Biznesi i “Gabit” thyen rekorde për 2017, rritet ndjeshëm numri i njerëzve që blejnë veshjet e dorës së dytë

Biznesi i veshjeve të përdorura, i njohur si “Gabi” ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, duke arritur rekord në 2017-n. Sipas të dhënave të INSTAT, importi i veshjeve të përdorura arriti në rreth 24 milionë euro në vitin 2017, me një rritje prej 11% me bazë vjetore. Në tregun e pakicës, vlera e këtij biznesi është të paktën dyfishi, pra minimumi 50 milionë euro.

Që prej vitit 2012, importet e veshjeve të përdorura janë rritur me ritme dy shifrore. Kjo është e dukshme dhe në numrin e lartë të dyqaneve që janë hapur në kryeqytet, që u shtuan dhe më shumë pas mbylljes së tregjeve masive. Tirana, si asnjë kryeqytet tjetër në Europë, ofron alternativa pa fund të varianteve moderne të “Gabit”, sidomos në lagjet rrotull qendrës.

Rruga e Komunës së Parisit është e mbushur me dyqane të vogla që shesin veshje të përdorura. Sonila, që është në këtë biznes prej dy vitesh, thotë se ai është me leverdi, kërkon një investim minimal për ta nisur, teksa veshjet me shumicë blihen lirë dhe ka fitime të kënaqshme, pasi marzhi i shitjes së produkteve është relativisht i lartë. Edhe klientët “joshen” nga çmimet e lira, apo shansi për të gjetur ndonjë veshje firme. Ajo pohon se tenton të marrë mallra të mirë dhe habit kur tregon se ka kliente edhe punonjëse bankash apo institucionesh të tjera.

Ngadalësimi i rritjes së të ardhurave vitet e fundit është një tjetër arsye që i shtyn blerësit të rendin drejt çmimeve të lira, së bashku me vështirësimin e blerjeve online. “Pas vendosjes së taksave për blerjet online, kam pasur më shumë punë”, pohon Sonila.

Në gusht të vitit 2016, hyri në fuqi një vendim me të cilin blerjet online mbi 22 euro paguajnë TVSH dhe taksë doganore. Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH, 2.4% taksë doganore).

Konkurrencës e Gabit modern e ndiejnë dhe dyqanet që tregtojnë veshje të reja. Ola, që ka një dyqan në rrugën Myslym Shyri pohon se konsumatorët janë gjithnjë në kërkim të çmimeve sa më të lira, duke rendur edhe drejt të përdorurave.

Rritja e kërkesës nga konsumatorët për veshje të përdorura ka bërë që të shtohet numri i operatorëve të vegjël në treg, duke ndikuar në zgjerimin e kërkesës për këto mallra, si dhe në shtrenjtimin e çmimit me shumicë të tyre. Edhe të dhënat e INSTAT konfirmojnë se ka një rritje më të shpejtë të importit të mallrave në vlerë në krahasim me sasinë, duke sjellë një rritje të çmimit për njësi.

Destinacioni kryesor nga vijnë veshjet e përdorura është Italia, me 45% të totalit. Më pas renditet Kina, me 15%, e ndjekur nga Turqia me 14% dhe më pak nga Gjermania, Greqia, Anglia, Franca, Serbia. Veshje të përdorura vijnë dhe deri nga India e Pakistani.

Në rritje janë edhe dyqanet që shesin këpucë të përdorura, por importet e tyre nuk raportohen të veçanta nga INSTAT.

Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.

Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza./ Monitor

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...