Me u matë me “të fortët” asht mision i pamujtun… Ky asht epilogu i tavolinës katrore, ku kafet kanë kohë që janë rrufitë e taketukja ka marrë trajtën e bunkerit që kryen funksionin e qilarit me duhma mbytëse.

Nji prej atyne bunkerave që i hasim andejpari, bunkerave qyqarë që stivojnë ndër barqe ligësi e perversitet, sanë e kakërdhija, murale e iniciale të gdhenduna me gozhdë për me përjetësue nji akt jetshkurtë seksual…

Bishtat e fikun shtypen me nerv e shtremnohen në maje tue i shkue për fije bisedës që acarohet tasheparë. Njeni çohet në kambë prej euforisë e nji tjetër i bjen tavolinës me grusht…

Secili don me thanë i pari ndodhinë e vet me “të fortët” e askush s’kujtohet me e pyet vedin pse edhe atë kafe të shkretë duhet me e zeherue me bama “të fortësh”. Zanet e nervozuem shkapeten ndër ballinat e betonizueme të ngrehinave e jehona e shumfishon, tue ba që “të fortët” me u dukë edhe ma kallp se janë.

Epilogu i tavolinës modeste picigjatohet dreqnisht. Kamarieri, si me dashtë me zbutë gjaknat, pastron tavolinën me nji pecë të rinjtë.

Peca e vijëzon syprinën me do shkulme të tejpashme …

Sytë e tanve ndjekin lëvizjet e shpejta të pecës e sikur hipnotizohen padashas. Por magjia e pecës zgjat krejt pak, se “të fortët” kanë përpie frymimin e atyne që, saora, gërmihin xhepat për me gjetë kacidhet me pague kafen.

– A e lexove gazetën?
– A i ndive lajmet?
– Kojshija më diftoi te rradha e pensionit se…
E s’prajnë tue listue ndodhi “të fortësh”, teksa çapiten mbi troturin e plasaritun prej hunj reklama “të fortësh”…

Medet, edhe kjo mbramje u pushtue nga “të fortët”, që s’di pse më përgjasin me gogolin në përrallat me fund të lumtun…

Rozafa Shpuza