Dom Lazër Shantoja, martiri shkrimtar e përkthyes në përvjetorin e martirizimit.

Lazër Shantoja lindi në Shkodër më 2 shtator 1892, nga Mikel (i quajtur shkurtimisht Keli) dhe Luçije Shantoja. Te dorëshkrimi Shantojana – Histori e familjes Shantoja D. Lazri shkruan se origjinën familja e tij e ka nga Vjerdha e Vjetër, pranë fshatit Rragam të Shkodrës.

Arsimin fillor e kryer në kolegjin Saverian dhe në Seminarin papnor në Shkodër me profesor Ndre Mjedën e etër të tjerë jezuitë. Rreth viteve 1909-1910 u dallua në përvetësimin e latinishtes, greqishtes dhe italishtes. Ishte shqiptari i parë që njihte me kompetencë gjuhën esperanto në Shqipëri.

Më 1914 vizitoi Vjenën për herë të parë. Studimet e larta teologjike i vazhdoi në Universitetin e Insbruku-ut, ku përvetësoi edhe gjermanishten. Me 29 maj 1915 u shugurua meshtar dhe si famullitar shërbeu në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll, Sheldî nga viti 1917 deri në vitin 1922.

Filloi përkthimet dhe botimet e para u shfaqën te “Lajmtari i zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore”, etj. Botoi “Për natë kazanash”, përmbledhje me lojra, kashë e lasha e proverba.

Në qershor 1919 burgoset nga italianët në Beltojë. Për dy vjet (1922-1924) është sekretar i Arkipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedës. Më 17 prill 1923 takoi në Vjenë, Kancelarin e Austrisë Dr. Joseph Seipel.

Bashkëpunoi me Anton Harapin për “Ora e Maleve”, ku shfaqi aftësitë e tij si shkrimtar i zjarrtë e poet satirik. Dom Lazri ishte bashkëpuntor i parë i tij së bashku me Luigj Gurakuqin.

Pater Antoni, me vonë do të shkruante: «Kur kam nxjerrë gazetën s’kam pasë kênd me më ndihmue posë Dom Lazrit».

Më 20 shkurt 1924 del prej shtypit “Shjor Puci”, një përkthim i Shantojës. maj 1924 dha dorëheqjen prej redaksisë së Orës së Maleve. Pas atentatit të Beqir Valterit takon Ahmet Zogun.

Nga ndërrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipëri, D. Lazri u detyrua ta linte atdheun.

Gjatë shtegtimeve të tij jashtë atdheut, vuajti mjaft. Kjo dëshmohet nga një artikull i botuar në vitin 2016, numri 2 i revistës “Hylli i Dritës” ku jepeshin korrespondencat mes Dom Lazrit dhe Imzot Mjedës. Në to, dalin qartë vuajtjet e Dom Lazrit. Asnjë shtet nuk e pranonte, pasi shteti shqiptar i kishte konfiskuar pasaportën. Lëvizi sa në Itali, Gjermani, Austri e Zvicër, ku më në fund, në skajin më të largët të Zvicrës, në një fshat me më pak se 100 banorë, i cili nuk ekzistonte as në hartë, gjeti strehim në një çelë (shtëpi ku banon prifti) krejt të rrënuar.

I vetmi ngushëllim i tij në këtë ecejake të pafund ishin librat. Në një ndër letrat e tij drejtuar Imzot Mjedës në vitin 1931, ai shkruan: I falem nderës Zotit që më ka ruejt marakun për libra, përndryshe, me mërzi që asht këtu, kisha dal mendsh kah dit…

Në çdo vend ku shkonte, gjëja e parë që bënte ishte të mësonte gjuhën e atij vendi, por dialektet nuk mundte t’i zinte dot. Për këtë i shkruan sërish Imzot Mjedës: … tuj mos ditë dialektet e përçudnume të këtyne kantoneve (katundeve)…

Për të jetuarit me të ka shkuar edhe e ëma, Çilja. Në fshatin zviceran filloi të përkthejë Wilhelm Tell-in e Faust-in. Asokohe në Shqipëri Kumbona e së Dielles, Cirka, Illyria etj. shtypnin pa pushim artikujt e përkthimet e Dom Lazrit.

Në 1936 e përkohshmja LEKA botoi Hermandin e Dorothenë e Goethes, përkthyer prej Dom Lazrit. Më 4 maj 1937 i vdiq në Rumani i vëllai, Kapiten Luigj Shantoja.

Gjendja e re, e krijuar në Shqipëri me 7 prill 1939, i çeli rrugën, si shumë të mërguarve të tjerë edhe D. Lazrit për t’u kthyer rishtas në atdhe.

Në vendlindje iu bë një pritje tepër e ngrohtë. Ai mbajti meshë në kishën kathedrale dhe tha një omeli të paharrueshme për të pranishmit.

Shkodranëve u tha: «Më keni mbytë me gosti». Më 28 shtator 1939 mbajti fjalimin me rasën e dorëzimit të Flamurit të Ri. dhe po në atë vit u vendos bashkë me të ëmën në Tiranë. Ka shumë shpresa te epoka e re në të cilën ka hyrë populli shqiptar.

Më 1941, bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Kortshën etj., qe një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare.

Mbështeti pambarimisht qeverinë e Mustafa Krujës. Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943 u tërhoq prej skenës politik dhe vijoi të merret me përkthime, ndërsa vëzhgonte me dhimbje të madhe luftën vëllavrasëse që kishte filluar në Shqipëri.

Në fundin e vitit 1944 Dom Lazri iku ndër malet e Sheldisë, ku bujti në qelën e Dom Nikollë Gazulli një natë. Në Dedaj ka ndenjur 22 ditë tek i quajturi Mark Tom Prela, e më tej në shtëpinë e Kolë Nuri Sheldisë për 26-27 ditë. I fundit kishte qenë shërbyes në shtëpinë e Shantojës. Do dënohej për “krimin e mikpritjes” 6 ditë para mikut që i kishte mësye konakun.

Në momentin kur erdhën komunistët në pushtet, në janar 1945e arrestuan dhe e torturuan (Oficeri pyetës: Lako Polona e Skënder Hysi, Proçes-verbali datë 27 janar 1945). Kur u kap nga forcat partizane Don Lazri iu tha atyre ndër sy:

“As ma pak e as ma shumë, se ajo që kam dijtë me kohë, se, komunistët janë veç trathtarë!”

Dokumentet për vrasjen e Dom Lazerit ruhen në AQSH në një dosje të fondit të Partisë Komuniste, të vitit 1945 dhe dëshmojnë momentin pas arrestimit, dhënien e dënimit me vdekje, aprovimin dhe njoftimin e ekzekutimit.

Detajet e këtyre dokumenteve duhen marrë si më të saktat e kësaj ngjarjeje, pasi nënshkruhen nga vetë Enver Hoxha, e Spiro Moisiu, të cilët e cilësonin çështjen e ekzekutimit të Dom Lazrit si të një rëndësie të veçantë e janë kujdesur nga afër për çdo detaj të këtij krimi.

Në dokumentin e parë shkruhet:

“1 shkurt 1945

Tepër urgjent.

Mehmet Shehut, Shkodër.

Don Lazër Shantoja dhe Sulçe Begu (Bushati) duhet të dërgohen këtu stop. Çështje e tyre është e lidhur me gjithë punën e tradhëtis dhe çështjen e tyre kuptojmë kështu dhe ashtu duhet ta kuptosh dhe ti.

Gjeneral kolonel Enver Hoxha”

Në dokumentin e dytë shkruhet:

“ 10 shkurt 1945

Korpit 3 Gjykatës Ushtarake Shkodër”

Gjegje shkresës nr.5 d.2 frur 1945. Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Dom Lazër Shantojas dhe Sulçe Beg Bushatit stop. Na lajmoni datën e ekzekutimit.

Enver Hoxha.”

Në dokumentin e tretë shkruhet”

“dt.19 shkurt 1945

Mehmet Shehut

Gjegje telit nr.17. dt.17 shkurt 1945. Personat për internim i nisni këtu. Sulçe begu e Don Lazëri u ekzekutuen.

Gjeneral Spiro Mojsiu”

Dhe situata sigurisht që s’do ishte ndryshe nga ajo që thuhej në telegrame.

Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi:

I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim.”

Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër:

“Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim”.

“Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945.”

Urrejtja e pushtetit komunist ndaj këtij intelektuali që kishte përkthyer Goethe-n dhe Schiller-in e kishte shkruar në revistat më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë (Përparimi, Agimi, Hylli i Dritës, Illyria etj), ishte aq e madhe, sa torturuesit i kishin këputur katër ekstremitetet e trupit.

Kështu Dom Lazri ishte i dëtyruar të tërhiqej zvarrë nëpër qeli me gjunjë e bërryla. Fati i Shantojës i kishte rrënjët e veta në qëndrimin antipërëndimor dhe antikristian të komunistëve dhe në qëndrimin propërendimor të Shantojes, si dhe në besimin e tij te ringjallja e kulturës autoktone të krishterë shqiptare të periudhes para turqve, bindje të cilën ai e shfaqi në veprat dhe poezitë e tij.

Kur nëna e Shantojës shkoi të vizitojë djalin e saj në qeli dhe e pa të vuajë me këmbë e krahë të prerë, iu lut me ngulm rojeve të burgut që t’i tregonin mëshirën e fundit djalit të saj dhe ta vrisnin.

“Vritnje, keni mëshirë për tê e mos e leni me vuejtë ma kështu!” dhe ata e plotësuan këtë kërkesë, ndoshta me dëshirë.

Ekzekutimi ndodhi me 19 shkurt 1945 në Tiranë nga një ushtar, bashkë me Sulçe beg Bushatin. Ish- drejtori i Shoqërisë Letrare “Dante Alighieri” në Tiranë, si dhe ish- anëtari i Institutit Mbretëror për Studime Shqiptare, Dom Lazër Shantoja, u gropos në një varr pa emër afër Tiranës.

Partizanët, pasi e ekzekutuan, thirrën për kryerjen e sharteve të vdekjes Atë Viktor Volajn, i cili ishte edhe njeriu i fundit që pa kufomën e martirit.

Por kjo nuk ështi gjithçka për figurën e dom Lazrit.

Ndoshta, jo të gjithë e njohin përkthimin që Dom Lazër Shantoja i bëri “Faustit” të Gëtes. Me shumë mundësi kjo ndodh për faktin se ai nuk e bëri përkthimin për famë, por për të shpëtuar vetveten nga vdekja e ngadaltë që po përjetonte nga mungesa e gjithçkasë.

E për fat të keq, kur u kthye në Atdhe, duke menduar se do të kishte atë çfarë duhej të kishte, u vra barbarisht nga ato barbarë që si thotë Primo Shllaku “të denjë për të vdekë e të pa- denjë për tu varrosë!”

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...