre apo heqjen dorë nga dhuna masive ndaj katolikëve. Nga krahu tjetër mjafton t’u referohesh regjistrave të kohës, të cilët përreth këtyre manastireve e kishave, para pushtimit sllav e më pas atij osman, sjellin emra qartësisht arbërorë të besimit katolik, por edhe atij ortodoks.

Për më shumë, sekush mund t’u referohet edhe regjistrave të mëpasshëm, siç është ai i vitit 1485, i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Ja p.sh. se si Igumeni Serafim Ristiç, përmes një vepre të botuar në vitin 1864 në Beograd, zbulon të vërtetën historike që ruhej edhe përmes lutjeve të murgeshave të manastirit të Deçanit.

“O patriarkanë, manastir i lashtë, në trevën e Dardanisë qëndron qysh motit”.

Si ky element ka mjaftueshëm të tjerë që tregojnë identitetin e të gjitha objekteve të kultit në Kosovë e Shqipëri. A nuk janë

shqiptarët që i ruajtën në shekuj këto objekte? A nuk janë sërish ata që festojnë në oborret e tyre, siç tregojnë fotografi të vjetra të Graçanicës, një manastir që daton sipas burimeve që në shekullin VI e që lidhej me Ulpianën e lashtë?

E njëjtë është historia që flet përmes themeleve të vjetra të Patriarkanës së Pejës, të cilat pavarësisht dëmtimeve të skajshme me qëllim për t’i zhdukur janë ende aty.

Për të mos u futur më pas në një analizë të stilit ndërtimor, edhe kjo pjesë një tjetër dëshmi që nuk mund të fshihet nga ndërhyrjet e bëra dikur apo edhe sot.

Përse nuk lejohen gërmimet arkeologjike në të gjitha këto manastire në territorin e Kosovës? Nga çfarë druhen poseduesit e sotëm të tyre? Përse kanë frikë nga e vërteta nëse kanë të drejtë?

E në fund e ç’është më e rëndësishmja, a nuk duhet që një kryemurgeshë të predikojë paqen, qetësinë, bashkëjetesën, bashkëpunimin? Ky është mesazhi që përcjell Zoti, pavarësisht fesë e besimit.

Sigurisht, kush e deformon, keqpërcjell apo keqpërdor fjalën e tij, nuk ka lidhje me besimin, por thjesht e vetëm me politikën e urrejtjes, ndasive e mëkateve që kërkojnë të mbulojnë të vërtetat historike.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...