Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra jo vetëm po spikat në ndeshjet kombëtare duke fituar çdo gjë si në kupë ashtu edhe në kampionat, por nga viti në vit po synon të bëjë paraqitje sa më të mira edhe në arenën ndërkombëtare.

Njëra nga futbollistet e saj më të mira, pikërisht Megi Doçi, sipas një studimi të bërë, ka rezultuar të jetë golashënuesja e katërt më e mirë në botë për vitin 2017. Ka qenë portali portugez “Futebol feminino alternativo”, ai që ka bërë një hulumtim në 67 vende të botës.

Pikërisht në 113 kampionate kombëtare e ndërkombëtare të klubeve, nga amatore në profesioniste, përveç turneve dhe ndeshjeve miqësore të organizuara nga FIFA. Pikërisht prej kësaj, ajo ka nxjerrë edhe 10 golashënueset më të mira të botës për vitin 2017.

Sulmuesja e Vllaznisë Megi Doçi është e renditur e katërta në këtë ranglistë. Po kush janë futbollistët që kanë shënuar më shumë se ajo dhe çfarë përcaktimi u ka bërë portali në fjalë?

Në vend të parë janë dy futbolliste me të njëjtën kuotë golash- 70, pikërisht namibiania 24 vjeçare Zenatha Coleman që luan për FK Gintra Universitetas. Po kaq ka shënuar edhe Mateja Andrliq, kroatia e ZNK Osijek. Në vend të dytë është Krystyna Freda, 24 vjeçarja amerikane që luan për Barcelonën në Qipro e cila ka shënuar 60 gola gjatë vitit të kaluar.

Në vend të tretë është Ada Hegerberg, norvegjezja që luan për Lyon e cila ka shënuar 48 gola. Në vend të katërt është futbollistja e Vllaznisë Doçi për të cilën ky portal shkruan: “4- Megi Doçi, një shqiptar 21 vjeç që luan për Vllazninë. Ajo shënoi 46 gola, 43 për klubin shqiptar dhe tre për ekipin e saj kombëtar”.

Por në 10-shen e golashënueseve më të mira janë edhe tre futbolliste të tjera të kampionatit shqiptar.

Kështu, në vendin e tetë janë me të njëjtën kuotë golash- 39, Cyme Lulaj e Kinostudios dhe po ashtu edhe Uendi Muja e Vllaznisë, që kanë shënuar të njëjtin numër golash.

Ndërsa në vendin e nëntë është Kesjana Goro e Apolonisë që gjatë vitit 2017 ka shënuar 37 gola.

© shkodrasport.com