“Të gjitha ëndrrat mund të bëhen realitet nëse kemi guximin t’i ndjekim”, – fiksojeni mirë, pasi Walt Disney nuk gabonte thuajse kurrë.

Personazhi i historisë tonë nuk është inspiruar nga gjeniu i kinematografisë, por ka një të përbashkët të madhe:

të frymëzon! Ai është një prej atyre burrave që të falin pozitivitet dhe shpresë që në takimin e parë me të. Jersid Pellumaj është personi që na tërhoqi vëmendjen.

Ju nuk e njihni, por shqiptari ka një histori mjaft të bukur, pasi dashuria për futbollin i ka ndryshuar jetën rrënjësisht.

Personazhet që e duan sportin janë primarë në portalin tonë.

Sidi, siç e njohin në Shkodër, nisi të luante futboll që në moshë të re.

Rrugicat e qyteti verior ishin fusha e tij e parë, më pas ai arriti të kapte edhe nivelin profesionist.

Pak kohë me Tërbunin, Adën, por edhe Vllazninë B ishin të mjaftueshme për të kuptuar se nuk kishte të ardhme në Shqipëri, më shumë shpenzonte se sa fitonte.

Me dëshirën që iu thye, ai udhëtoi drejt shteti gjerman me trastën plot shpresa, ashtu si mijëra shqiptarë të tjerë. Larg futbollit, por për një jetë më mirë. Viti 2015 ishte pikënisja e udhëtimit të tij drejt Gjermanisë.

Pas mbërritjes dhe sistemimit të tij në tokën perëndimore, ai gjeti gjurmët e ekipit të SC Gladenbach-it. Pellumaj nuk humbi kohë, por u integrua me skuadrën që militon në Kreisoberliga.

Mbrojtësi arriti t’i bënte të gjithë për vete me sjelljen e tij, por dhe performancat në fushë. Ai u bë lideri i ekipit, por fati e donte që të luante vetëm 4 muaj, pasi mori përgjigje negative për qëndrimin në Gjermani.

I zhgënjyer, detyrohet të kthehet në Shqipëri, por 27-vjeçari nuk e dinte se përralla e tij sapo kishte nisur.

Banorëve të qytetit të Gladenbach-ut u kishte lënë përshtypje të mëdha dhe ata u angazhuan t’i gjenin një kontratë pune.

Në lojë u shfaq Kalli Riemenschneider, ish-lojtar dhe ish-trajner i ekipit të Pellumajt. Ai ndihmoi shqiptarin me gjithçka dhe falë tij, mbrojtësi punon sot në një fabrikë gjermane dhe është me letra të rregullta.

Pellumaj vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e Gladenbach-ut duke arritur suksese edhe në kompeticionet sportive. Së fundmi, skuadra e tij fitoi një Kupë rajonale duke u kthyer në krenarinë e qytetit të vogël.

Mbrojtësi është kthyer edhe në një ambasador të mirë për Shqipërinë dhe qytetin e Shkodrës.

Ai e pranon se para se të mbërrinte në atë qytet, perceptimi për shqiptarët nuk ishte i mirë, por gjërat kanë ndryshuar tani, pasi Jersidi po na përfaqëson denjësisht.

Ideja e vitit vjen nga Gjermania, pasi ekipi i Gladenbach-ut është themeluar njëkohësisht me Vllazninë. Vitin tjetër, të dy skuadrat do të festojnë 100-vjetorin. Pellumaj është i deleguari për të lidhur marrëveshjen për një ndeshje futbolli.

Nga një azilant, në një ambasador të rëndësishëm, e ku ka më bukur se kaq? Më në fund një përrallë njerëzore që përfundon me fund të lumtur. /EDS/