Radha e Kukësit, 5 hidrocentrale në zonën turistike

David Harvey është profesor i antropologjisë dhe gjeografisë në New York, por ka shkruar shumë libra dhe ese që pikasin për zhvillimin e gjeografisë moderne si një disiplinë, por njëherësh Harvey është autori më i cituar në librat për shkencat humane dhe shoqërore.
Mendimtari britanik është përkrahës i idesë të së drejtës për një qytet dhe kritikon ashpër përqendrimin e qytetërimit në qendër duke rrënuar kështu periferitë.

Pse po përmendim Harvey-n në këtë hyrje kur më poshtë do flasim për Shqipërinë, veçanërisht Kukësin? Sepse shumë, për të mos thënë të gjitha qytetet periferike shqiptare, janë personifikim i teorisë së David Harvey.

Qytetërimi është përqendruar vetëm në qendër (kupto Tiranë) duke iu hequr të drejtën e qytetit banorëve të Kukësit, Bajram Currit, Shkodrës, Bulqizës, Lezhës, Rrëshenit, Shijakut, Peshkopisë, Kavajës, Burrelit, Fushë-Krujës e kështu me radhë deri në skajin jugor të vendit.

Një pyetje me vend këtu është se si iu heqka e drejta për qytet njërit që banon në Bulqizë për shembull? Është e thjeshtë, duke mos investuar në të.

Mos investimi çon në “lodhjen” permanente të banuesve duke ia pamundësuar plotësimin e nevojave dhe kushteve që një qytetar duhet t’i ketë në vendbanimin e tij, e kjo sjell gjithashtu edhe mos hapjen e mundësive të punësimit apo shkollimit, çka e shohim përditë që të rinjtë rreken të emigrojnë brenda vendit, drejt qendrës, dhe jashtë vendit në shtetet ku mundësitë për një jetë të denjë cilësohen “të arta”.

Çfarë ka ndodhur me Bulqizën, qytetin që pasuroi Shqipërinë, por sot banorët e saj s’kanë bukë të hanë? Është uzurpuar nga oligarkë që e kanë rrjepur arin deri në gramin e fundit, kanë mbushur xhepat e tyre dhe nuk kanë investuar asgjë për qytetin.

Për të mbërritur sërish në Kukës, i cili është qyteti fatkeqësisht simbol i vrasjes së rinisë shqiptare. Pushtetarët e qytetit veri-lindor nuk kanë parë përtej interesave të ngushtë personalë, filozofia është e njëjtë: Pasurohen pushtetarët në kurriz të së mirës së përbashkët, populli në të sëmës le të vejë!

Ndoshta shumë pak prej lexuesve janë në dijeni të ekzistencës së Reçiçës, një zonë në komunën e Shishtavecit, Kukës, e cila është shpallur zonë turistike dhe e mbrojtur.

Mirëpo, ashtu si me Valbonën, shteti ka menduar ta shkatërrojë këtë bukuri duke ndërtuar në të 5 hidrocentrale, të cilat do mbledhin ujin në tubacione. Ujin i cili është pasuria më e madhe për vendasit dhe pa ekzistencën e të cilit nuk kanë jetë.

Një nga banorët e Reçiçës ka shkruar për JOQ.al:

Me atë ujë që këta duan të na e marrin për funksionimin e 5 hidrocentraleve që do ndërtohen, ne ujisim livadhet, arat, mbajmë lopë, delet, kuajt, kopshte dhe gjithçka. Nëse na grabisin këtë ujë ne jemi të detyruar të lëmë shtëpitë tona. Valbonën e shkatërruan, tani po me mendojnë të na shkatërrojnë neve. Fotot e mëposhtme janë në vendin ku janë projektuar hidrocentralet. Si mund të shkatërrohet një bukuri e tillë?”

Shkurt, bukur dhe qartë! Nëse dikujt i duket utopi ndërtimi i 5 hidrocentaleve në këtë zonë, mbaj mend që JOQ.al në muajin korrik që lamë pas doli në terren dhe pyeti qytetarët që po shplodheshin në parkun e ish-autobusëve Tiranë nëse ishin në dijeni që aty do ndërtohej një kompleks gjigant pallatesh dhe përgjigja e një qytetari ishte: S’ka mundësi, kurrë s’ka për të ndodhur, ky është park publik. Nëse këtu bëhen pallate unë do bëhem kryeministër një ditë!

Shikojeni sot ish-parkun e autobusëve si është dhe kush është akoma kryeministër…

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...