Hafzi Basha është një 65-vjeçar, malësor nga veriu i Shqipërisë, mbi të rëndon një akuzë e rëndë. Ai është akuzuar për ngacmim seksual ndaj një vajze 12-vjeçare.

Havziu sjell sot historinë e tij sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, në tentativë për të pastruar emrin e tij, kur ka 4 muaj që ka dalë nga burgu.

Havziu thotë se autorja e këtij skenari është Mirela Shyti, një mësuese. Në atë kohë kur është bërë denoncimi, sipas tij ajo ka qenë inicuesja dhe ka bëre madje dhe foto, pasi vajza 12 vjeçe ishte nxënësja e saj.

E gjithë ngjarja mendohet të ketë ndodhur në sheshpushimin e një ashensori përballë gjykatës administrative. Hafziu vetë ka në pronësi një lokal, por atë ditë kur është fotografuar ka qenë i ulur në një tjetër lokal. Për Hafziun kjo ngjarje ishte tronditëse pasi ka punuar një jetë të tërë në tregti mes grave dhe vajzave dhe askush nuk ka folur kurrë për të për të tilla gjëra.

Nëna e vajzës është nisur nga fotografia dhe ka shkuar të bëjë denoncimin. Sipas tij, rasti është i vërtetë dhe shumë i rëndë, por nuk është ai autori, por thjesht ngjan me autorin e vërtetë. Kur e ka parë e mitura ka thënë:

“Dukej si ky”. Denoncimi është bërë 2 muaj pas ngjarjes. Sipas asaj që referohet në dokumentet e gjykatës, denoncimi është bërë në komisariatin Nr. 3 në datën 20.02.15. Vajza ka treguar atë që kishte ndodhur dhe karakteristikat fizike të personit që e kishte ngacmuar. Përshkrimi i saj është i ngjashëm me Hafziun. Më pas ajo është drejtuar sërish në komisariat për të bërë një denoncim të dytë më dt.22.04.15.

Sipas vajzës e cila shoqërohej nga e ëma në datën 08.04.15 ka qenë duke u kthyer nga shkolla dhe ka qenë e shoqëruar nga mësuese Mirela të cilës i ka bërë përshtypje një burrë rreth të 60-ave i cili lëvizte me biçikletë.

Vajza pasi e ka parë në një distancë rreth 3 metra ka thënë se ishte ai që e kishte ngacmuar. Mirela ka bërë foto dhe personi në foto ishte Hafziu, por që sipas tij nuk ka asnjë lidhje me atë ngjarje.

Hafzi Basha është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vite e 6 muaj burg. E apeloi, por edhe apeli la në fuqi vendimin e parë. Ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë. Nuk pranon në asnjë mënyrë se është autori dhe kërkon të zbardhet e vërteta pasi nuk mund të jetojë me turpin e një vepre që nuk e ka kryer. Hafziu është i martuar dhe baba i 3 fëmijëve.

“Ne jemi familje patriotike. Jemi me origjinë nga Shishtaveci në Kukës. Kam 3 fëmijë, 1 djalë në Angli, 2 vajza të martuara me fëmijë.

Në Tiranë kam ardhur në 1991. Jam i martuar prej 40 vitesh. Gruaja ime fal 5 vaktet, jemi besimtarë myslimanë. Këtë ngjarje familja ime e priti si tragjedi, ashtu ishte për ne. Unë kam punuar gjithë jetën me femra por absolutisht asnjëherë nuk kam pasur as edhe një dyshim të vogël, as një mizë nuk e kam prekur.

Kam 4 muaj që jam liruar por kërkoj të drejtën time të zbardhet ngjarja. Nëse ka një provë të më dënojnë me 25 vite burg. Kjo është një akuzë e poshtër që s’ka të bëjë me mua”, deklaroi Havziu.

Ai ngriti dyshime mbi policinë dhe prokurorin, për të cilët tha se e kanë akuzuar për faktin se ai është nga veriu, ndërsa ata nga jugu.

“Dialekti im është nga veriu normal, kurse policët, prokuror të gjithë nga Tepelena dhe është një mani si në kohë të Enverit për ata nga veriu”, tha 65-vjeçari. Edhe avokati i tij tha se nuk janë ndjekur procedurat e duhura hetimore dhe se nuk është bërë procedura e njohjes. /balkanweb.com/