Nga Ndoc Mulaj

Laku ose leqet me kavo çeliku, janë sot arma më e pabesë dhe më vrastare për kafshët e egra.

Pushka edhe zgjedh, edhe fal, ndërsa laku jo. Është thjeshtë një kavo e hollë çeliku, por e lidhur rrfanë dhe vendosur nëpër shtigjet malore, kthehet në armën më të pashpirt, që vret në çdo kohë, ditën e natën dhe çfarë është me e keqja pa selektim.

Me orë të tëra rrin një kafshë e egër e zënë në lak deri sa t’i dalë shpirti, ose deri sa ta gjejë i zoti i lakut “gjallë e për gazep”, e pastaj kërcet huni.

“Nga larg e pashë se diçka kishte ra në lak por nuk po levizte. Mendova se ka cofë, por kur i ndjeu hapat e mi, u hodh përpjetë sa mendova se shkuli edhe lisin ku kisha lidhe kavon.

Ça me pa, kish ra i macë e egër, sa nje qen i madh. Me kmesë s’kisha ça me i ba, e nxora nje hu të trashë. Një kokërr sahati me hu mbi të, e menzi i duel shpirti. Gjithfarë kafshe kam nxanë në kurthë e në leqe e kurre nuk kam pa kafshë ma të fortë e me i dalë shpirti ma zor”, përfundoj tregimin djali që na shoqëronte me mushkë para disa vjetësh.

Mos e thashtë Zoti, që ajo kafshë të ketë qënë njëri prej atyre pak rrëqebujve në zhdukje që ka Ballkani. Kam parë me dhjetra leqe të ngritura nëpër male, kam gjetur edhe kafshë të egra të zëna në to, edhe duke i ngrënë korbat, më ka rastisur të shikoj edhe rrotullën e kavos ngarkuar në mushk, por asnjëherë nuk rastisa të takoj një përfaqësues të shtetit, kontrollues apo mbrojtës të ligjit e moratoriumit.

Edhe gjahtarët e ligjshëm që tashmë moratoriumi i ka ç’ligjeruar, nuk i shikoj më.

Të paktën këta të fundit duke bredhur nëpër male i shkrehnin dhe i zhduknin këto lloj “armësh”. Kush i njej më mirë shtigjet, malet dhe sidomos vendet ku jetojnë kafshët e egra. Kush më mirë se një gjahtar i ligjshëm do ta zbatonte moratoriumin nëpër male.

Gjahtari ka dhënë një provim, ka marrë një liçencë, pra në fund të fundit është një sportist, dhe sportin e tij e njeh më mirë se të tjerët dhe mund ta mbrojë më mirë se askush. Pse mos të japin edhe një provim tjetër, të bëjnë edhe një betim e tu jepen edhe kopetenca për ruajtjen dhe mbrojtjen e kafshëve të mbrojtura me ligj, sidomos atje ku ligji nuk shkon dot?

Miku im gjerman, i interesuar për zbatimin e moratoriumit të gjuetisë, pasi sipas tij është i vetmi në Europë me një kohëzgjatje të tillë, e pyeti një plak

A ke dëgjuar për moratoriumin e gjuetisë?

– Po tha ai, – e kam ndie në televizor.

Si po zbatohet këtu te ju?

– Po çfarë të zbatueme vazhdoj plaku, -s’ka ditë si të falin Zoti si nuk kërcet pushka majë n’majë. E nuk janë gjahtarët, por do taravakë, si vijnë prej përteqafe e ndo nja si vjen prej poshti e bashkohet me kta tanët. Po në fund të fundit ç’ka kan me ba, punë jo, gja jo, rrugt me msy prej jashti tash i ka mbyll shteti, marrin i cop bukë me veti e msyn malin.

A ka ardhë kush për tu interesuar për zbatimin e këtij ligji, apo për të kontrolluar?

– “Hagërta dreqi, po çfarë të interesueme. Ata si e kanë nxjerr at ligj, ja kanë lshue bishtin shkurt, e nuk mu me mrri ktu te na. Atyne në Tiranë nuk ju intereson ç’ka bahet me njerzit këtu në malësi e jo për kafsht e egra. Orn e ligë, ça je ka thue, po mos t’ndiejn kush. Për ktu te na, nuk i thonë moratorium po marretorium”, përfundoj plaku malësor.

Për zbatimin e ligjit, për ruajtjen e biodiversitetit, për ruajtjen e zonave të mbrojtura, ka njerëz dhe instanca të caktuara që paguhen nga taksat tona. Dhe janë aq të përpiktë sa nuk lënë Workshop, simpozium, konferencë a cfardolloj takimi që zhvillohet në sallat e konferencave të hotele të Tiranës, pa marrë pjesë, se aty shtrohen edhe dreka të mira. Pa le, kur e marrin fjalën, e flasin për monitorime, statistika, arritje të mëdha në shtimin me disa herë të numrit të kafshëve të egra.

Ditë për ditë, vriten shqiponjat, dhitë e egra, kaproj, arinjë etj etj, se derrat e egër nuk po i quajm, e këta flasin për suksese. Janë një numër restorantesh në Shqipëri që gatuajn mishin e ariut e nuk e vret kush mendjen të paktën të pyesin, nga vjen, ku e marrin e të mos flasim për ato që vriten, ballsamosen e reklamohen nëpër lokale. Zgjatja bishtin o shtet deri te mali se kafshët e egra rrinë në mal.