Aksidenti i frikshëm i Golemit, ku vdiqën nusja me vjehrrin ka patur dëshmitar okular. Gëzim Sina që punonte në biznesin e tij, pranë vendit të ngjarjes ka treguar se ky ishte aksidenti më i llahtarshëm që ka parë.

Edlira Fisku dhe vjehrri i saj Xhemil Fisku ishin nisur për të shkuar në Berat bashkë me djalin e mitur 8 vjeç. Makina që ecte me 130 km/h i përplasi fatalisht. Më poshtë rrëfimi tronditës i dëshmitarit për gazetën “Panorama”.

Gëzim, ju jeni ndër të parët që keni shkuar në vendin e ngjarjes. E patë se si ndodhi?

Ishte vërtet një ngjarje shumë e rëndë. Aksident shumë i frikshëm. I mori makina përpara dhe i bëri copë të dy. Pashë tmerr me sy. Një skenë në vendin e ngjarjes vërtetë e llahtarshme. Trupat e dy viktimave ishin gjymtuar. Ndërsa fëmija 8-vjeçar qante mbi trupin e nënës së tij. Përplasja ishte shumë e fortë dhe makina i ka ngjeshur trupat në barrierën mbrojtëse metalike, e cila është shumë e mprehtë. Një tmerr i vërtetë. Shkuam që u çuam çarçafë për të mbuluar trupat. Nuk di çfarë të them, aksident më të frikshëm nuk kisha parë në jetën time. Për shkak se kam punën këtu, jam bërë me dhjetëra herë dëshmitar dhe kam asistuar në shumë aksidente, por ky i fundit ishte vërtetë shumë i rëndë.

Kanë ndodhur edhe aksidente të tjera në këtë vend?

Me dhjetëra. Këtu thuajse përditë ndodhin aksidente. Është vetë pozicioni i tillë. Këtu makinat ecin me shumë shpejtësi, nga ana tjetër në rrugën kryesore ka hyrje dhe dalje, pasi është rrethrrotullimi. Ky vend është burim aksidentesh. Nuk ka pak ditë kur u shënua një tjetër aksident i rëndë, por edhe më herët. Po them, mund të kemi asistuar me djalin tim në më shumë se 15 apo 20 aksidente të ndryshme, shumë prej të cilëve fatmirësisht vetëm me disa lëndime të lehta.

Pse ndodhin aksidentet pikërisht në këtë vend?

Këtu ndodhin aksidente për shkak se qytetarë të ndryshëm, të cilët duan të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera të jugut presin për të gjetur furgon ose autobus. Por në fakt, aty nuk ka stacion autobusi.

Qytetarët e kanë nga halli, sepse në këtë zonë është i vetmi vend që ka pak hapësirë për të hapur krahun mjetet e transportit të udhëtarëve. Duhet të merren masa urgjente, pasi njerëzit po humbin jetën përditë.