Arben Mlloja, 13 titujt kampionë e bëjnë krenar për atë që i ka dhënë Vllazninë

Në rradhët e kampionëve të mëdhenj të atletikës shkodrane, sigurisht që hyn edhe ai. Titujt kampion të fituar prej tij janë të shumtë. Ky është Arben Mlloja, kampioni i kërcimeve.

I lindur në Shkodër më 23 qershor të vitit 1964, ai shumë shpejt do të niste sportin e atletikës. E ka bërë këtë gjë që në moshën 10 vjeç kur ishte në klasat sportive.

Do vazhdonte të punonte me shumë pasion për të mbërritur aty ku mbërriti.

Ndonëse karrierën e mbylli disi herët, 13 titujt kampionë që ka fituar, sigurisht që janë treguesi më i mirë i suksesit të tij. Duke mos harruar faktin se ka triumfuar në gara ku gjithmonë ka patur rivalitet të madh. Arben Mlloja pranon të flasë për gazetën online ShkodraSport.com për të rrëfyer karrierën e tij:

-Mlloja, kur e nisët atletikën dhe çfarë ju shtyu të merreshit me këtë sport?

-E kam nisur në moshën 10 vjeç kur isha në klasat sportive me trajnerin tim të parë Ismail Kombin, për të vazhduar më vonë me Vildan Tufin. Zgjodha atletikën sepse më pëlqente ky sport, i cili do të bëhej shumë i dashur për mua në vazhdim.

-Një karrierë e mbushur me trofe dhe suksese. Jeni i kënaqur me atë që keni arritur apo ju ka mbetur gjë peng?

-Jo, kam arritur gjithçka kam dashur. 13 titujt kampionë që kam fituar si individ janë treguesi më i mirë i karrierës time.

Një karrierë në të cilën kam qenë i angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën dhe natyrisht që jam i kënaqur për atë që kam dhënë.

-Nëse e mbani mend, cila ka qenë gara më e veçantë për ju?

-E mbaj mend dhe e kam të fiksuar edhe sot në mendjen time. Ka qenë viti 1989. Në Korçë zhvillohej kupa “Kristo Isak”. Në tre kërcimet e para arrita të vendos shifrat mbi 7.70 m që ishin edhe rekorde kombëtare por gjyqtaria nuk i njohu sepse kisha prekur vijën e bardhë.

Në provën e katërt dhe të fundit, nga frika e skualifikimit, godita në pedanë një këmbë e më shumë larg vijës sepse nuk doja që të dështova edhe në këtë provë dhe kërceva 7.59 m. Ka qenë gara ime më e bukur. Me pak kujdes, ndoshta edhe nëse gjyqtaria do kishte qenë më shumë dashamirëse, unë atë dita do kisha thyer rekordet sepse kam qenë në një formë të shkëlqyer sportive.

-Përveçse me Vllazninë keni konkurruar edhe me Partizanin. Keni kujtime të bukura edhe me këtë ekip?

-Me Partizanin kam konkurruar në vitet 1986-88 kur kam qenë ushtar. Sigurisht që kam kujtime të bukura edhe me të sepse kishte një rivalitet shumë të madh në mes dy ekipeve atë periudhë. Ajo që ka bërë shumë bujë në atë kohë ka qenë gara e stafetës 4 x 400 metra.

Në garat gjysmëfinale, u dëmtua një nga atletët e ekipit tonë dhe në finale, ne kishim një atlet më pak.

Trajnerët u shqetësuan pa masë sepse ishte gara që do përcaktonte titullin kampion si ekip, Partizani apo Vllaznia. E mora unë përsipër. I thashë trajnerit se do hyja dy herë në stafetë, i pari dhe i fundit. Pra, do të përshkruaja dy herë distancën prej 400 metrash.Madje jo vetëm e bëra, por në fund të kësaj gare, unë mbërrita i pari në finish duke lënë prapa atletin e Vllaznisë dhe për rrjedhojë, Partizani u shpall kampion kombëtar atë vit.

-Si ia arritët kësaj?

-Kam patur një formë shumë të mirë sportive si pasojë e rregjimit të mirë që mbaja. Në fakt ka qenë shumë e lodhshme. Dhashë maksimumin në 400 metrat e para, dorëzova shkopin tek shoku i stafetës dhe bëra pushim dy xhirot derisa erdhi ajo e katërta ku unë sërish hyra në garë. E bukura ishte që pjestarët e ekipit të Vllaznisë nuk kuptuan asgjë.

Mendoj se ka qenë diçka vërtetë e rrallë ajo garë.

-Keni konkurruar kryesisht në garat e kërcimeve por edhe në shumëgarësh. Kush ka qenë rivali më i madh për ju?

-Gjatë gjithë karrierës sime rivaliteti më i madh ka qenë me Gjergj Rulin. Një herë fitoja unë, njëherë fitonte ai. Kanë qenë vite për t’u mbajtur mend. Një shoqëri sportive e mrekullueshme, një impenjim maksimal i të gjithëve.

-Por besoj se ke mbresa të mira edhe nga sportistët me të cilët je stërvitur tek Vllaznia apo jo?

-Patjetër. Unë jam stërvitur me dy breza sportistësh, atë më të vjetrin me Nefail Krajën, Ahmet Kryeziun, Pjerin Tafilin e garës së shtizës, Viktor Gjokën në gjyle, Hajrullah Shoshin në 800 m e Bashkim Ramekajn në maratonë. Për të vazhduar pastaj me një brez edhe më të shkëlqyer sportistësh si Tonin Sokoli, Ilo Pjetri, Ardian Miloti e më pas  Arben Maka, Niko Laro, Oltion Luli, Arben Parmeza apo dhe femrat Vera Bregu e Arbana Bekteshi. Kanë qenë të gjithë kampionë të mëdhenj.

-Vllaznia ndërkohë është shquar edhe për trajnerë me emër apo jo?

-Sigurisht që po. Unë personalisht kam patur fatin të bëj atletikë e të punoj me trajnerë si Feti Dizdari, Syrri Hoti, Gëzim Mema, Gjon Camaj, Vildan Tufi, Hysni Bebeziqi, Isak Bala, Rrok Hila, Enver Dervishi, Kujtim Rrjolli, Besim Kurti etj.

Besoj se janë emraq shumë të njohur që nuk kanë nevojë për shumë koment dhe unë jam krenar që kam punuar me ta.

-Ndërkohë pas lënies së sportit, keni vazhduar sërish garat, kësaj here me veteranët. Pse kështu?

-Nuk mund të ndahesha kollaj nga ky sport, nga pistat e atletikës dhe pedanat e kërcimeve. Për rrjedhojë kam konkurruar e vazhdoj të marr pjesë prej vitesh në

garat e veteranëve teksa kam patur edhe suksese duke marrë 8 medalje arit, 4 argjendi dhe 3 bronzi. Nga ky sport e kam të vështirë të rri larg.

-Së fundi jeni zgjedhur edhe anëtar i kryesisë së Federatës Shqiptare të Atletikës. Cili do jetë kontributi juaj në këtë post?

-Do mundohem të jap më të mirën edhe në këtë post që “mbretëresha e sporteve” të jetë si e tillë edhe në të ardhmen në Shqipëri.

Karriera

Në moshën 11-12 vjeç, me klasat sportive rekord kombëtar në kërcim së gjati dhe trehapësh në Vlorë.

Në moshën 13-14 vjeç, rekord kombëtar në 60 m/p dhe 6 garësh në qytetin e Elbasanit

Në moshën 15-16 vjeç, në Durrës 11-16 korrik 1978 në Spartakiadën e 15-të Kombëtare të pionerëve, vend të dytë në kërcim së gjati.

Po për këtë moshë, në garat e zhvilluara në Vlorë më 20-21 korrik 1978 shpallet atleti më i mirë i aktivitetit teksa në garën e kërcimit së gjati me rezultatin 5.77 m grumbullon 855 pikë olimpike.

Në qytetin e Elbasanit nga data 1-2 korrik 1978 vendos rekord kombëtar për garën e 6 garëshit me 4623 pikë olimpike.

Në kampionatin kombëtar të moshave 15-16 vjeç që u zhvillua në Elbasan në datat 7-8 maj 1980 shpallet atleti më i mirë i aktivitetit në garën e 110 m/p me 891

pikë olimpike.

Me ekipin e të rinjve shpallet kampion për dy vite rresht në garat e kërcimit së gjati dhe shumëgarësh. Madje në garën e kërcimit së gjati, arrin kategorinë e parë sportive me 6.85 m duke qenë edhe anëtar i ekipit kombëtar të të rinjve.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...