Kuzhina shqiptare po lë pa fjalë edhe zviceranët. Atë e gjen të hapur për drekë dhe darkë gjatë gjithë vitit. Ky është restoranti që të ofron kuzhinë me ushqime tradicionale shqiptare dhe zvicerane të gatuara në mënyrë të përkryer nga kuzhinierët në “Feedy’s” në Regensdorf.

Aty punon një ekip profesional në kuzhinë, duke përfshirë dhe shërbimin, do të ju garantojë një përvojë unike të ngrënies, thotë pronari i ri, Fidan Cikaj, me rrënjë nga Hasi i Kosovës.

Restoranti ka marë emrin “Feedy’s” ngase kështu dëshironte Fidani. Ky në fakt është psedonimi i tij dhe njëherësh ëndrra që ai e bëri realitet në moshën 26 vjeçare. Pasioni dhe dëshira për të gatuar e ka përcjellë Fidanin qysh me kohë.

Një traditë njëzetvjeçare

Ka më shumë se 20 vite që Cikajt nga Hasi ushtrojnë biznesin e tyre në gastronomi në Zvicër. Në Olten babai i Fidanit, Gzim Cikaj kishte një furrë buke ku punoi për 17 vite duke furnizuar shitoret në pothuajse gjysmën e Zvicrës me bukë Kosove. Më shumë se 200 shitore janë furnizuar me bukë nga furra e familjes Cikaj.

Në të njëjtën kohë ata kishin edhe një imbis, qebaptore në Olten SO derisa vendosën përfundimisht pas 17 viteve të shpërngulen në Regendorf të Cyrihut duke zgjeruar biznesin e tyre në restorantin “Feedy’s”.

“Feedys” është biznes familjar me të cilin merret e tërë familja Cikaj, por varësisht nga nevoja ata detyrohen të marrin deri 10 punëtorë.

Gjatë gjithës ditëve të javës restorantin e frekuentojnë me qindra vizitorë shqiptarë dhe zviceranë ndërsa gjatë fundjavës numri i tyre rritet në më shumë se 1 mijë vizitorë, bën një bilanc Fidani. Ai thotë më tutje se restoranti ka kapacitet për të sherbyer ushqime për 120 persona përnjëherë.

Ja si mësohen zviceranët me shijen e “pasulit” e të qebapëve

Duke dashur t’i përshtaten rrethit, për shkak se restoranti gjendet në zonën industriale të Regensdorfit, stafi ka kombinuar gjatë drekës menynë shqiptare me një meny zvicerane. Kjo ka rezultuar me rritjen e numrit të porosive për meny shqiptare si grosha, qebapa, byreku etj., për shkak se me gatimet shqiptare janë mësuar edhe zviceranët.

“Vijnë bashkë me kolegët e tyre shqiptarë edhe shikojnë se ata hanë ushqime tjera dhe kështu provojnë të njëjtën meny. Pastaj herën tjetër heqin dorë nga menyja ditore e zakonshme për një `pasul` apo byrek. Zviceranët e quajnë pasulin “Bohnensuppe”, thotë 30 vjeçari Fidan Cikaj.

“Mikpritja, pastërtia dhe kualiteti i ushqimit kanë bërë që dita ditës vazhdimisht të rritet numri i vizitorëve”, thotë i bindur gastronomi shqiptar dhe tregon se janë të specializuar edhe për të siguruar ushqime me porosi për evente dhe ahengje familjare.

Përveç kësaj edhe yjet e estradës shqiptare shpesh mblidhen në restorantin Feedy’s.

Po bëhen 5 vite kur filluan me “Feedy’s” në Regensdorf ndërsa tani Fidani po bën plane për një sallë dasmash që do të bëhet realitet shumë shpejt.