Poezi nga Halil Matoshi

Nanë po narth më mbulo, nanë më trego një prrallë më shumë xhezdisje e flori,
m’i jep yjet ose sëpaku hanën nanë,
bamu urë të kaloj mbi re ta zë ylberin,

Dua të ha, jam untë, kam etje,
nanë qitma do ujë, nanë më lajë,
më përkund më fort, thirrma gjumin,

më dëfto një ëndërr të bukur, nanë
kam frikë më merr në gji,

më thurr një triko të re nga leshi, ama bëje të butë pambuk,
një pale qorape dorza një kapuq, ose shthur këtë triko të vjetër ma bëjë një të re,

ma ndaj gjinin boll kam pi, më vish nanë me gunë e babës,
më rrit më shpejt më bëj njeri,

nanë mos shko të dajtë ose merr’m edhe mua, pantollonat mi laj, kepucët mi lustro të shohë me qartë udhët,
nanë mos flej rrëfe, ose sëpaku zbardhma natën, dritë dua më shum në dritare,
hiqe atë perde të mallkuar nanë,

 

kam vapë, më flihet, ma errso ditën, zjarrin ndizma, mi hiq ethet nane…

Mos qaj nëse nuk kthehem ose më mirë të them mos u merzit se…kthehem shpejt…

Shko atje ama atë, eja këtu bëje këtë,
kështu jo ashtu, andej jo këndej,
kurrë su lodh as fjeti kurrë as s’u hidhëru në mua.

Një ditë buzë dritareve të një treni
afër një dritarje që e donte dikur e tashti iu dok e neveritshme sepse më nuk sillte ajër të delirë dhe freski, ajo fjeti oj…

nanë, oj nanë, nanë oj, e thirra deri në qiell, thirrja mu kthye sërish prapsht pasi nuk i përkiste më askujt
dhe e di tërë jetën do më mbes si ofshame oh nanë, e lotova e qava e dënesa, nuk më dëgjoi…
ishte lodh nana nga kërkesat e shumta e monotone që i shtron rritja e një fëmije…

Unë vrapoja nëpër trenin e çmendur,
tentoja ta frenoj sall një çast t’ia hapë
atë dritare të mallkuar që të ngopet frymë nana,

e urrej sëtepërmi atë dritare që s’i pruri boll ajër te delirë,
nana nuk fle, ajo me një fustan të bardh fluturoj nalt…
Nana, e lumja!

PUBLICITET