Isa Boletini është një nga luftëtarët e paepur të periudhës së Pavarësisë. Historia ka dhënë plot vlerësime për figurën e tij.

Por disa herë, patrioti i njohur shqiptar, është akuzuar për bashkëpunim me serbët apo malazezët. Është akuzuar edhe për organizmin e luftrave kundër perandorisë osmane, për interesat sllave.

Një version i tillë nuk bazohet në fakte bindëse. Kryeministri serb Millan Millovanoviç, kishte dërguar kolonelin Bozhin Simiç dhe priftin Andjelka nga Mitrovica e Kosovës, si edhe Ognjan Radenkoviçi për të biseduar me Isa Boletinin lidhur me revolucionin kundër ushtrisë osmane.

“Para se të arrinin emisarët tanë serbë te Isai, – shkruante në librin e tij Joseph Sëire, – kishin shkuar të dërguarit e mbretit Nikolla të Malit të Zi për t’iu lutur, që të mos punonte për Serbinë. Por Isai u kishte thënë:

Po ua them në mirëbesim dhe thuajani atij që i duhet. Por kërkoj, që kjo bisedë të mos dalë në gazeta, sepse ”unë kam ngrënë bukë në shtëpinë e mbretit Nikolla”.

Sipas Edith Durham, nga ky pohim kuptohet që Serbia dhe Mali i Zi luftonin të kishin ndikimin e tyre në radhët e patriotëve shqiptarë.

Isai në disa raste u kishte besuar premtimeve serbe. Për Durham, mbrojtja e pakicës serbe në Kosovë prej Boletinit ka qënë gabim. Si shpërblim i mirësisë së Boletinëve, më vonë ato toka do të pretendoheshin si serbe. “Në qoftë se ai do të kishte zbatuar sistemin e Turqve të Rinj, të dëbimit dhe asgjësimit të tyre nga ato toka, tani do t’i përkisnin Shqipërisë”, – shprehej Durham.

Gjatë gushtit të vitit 1912 mësojmë, se truproja e Boletinit përfshinte edhe serbë. “Netëve, ai ruhej nga dy serbë në derën e jashtme, dy në të dytën dhe dhjetë shqiptarë myslimanë brenda. Ky fakt provon që pakica serbe ishte në marrëdhënie të shkëlqyera me udhëheqësit kryengritës. Këta të fundit ushtronin një disiplinë të rreptë mes njerëzve të tyre. Idriz Seferi “kishte vrarë disa prej pasusesve të tij, për grabitje të shtëpive serbe”.

Natyrisht, të gjitha këto shënime nuk duhen parë të shkëputura nga konteksti i kohës. Të bashkëpunoje me serbët kundër pushtuesit të përbashkët, nuk ishte mëkat. Është e vërtetë që të parët e Isës mbanin disa bujq serb për punimin e tokave. Në shekullin e XVIII, Boletinasit u kishin falur bujqëve serb një sasi toke për të ngritur një manastir ku të faleshin.

Të njëjtën gjë kanë bërë dhe bejlerët e Gjirokastrës e Delvinës me bujqit grekë. Shkaku nuk dihet saktë. Ishte përunjësia dhe pagesa e ulët ndaj bujqëve të ardhur si emigrantë apo kryeneçësia shqiptare, për të mos punuar në çifligun beut të tyre. Mbase ka ndikuar dhe virtyti shqiptar, për të respektuar tej çdo kufiri jabanxhinë, njeriun e dobët, atë që për momentin ndodhej në hall. Kjo tolerancë njerëzore duket se është shfrytëzuar prej tyre. Pas vitit 1950, manastiri në fjalë do të zgjerohej dhe do të rrethonte dhjetëra dynym tokë të Boletinëve, duke i lënë kullës së tyre pak vend të lirë. Jo vetëm kaq, por serbët nuk lejuan as eshtrat e Isa Boletinit të rivarroseshin në vendlindjen e vetë, duke e pretenduar si tokë të tyre.

Nuk përjashtohen dhe rastet, kur në momente të caktuara, patriotët shqiptarë të mos jenë orientuar si duhet.

Por në fakt, historia e jetës dhe veprës së Isa Boletinit, është historia e një patrioti legjendar, që me sakrificat e tij hodhi një gur të madh në themelet e shtetit të pavarur shqiptar. Ishte pikërisht qëndrimi patriotik i Boletinit dhe mijëra burrave të tjerë që mundësuan mbijetesën e popullit shqiptar. Patrioti përmetar Kamber Bënja do të shkruante se nuk më hiqet nga mendja sa të jetë jeta, klithma e Isë Boletinit, kur mësoi lajmin e zi, se fuqitë e copëtuan Shqipërinë, e ndanë në copa. Eglantina f. 82-83 Ndërsa Miss Durham ishte e mendimit, se nuk mund të gjendet racë tjetër në botë, që të ketë luftuar më shumë se shqiptarët. Për shkak të vitalitetit të madh të këtij populli, “asnjë racë e huaj nuk ka mundur të asimilojë gjuhën dhe zakonet kombëtare të tyre”.

Mbi Isa Boletinin serbët përpiqeshin të hidhnin baltë herë pas here. Madje në dhjetëditëshin e dytë të nëntorit 1912, për të ngjallur panik në radhët e luftëtarëve, do të përhapej lajmi se ai ishte vrarë. Thuhej se gjenerali serb Zhivkoviç e kishte urdhruar të udhëhiqte sulmin ndaj ushtrisë turke. Por Isa i kishte thënë, që në vijën e parë duhej të rrinin serbët dhe jo shqiptarët. Në sherr e sipër, Zhivkoviç e kishte vrarë duke e akuzuar si tradhëtarë. Në të vërtetë, Isai ishte gjallë dhe po udhëtonte drejt Vlorës.

Eshtrat e Isa Boletinit, një telenovelë e frikshme…

…në një Ballkan paradoksal, si para 100 vjetësh, kur Isa ishte gjallë!…

Në 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, njeriu që shkoi në Vlorë nga Kosova, shoqëruar nga qindra luftëtarë trima, për t’u bërë pjesë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, vazhdon t’i ketë eshtrat në një thes të vjetër, që ruhej në një nga xhamitë e qytetit të Mitrovicës. Edhe nipi i tij 83-vjeçar që mban emrin e gjyshit të vet, është gati të ulëras, kur kujton që eshtrat e heroit, prej shumë vitesh, nuk kanë gëzuar as respektin më minimal, për një luftëtar të shquar të Shqipërisë, pra nuk kanë as varr ku të prehen. Nuk ka varr për atë, emri i të cilit lidhet ngushtë me kryengritjet e mëdha shqiptare kundër pushtimit turk, në vitet 1908-1912.

Besnik ndaj Ismail Qemalit, vetëm një ditë pas Shpalljes së Pavarësisë, Isa Boletini hyri triumfator në qytetin e Vlorës, bashkë me 105 djemë të armatosur kosovarë. Më shumë se forca e tyre, vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur, se Ismail Qemalin e ruante Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptarë gjakprishur që ishin kundër pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin plakun e Vlorës, të paktën fizikisht, pasi në bisedat e shumta me Ismail Qemalin, Isai kishte dhënë besën se jeta e tij dhe e luftëtarëve që drejtonte, do ishin për Shqipërinë e lirë. Dhe në fakt, nuk e shkeli kurrë besën e dhënë. Ai nuk dorëzohej, nuk përulej para askujt, prandaj që në moshën 54-vjeçare, fitoi të drejtë të quhej “bac”, një titull që nuk meritohej lehtë në ato kohë.

Tashmë është e ditur se Isa Boletini u vra në Malin e Zi, në janar të vitit 1916, prej xhandarëve malazezë. Kishte hamëndësime se trupat qenë varrosur në Pobrezhje, afër Podgoricës. Aty qëndruan deri më 1998, ndonëse përpjekje për t’i tërhequr ato ka patur edhe në vitin 1994. Pas rreth 9 dekadash u mundësua gjetja e eshtrave të varrosura në atë pikë dhe 8 komplete mbetjesh kockore iu nënshtruan analizave, prej të cilave rezultoi se një palë i përkitnin Isa Boletinit.

Duhej të ngrihej droni në Beograd me portretin e Boletinit, që të zgjonte ndërgjegjen e pushtetarëve dhe të merrej një vendim, sipas të cilit, rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini të bëhet më 10 qershor, Ditën e Lidhjes së Parë të Prizrenit. Por rivarrimi i eshtrave të luftëtarit të shquar Isa Boletini ka sjellë probleme, duke u kthyer në një telenovelë të frikshme. Serbët që kanë “pushtuar” Mitrovicën nuk e lejojnë të varroset në Boletin, në vendlindjen e tij. U fol se eshtrat e tij do të përcilleshin me ceremoni të madhe, se mbetjet mortore do të shëtisin nëpër trojet shqiptare etj.

Fillimisht u mendua që eshtrat e tij të niseshin nga Vlora, të kalonin në Prizren, dhe më tej te stadiumi olimpik i Mitrovicës. Janë bërë takime me ministra kulture e kryeministra, u tha se rivarrimi do të bëhej me rastin e 18 nëntorit të vitit 2014, por asgjë.

Ka rreth dy vjet që flitet se do të varroset në Mitrovicë, të tjerë thonë se nderi do t’i bëhet në Prishtinë, por marrëzirat janë të pafund. Politikanë të cekët në gjykim, me njohuri të pakta historike, të përulur para presionit të huaj, nga të dy anët, Kosovë e Shqipëri, kërkojnë t’i shpien eshtrat në Vlorë. Madje një gjë të tillë edhe e vendosën. Po ç’punë kanë eshtrat e Isës në Vlorë? Përse duhet t’i privohet vendlindja, Mitrovica, e cila është tërësisht shqiptare? Nëse serbët janë treguar agresiv dhe kanë përvetësuar tokën e Boletinëve dhe përparojnë drejt Mitrovicës e më gjerë, mos do të thotë kjo që ne vetëm të miratojmë ekspansionin e tyre dhe të tërhiqemi e të tërhiqemi pafundësisht? Përse politikanët shqiptarë nuk pyesin historianët për mënyrën si duhet vepruar në raste të tilla? Duke e larguar nga Mitrovica e Kosova, mos edhe ne miratojnë teorinë serbe, sipas së cilës Kosova është Serbi? Të paktën vet shqiptarët nuk duhet të punojnë për t’u tkurrur brenda Shqipërisë Londineze.

Personazh historik i të paktën katër vendeve të Ballkanit

isa1

Fotografia e fundit e Isa Boletinit

Në rrëmujën ballkanike të para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, kur vendet e rajonit ishin shumë larg mirëkuptimit edhe për gjërat më të thjeshta, Isa Boletini ishte personzhi që ka hyrë në historinë e të paktën katër vendeve ballkanike, Shqipërisë, Turqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, si dhe i disa periudhave historike, gjat dhe pas sundimit osman. Por ai ka hyrë edhe në historinë e kancelarive perëndimore, ku e çoi puna, si një figurë simpatike dhe kurioze. Janë të shumtë shkrimet e shtypit perëndimor të kohës që karizmën e tij tipike malësore shqiptare, zgjuarësinë dhe intelektin natyror të tij, ta përshkruajnë me ngyrat më të gjalla, me dashuri dhe admirim të papërmbajtur.

Arma që qëlloi mbi Boletinin, endé në duart e vrasësit

Ushtari që e vrau Isa Boletinin i mori koburen si trofe dhe ajo qëndron akoma në familjen e Gjillasve si shenjë triumfi. Djali i atij që e vrau Isa Boletinin, Millovan Gjillas, u bë njëri nga udhëheqësit e Jugosllavisë komuniste, shok i ngushtë i Josip Broz Titos dhe më vonë edhe kundërshtar politik i tij. Millovan Gjillasi, pra, mburrej me krenari se babai i tij e ka vrarë nacionalistin shqiptar Isa Boletini. Në Mal të Zi është një traditë që kur familja e të vrarit dhe vrasësit pajtohen, vrasësi i kthen familjes së të vrarit armën e grabitur. Ndoshta është rasti që Mali i Zi t’u dorëzojë autoriteteve kosovare koburen e Isa Boletinit. Ky ndoshta do të jetë një akt pajtimi mes Kosovës e Malit të Zi, të cilët tashmë s’kanë asgjë që i ndan.

Para kullës së Boletinëve

Para kullës së Boletinëve në fshatin Boletin, çdo historian apo shkrimtar nuk ka se si të mos emocionohet. Jo vetëm nga madhështia e kësaj fortese, e cila mban brenda një pjesë të krenarisë së historisë së Mitrovicës, Kosovës dhe kombit shqiptar. Sidomos kur mëson historinë e dhimbshme të saj. Ajo është djegur dhe është rindërtuar gjashtë herë. Herën e parë, kulla ishte djegur nga forcat osmane në vitin 1750. Fakti që ajo është djegur kaq herë tregon, se kulla e Boletinëve ishte kështjellë shpirtërore për rezistencën e shqiptarëve. Ndërsa rindërtimi i saj, po aq herë sa dhe është djegur, tregon se ajo përbënte një domosdoshmëri mbijetese për frymëzimin e qëndresës patriotike. Kjo kullë është disi e veçuar nga të tjerat. Gjendet në pikën më të lartë të një kodre. Ajo mbizotëron të gjithë arealin e gjerë të fshatit Boletin, pjesë e Shalës së Bajgorës në veri të Mitrovicës, në lartësinë 1100 metra nga niveli i detit. Siç shkruan Flamur Doli, në krahun e poshtëm dhe atë anësor, ajo rrethohet me mur të gjerë, i cili ishte i pajisur me frëngji në formë koni të cunguar. Ndërsa në pjesën e sipërme nuk ka mur, pasi kulla është ndërtuar buzë një shkëmbi mjaft të thepisur, prej nga ishte e vështirë të ngjitej armiku. Edhe në ditët e sotme kjo kullë është mjaft e ruajtur, ndonëse të krijon përshtypjen e një rikonstruksioni të lënë në mes. Sipas studiuesit Flamur Doli, arkitektura e saj ngjason me stilin e tipit të kullave shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit. Muret e jashëtm janë në formë prizmatike dhe me bazë katrore. Ato dallojnë nga kullat e tjera të Rrafshit të Dukagjinit, sepse nuk kanë pullaze katër – ujore piramidale, por pullaze treujorë dhe përbëjnë një rast unik për shkak të pozicionit strategjik, disi të veçuar. Ndërsa në strukturën konstruktive të murit të gurëve, pikërisht në blloqet e mëdha, ishin gdhendur frëngjitë rrethore. Të gjitha këto tregonin, që ndërtimi i kullës në rrethana të caktuara historike nuk kishte si orientim vetëm banimin por edhe mbrojtjen e saj nga sulmet e mundshme. Kulla kishte fushëpamje të gjerë dhe në një farë mënyre, për shkak të zhvillimeve historike, ajo ishte kthyer në një kala të qëndresës shqiptare.

Si u vra Isa
Sipas rrëfimeve të një të afërmi të Isa Boletinit, të pasqyruara në librin e Skënder Luarasit “Isa Boletini”, botim i vitit 1971, në 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën dhe Boletini kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve. Francezët ofrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në një vend neutral. Boletini dhe njerëzit e tij mbërrijnë në Cetinë dhe më tej bëjnë një vizitë në ambasadën franceze, ku u tregohet një telegram i paraqitur si urdhër i ministrit të Jashtëm francez për t’i nxjerrë në një vend neutral. Rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, sipas librit të Skënder Luarasit: “Rreth 80 xhandarë ishin në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa). Patrulla në krye të urës na ndali. Xhandarët pyesin: Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës. Një oficer u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar. Brenda disa minutave, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi”.

Koburja në Londër, histori reale

Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar e përfaqsues i Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër. Historiani Edwin Jacques tregon një detaj interesant për Isa Boletinin: “Sa hyri në godinën e Ministrisë së Jashtme britanike, polici i sigurisë i kërkoj të hiqte revolen nga brezi dhe t’a linte në vendin e posaçëm ngaqë duhet të hynte i paarmatosur. Ai e dorëzoi pa u ankuar. Gjatë takimit, ministri i Jashtëm, Sir Edward Grey, e shoqëroi Boletinin drejt vendit për të rimarrë revolen e tij. Ministri qeshi: “Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletinin, që as Mahmut Shefqet Pasha s’mund t’a çarmatoste, sapo u çarmatos në Londër:!. Boletini ia ktheu me një përqeshje të butë, “Jo, jo, as në Londër”! Dhe nxori nga prapa një revole të dytë.

/gazetadita.al/