Ndeshja e parë e këtij viti, ajo që do të zhvillohet të premten në orën 17.00 në stadiumin “Loro Boriçi” në mes Vllaznisë dhe Kukësit, pritet me interes në Shkodër.

Lëvizjet e fundit në merkato kanë rikthyer entuziasmin në rradhët e tifozërisë shkodrane e cila duket se është ngrohur nga lëvizjet e fundit në merkato të ekipit kuqeblu. Ata presin me interes debutimin në fushë të Sukajt, Malotës, Berishës e Mersinit, ardhje këto që janë vlerësuar si shumë pozitive.

KF Vllaznia ka bërë të ditur se biletat e kësaj ndeshje do të dalin në shitje që paraditen e së enjtes dhe tifozët e interesuar mund t’i sigurojnë ato që prej këtij momenti.

Edhe çmimet e biletave janë të njëjta si në ndeshjet e kaluara, pra me vetëm 2 mijë lekë të vjetra do të jenë biletat e 80 për qind të stadiumit, pikërisht të tribunave, C, D dhe E ndërsa që çmimet e biletave në tribunën qendrore siç dihet, janë më të shtrenjta, 5 mijë dhe 10 mijë lekë.

Numri i tifozëve të pranishëm në këtë ndeshje pritet të jetë më i madhi i këtij sezoni dhe padyshim që ata do të jenë një mbështetje e madhe për skuadrën e Vllaznisë për të arritur një fitore që do ta ndihmonte atë shumë në ecurinë e mëtejshme në kampionat.

© shkodrasport.com