Vëzhgim/ A është Thethi kaq i magjishëm…?

Nga Riviera Dedaj-

Është shkruar kaq shumë për Thethin nga shqiptarë dhe të huaj sa të duket sikur nuk ke më çfarë të thuash. Por në fakt, ndjesitë e mia kur vizitova këtë vend nuk mund të rri pa i shkruar. Dhe tani më vijnë në mendje gjithë ato që kisha dëgjuar apo lexuar përpara se të mbërrija në Qafë Thore dhe më pas të zbrisja drejt vendit që mezi kisha pritur ta shihja….

Nga Kopliku deri në Qafë Thore gjithçka të shfaqet para syve është e këndshme, fshatra të sistemuar, kryesisht me shtëpi të mira dykatëshe, njerëz që sheh anash rrugës me bagëti apo punë të tjera të fshatit.

Nga Tirana deri në Qafë Thore është afërsisht 3 orë. Rruga është e asfaltuar edhe pse pak e ngushtë. Nga dritarja ndjen aromën e bimëve mjekësore që kultivohen në zonën e Malësisë së Madhe. Kur ke mbërritur në majën e Qafë Thores të duket se aty është fundi. Nuk ka asgjë më tutje…

Në horizont të shfaqen majat e larta të bjeshkëve dhe poshtë veçse humnera. Aty lëmë makinat private dhe marrim një furgon të linjës që do të na zbresë në Theth. Aty fillon edhe ankthi.

Një rrugë tejet e vështirë alpine, njëkalimshe dhe aspak e mirmbajtur. Të jetë për të huajt që s’kanë parë kështu shtigjesh sigurisht që mund të jetë ekzotike, por për ne shqiptarët që na janë shembur brinjët në rrugët me gropa nuk është aspak….

Nga Qafë Thorja për të zbritur në Theth është plot 1 orë edhe pse janë veç 30 km rrugë. Duhet theksuar se ajo përshkohet vetëm nga makinat e larta dhe nga drejtues mjetesh që njohin terrenin e vështirë malor.

Kur zbret në fshat mund të marrësh frymë lirisht. Pas gjithë atij mali që ke zbritur ja ku je në mes të fushës. Një fshat krejtësisht i rrafshët i rrethuar nga malet e larta. Përpara të shfaqen shtëpitë prej guri, kryeshisht dykatëshe. Një pjesë e mirë e tyre janë në rikonstrukusion, ç’ka do të thotë se vendasit po zhvillohen dhe po zgjerojnë aktivitetin.

Në vilën Gjeçaj, aty ku ne u akomoduam kishte shumë turistë, kryesisht të huaj. Nga ato që nuk shkojnë në Theth vetëm për të soditur por për tu ngjitur apleve me orë të tëra. Sigurisht krejt ndryshe nga shqiptarët, me të gjitha veshjet dhe mjetet e përshtatshme për sporte në mal. Pjesa më e madhe e tyre janë të rinj.

Nga qendra e fshatit nisemi drejt bjeshkëve. Sërish një shteg shumë shumë i vështirë, shkëmbor, i pa mirëmbajtur, i ngushtë. Në Theth dallon lehtësisht se gjithçka bëhet nga privati. Nga banorët që janë ndihmuar me fonde edhe nga fonacione të huaja, por kurrsesi nuk shihet dora e shtetit për një vend të formësuar tashmë për turizëm malor. Pas 45 minutash kemi mbërritur tek lumi i Thethit, një atraksion i bukur natyror që vendasit ia kanë vënë emrin “vaskat”. Biznese të vogla aty të ofrojnë pije, por në fakt pija më e mirë është uji i pastër dhe i ftohtë që rrjedh nga bjeshkët.

Vaskat (shih fotot) shfrytëzohen më se miri për plazh. Thuajse të gjithë ata që kanë zgjedhur të vizitojnë Thethin në muajin e nxehtë të korrikut nuk rrinë pa e provuar freskinë e këtij lumi që rrjedh i pastër me një ngjyrë mes të kaltres dhe të gjebërtes. Më tej, për ata më të apasionuarit është atraksioni i radhës “syri i kaltër”.

Sigurisht syrin e kaltër mund ta shohësh pasi je ngjitur malit përreth 1 orë e gjysëm. Është vertet një pamje mbreslënëse. Uji gurgullon i kaltër siç i kanë vendosur edhe emrin dhe shumë i ftohtë. Aty pakkush ka guxim të zhytet.

Një vend tjetër që mund të vizitohet në Theth është ujvara. Siç shihet edhe në këto foto, në një fundjavë vere janë të shumtë ata që janë ndalur për të parë këtë mrekulli të natyrës në Theth. Në fakt edhe pse gjendemi në majë të bjeshkëve vetëm uji mund të të freskojë pasi temperaturat janë shumë të larta edhe këtu, dielli është pervelues në mesditë.

Ndërtesat janë një bukuri në vete, sidomos ato që janë ruajtur të paprekura, pasi fare mirë gjen gjurmët e traditës. E tillë është kulla e ngujimit. Edhe pse duhet të ishte një monument kulture dhe të menaxhohej nga shteti, i është lënë në dorë trashigimtarit, Sokol Koçeku i cili është edhe cicëron dhe tregon për gjakmarrjen në veri, e më gjerë. Sigurisht që pasardhësi i Koçekëve e shfrytëzon këtë trashëgimi për biznes gjatë muajve të verës. Gjithashtu kisha në qendër të fshatit është vendi që mbledh gjithë turistët në orët e mbrëmjes.

Por pjesë e rëndësishme e turizmit është hoteleria? Dhe mund ta themi pikërisht kështu “hoteleri” pasi ato bujtinat e dikurshme që shtrohej sofra për miqtë dhe gjeje vetëm ushqime tradicioanle nuk janë më. Ose të paktën, unë nuk i pashë.

Shtëpitë janë zgjeruar dhe bërë me shumë dhoma. Ushqimi është gershetuar mes traditës dhe kohës së sotme. Sa i përket çmimeve? Ato janë të kripura….nëse flasim sigurisht për një familje shqiptare me të ardhura mesatare. Një vakt shkon nga 10-15 mijë lekë (të vjetra) personi. Ndërsa dhomat nga 25 mijë deri në 45 mijë lekë/ nata. Biznesmenëve të zonës tani u pëlqen në fakt të flasin me euro pasi gjysma apo le të themi më shumë se gjysma e turistëve janë të huaj. Nuk gjen sigurisht në në asnjë prej bizneseve asnjë kupon tatimor, një arsye më shumë për të kuptuar se shteti në Theth ende s’ka hyrë. Nuk ka çuar investime, por as nuk u mbledh taksa.

Unë do të shkoj sërish në Theth.

Por, para se të shkoj sërish do të dëshiroja shumë të kenë ndryshuar disa gjëra: Rruga e Thethit të shtrohet, qoftë dhe me çakull, tabelat orientuese (shenja dalluese) të jenë vendosur, një ciceron profesionist do ta doja të më shpjegonte historinë e zonës. Pse jo dhe shërbime dhe çmime të unifikuara.

Më poshtë gjeni një galeri me foto nga bukuritë natyrore të Thethit që flasin më shumë se fjalët

 

 

 

 

 

 

 

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...