Ngjarja e rëndë e ndodhur në mesditën e së dielës, ku 23-vjeçari Aldison Belulaj vrau me armë zjarri 21-vjeçaren Arjela Murati dhe më pas qëlloi veten, tronditi mbarë opinionin publik.

U cilësua si një krim pasioni, ku shkak mbeti refuzimi i vajzës për të pasur një lidhje me djalin. Për hir të së vërtetës nuk është rasti i parë dhe as i fundit që një mashkull vret një femër për hir të një refuzimi apo dashurisë së pamundur, dhe me gjasa nuk do të jetë as hera e fundit.

Të tilla raste kanë qenë të shumta, jo vetëm në vendin tonë, por kudo nëpër botë. Në Shqipëri kanë ndodhur shumë raste të tilla, ndërsa disa prej tyre janë diskutuar më shumë apo kanë qenë disi më të bujshme se të tjerat.

Thuajse çdo vit ndodhin 2-3 raste të tilla, ku një mashkull me ego të lënduar nga refuzimi apo ndarja, të shohë si zgjidhje eliminimin fizik të personit që i refuzoi apo i braktisi, për çfarëdo arsyeje.

Por ja cilat kanë qenë disa prej krimeve të pasionit të cilat jo vetëm që kanë zënë për ditë me rradhë faqet e gazetave apo kronikat e televizioneve, por edhe kanë mbetur gjatë në memorien e njerëzve.

Mars 2001 – Ish oficeri i SHISH Marjan Rroku vrau me armë zjarri 16-vjeçaren Alda Canaj, dhe nënën e saj Mbarime Canaj afër pallatit të sportit “Asllan Rusi”.

Ai qëlloi me 7 plumba në drejtim të viktimave, duke i lënë të vdekura në vend. Ngjarja tronditi Tiranën dhe mbarë Shqipërinë, ndërsa për këtë histori është diskutuar gjatë. Rroku asokohe 27-vjeç, me origjinë nga Shkodra përndiqte për shumë kohë gjimnazisten 16-vjeçare duke u kthyer në problem edhe për familjen e saj. Një vrasje e paralajmëruar, e cila pavarësisht shumë denoncimeve nga familja e vajzës, nuk arritën dot të shpëtonin 16-vjeçaren nga fati i hidhur.

Autori u arratis drejt Amerikës, por pas përpjekjeve të panumërta të Ornela Canaj, motrës së viktimës, autoritetet arritën të viheshin në gjurmët e autorit duke e vënë përpara drejtësisë. Marjan Rroku sot vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Shqipëri.

Tetor 2012 – Shaban Norja 81-vjeç, i preu kokën Aishe Vatës 17-vjeç në Durrës. Pas një lidhje dy vjeçare mes agresorit dhe viktimës, kjo e fundit kishte mbetur shtatzënë. Në momentin që Aishe Vata i tregoi 81-vjeçarit për shtatzëninë e saj, ky i fundit me anë të një sëpate i ka prerë kokën në oborrin e shtëpisë së tij.

Ngjarja shokoi mbarë opinionin publik, ndërsa gjakftohtësie me të cilën 81-vjeçari kreu krimin ishte makabre. Në dëshmitë e tij, të ndryshuara disa herë Norja është shprehur se 17-vjeçarja i është lutur vetë që ta vriste pasi nuk donte të abortonte. Më vonë u tha se ai dyshonte për ndonjë tradhti të mundshme nga ana e saj, pasi mosha që ai kishte e bënte disi të vështirë shtatzëninë. Autori pranoi krimin, dhe u dënua me 25-vite heqje lirie.

Gusht 2016 – Sokrat Shani, 65 vjeç nga fshati Kryekuq i Divjakës vrau në një banesë në Golem, 27-vjeçaren Jonida Canaku, dhe disa ditë më pas vari veten në shtëpinë e tij.

Krimi u zbulua nga disa letra që autori kishte shkruar përpara se të vdiste, ku pranonte autorësinë e krimit, dhe tregoi vendodhjen e trupit të viktimës. Sipas të dhënave nga policia 65-vjeçari dhe 27-vjeçarja kishin një lidhje intime prej shumë kohësh. Shani ishte i martuar dhe mbahej si një person me të ardhura të mira ekonomike në fshat.

Ai shpesh ndihmonte familjarët e vajzës, por kur Jonida kishte filluar të njihej me dikë tjetër, ai nuk e ka pranuar lidhjen e saj, duke e vrarë në apartamentin e motrës së tij në Golem. Në letrën e tij para se të vetëvritej ai shkruante: “Jonida ndodhet te shtepia e Ludit ne Golem. Ka nderruar jete. Shtepia ndodhet perballe pishines tek hotel P, ne katin e katert. Jonida eshte nga kryekuqi date 14.08.2016.”.

Shtator 2017 – Fadil Kasa qëlloi me armë ish-bashkëshorten e tij gjyqtaren Fidel Hafizi nënën e dy fëmijëve të tij, në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, menjëherë pasi kjo e fundit kishte dalë nga parukieria. Ngjarja e bujshme do trondiste mbarë opinionin publik ku reagimet ishin të shumta. Shkak për vrasjen ishte mospranimi i divorcit nga ana e Kasës, i cili prej shumë kohësh përndiqte dhe kërcënonte gjyqtaren. Kjo e fundit kishte kërkuar urdhër mbrojteje ndaj ish-bashkëshortit, por pavarësisht kësaj, ajo nuk arriti ti shpëtonte dot vdekjes. Gjyqtarja Hafizi kishte kohë që ndihej e frikësuar për jetën e saj, dhe shpesh shprehej se e dinte që ai do e vriste, dhe fatkeqësisht ndodhi ashtu siç ajo e kishte menduar.

Sot Fadil Kasa ndodhet në paraburgim, dhe pret dënimin nga gjykata ku akuzohet për vepra penale vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, rrëmbim personi dhe armëmbajtje pa leje, pasi ekspertiza përcaktoi se ai ishte i aftë mendërisht në momentin e krimit.

Janar 2018 – Aldison Belulaj qëllon me armë 21-vjeçaren Arjela Murataj pranë portës së “Fakultetit të Mjekësisë “ në Tiranë duke e lënë të vdekur dhe më pas qëlloi veten. Një lidhje e refuzuar nga viktima, e cila përfundoi në tragjedi. Një vrasje e paralajmëruar e cila mund të ishte parandaluar.

Dy të rinjtë nga Zharrëza e Fierit njiheshin që prej gjimnazit. Fiksimi i Belulaj për 21-vjeçaren, studente të Juridikut do të kthehej në tragjedinë e jetës së tyre. Kjo vrasje vijon të mbushë kronikat dhe lajmet nëpër media, ndërsa autori ndodhet në gjendje kome në spitalin Ushtarak ku mjekët japin shumë pak shpresë për jetën.

Një tjetër ngjarje e bujshme është ajo e zhdukjes së Erieta Avdylit ish-punonjëse e UNICEF dhe ish-bashkëshortja e një funksionari të lartë të Policisë së Tiranës. Edhe pse pas 18 vitesh nga ngjarja e ndodhur në 30 mars të vitit 2000, ende mbetet një mister. Erieta Avdyli, nënë e dy fëmijëve të mitur, u zhduk më 30 mars 2000, pas orës 15:30, pasi doli nga zyra e punës, që gjendej diku në hyrjen e “Qytetit Studenti” dhe u nis për në shtëpi, që gjendej në afërsi të Komisariatit 1 të Policisë së Tiranës, që në atë kohë drejtohej nga bashkëshorti i saj Dritan Avdyli.

Në oborrin e shtëpisë fqinje u gjet biçikleta që përdorte Erieta dhe më tej asnjë shenjë e saj. Pak ditë më pas i ati i Erietës, Enes Sokoli, denoncoi zhdukjen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por fillimisht reklamimi i tij nuk u mor seriozisht. Vetëm depërtimi i ngjarjes në media shkaktoi interesimin e duhur të policisë dhe nisjen e hetimeve.

Kufoma e Erieta Avdylit u gjet një muaj e gjysmë më vonë, më 13 maj 2000, gjysmë e groposur dhe gjysmë e dekompozuar në fshatin Romanat të Durrësit. Dokumentet në çantën pranë saj bënë të mundur një identifikim të shpejtë. Menjëherë më pas, policia ndaloi bashkëshortin Dritan Avdyli, në bazë të një padie të prindërve të Erietës, por shpejt ai u shpall i pafajshëm nga gjykata. Hetimi për zbardhjen e ngjarjes, edhe pse i ndjekur pas nga një trysni mediatike, nuk arriti të gjente qoftë një fajtor të vetëm për këtë krim, duke bërë që edhe pas 10 vitesh ngjarja të mbetet pa autor./Ema Shazivari/Opinion.al