Aldison Belulaj e kishte kërcënuar Ariela Muratin, duke i thënë se nuk do të merrte njeri tjetër përveç tij.

E megjithatë, vajza nuk kishte bërë denoncim në Polici.

Kështu mësohet të ketë dëshmuar ditën e ngjarjes Boreta Murati, motra e studentes 21-vjeçare, që u vra në sytë e saj.

“E vrau para syve të mi dhe nuk munda të bëja dot asgjë. Ne nuk e dinim që ai ndodhej në Tiranë atë ditë. As ata të shtëpisë nuk na kishin thënë asgjë. Ai e kishte kërcënuar duke i thënë se nuk merrte njeri tjetër veç tij. Por ne nuk kishim bërë ndonjë ankesë në Polici, asnjëherë”, ka deklaruar motra e viktimës para oficerëve të Policisë Gjyqësore, shkruan “Panorama”.

Motra dhe kushërira e Ariela Muratit kanë qenë dëshmitare të krimit të rëndë, që ndodhi të dielën në Tiranë. Të tri vajzat kanë qenë bashkë, duke ecur në trotuarin para Universitetit të Mjekësisë, kur kanë takuar në rrugë autorin e ngjarjes, Aldison Belulaj.

Ky i fundit ka ndaluar duke i kërkuar Arielës që të sqaronin diçka bashkë vetëm për pak minuta. Vajza ka pranuar, ndërsa motra dhe kushërira e saj kanë ecur vetëm pak hapa më larg duke i lënë që të flisnin vetëm.

Por, menjëherë, mes tyre ka nisur një debat, që ka zgjatur jo më shumë se 60 sekonda. Në këtë kohë, 23- vjeçari Belulaj ka nxjerrë nga xhepi i xhupit një pistoletë dhe ka qëlluar një herë në kokë 21- vjeçaren.

Menjëherë ka kthyer armën nga vetja, duke tentuar edhe vetëvrasjen. Dy vajzat janë afruar për t’i ardhur në ndihmë Arielës.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, dëgjohen thirrjet dëshpëruese të motrës së viktimës, që kërkon ambulancën. “Thërrisni ambulancën… thërrisni ambulancën”, dëgjohen thirrjet me ngashërima të motrës së viktimës, ndërsa në video duken dëshmitarë të rastit, që përpiqen t’i vijnë në ndihmë duke parë nëse vajza ka shenja jete apo jo.