Nga Lada Banushi

Nëse do të bënim një sondazh se cila qe ngjarja më e komentuar në vend,

me siguri rezultati do ishte i pritshëm: dëborë në Shqipëri.

Sa mire do ishte të binte më shpesh borë, do na kujtonte të telefononim babanë që punon natën, nëse është i mbrojtur.

Nënën nëse e ka ndezur oxhakun, motrën nëse ka temperaturë, kushëririn në Amerikë për ta pyetur po nga ju ç’bëhet, komshiun për të ndarë një moment hareje…

Edhe këtë vit debora ra për të na vënë në provë se kush do bëjë fotografitë më të bukura, statuset më të shpejta në rrjetet sociale, “zhgarravitjet” këmbadorazi për ta ndjerë të ftohtin në palcë, e ekspozimin e muskujve para të gjjthëve.

Nëse edhe ti nuk ke bërë selfie në dëborë por e ke parë thjesht nga dritarja, s’ke shijuar gjë fare-do shprehej një mikesha ime.

Sa mirë që po bie borë, sot të gjithë e kemi një motiv për të mos qenë prezent në punë, shkollë, kopësht, zyrë, shërbim…

Dëbora na shpëtoi sërish nga mungesa në universitet, katra në matematikë,

eseja në letërsi. Imagjinoni sikur të jetonim ne shqiptarët në vendet nordike sa me fat do ishim. Sigurisht nëse “ata” do të kishin të njëjtin koncept si ne për dëborën.

Dëbora ra për të zbardhur të vërtetat që mbart politika, vendimet e lëna pezull të gjykatave, tradhëtite në çift.

Sa të kënaqur ndihen prindërit tanë, kanë një arsye për të thënë atë fjalinë e famshme; Bie bore dhe ti bën dush?

Se kur bie borë nga ne, duhet veç të shijohet.

Rehati totale, pushim total, gallatë totale.. Bora sikur na largoi nga e keqja, nga papunësia, nga hallet, nga emigrimi i rinisë, nga fruthi i fëmijëve, nga balta poshtë pallatit…

Ahh, moj dëbore ti fsheh edhe ato që s’mund të fshihen.

PUBLICITET