Kantautori shqiptar Ermal Meta, i cili për të tretën herë radhazi do të jetë pjesë e Sanremo 2018, publikoi sot trajlerin e këngës që do të prezantohet në festivalin më të madh të muzikës italiane.

Kënga, që është një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro dhe titullohet ”Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë), sjell një tematikë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

“Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”, kanë deklaruar dy këngëtarët. Kantautori shqiptar e publikoi trajlerin e këngës në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Sanremo 2018 do të zhvillohet prej datës 6 deri më 10 shkurt në teatrin Ariston të qytetit të Sanremos e do të drejtohet nga një emër i rëndësishëm i muzikës italiane, nga këngëtari Claudio Baglioni. Në kategorinë big do të garojnë 20 këngëtarë të njohur italianë.

Ermal Meta në vitin 2015 u prezantua në Sanremo në seksionin e të rinjve me këngën “Odio le favoel” (Urrej përrallat) ku u klasifikua në vend të tretë, ndërsa më vitin 2016 garoi në kategorinë big me këngën “Vietato di morire” (E ndaluar të vdesësh) duke fituar çmimin e kritikës “Mia Martini”./KultPlus.com