Nga Kreshnik Osmani

Po të hysh në shtëpitë e shqiptarëve i gjen përgjithësisht shumë të rregulluara, super të pastra dhe të mobiluara sipas mundësisë por ndonjëherë edhe jashtë mundësive, mirë. Kjo sepse ata kujdesen fort për të tyren.

Kur fillon e përbashkëta, shkalla, ashensori, hyrja, pallati, lagjja, oborri i lagjes, administrata, politika, parlamenti, Shteti, fillon pështyma, facoleta, lëkura e bananes, thyerja e xhamit të ashensorit, djegia me duhan e butonave, gërvishje muresh, sekrecione të varura të lëshuara pa kujdes gjithandej dhe përgjithësisht, cepa që mbajnë era urinë.

Halli i shqiptarit mbaron aty ku mbaron gardhi i tij dhe ai e urren të përbashkëten ku do të rrinë të gjithë si pjesë e të gjithëve. Ai konkurron të tjerët me gjithçka për të krijuar superioritet individual (në të gjitha fushat) ndaj komshiut, shokut, vëllait, motrës, fisit, mikut, banorit të lagjes dhe shpesh ia del.

Kur bëhet fjalë për një të mirë kolektive ne dështojmë gjithmonë. Kjo sepse ne duam atë që është shumë private dhe shumë prekshëm e jona. Atv që është e të gjithëve e urrejmë, nuk e durojmë dot.

Këta janë të njëjtët njerëz që do të duhet të realizojnë Reformën në Drejtësi. Kultura është proces që nuk arrihet me “ush”, qoftë ky “ush” vendorësh apo “ush” ndërkombëtaresh, që fundja nuk janë aspak të detyruar t’ua ndjejë, për të përbashktën tonë. Pra në një farë mënyre, paradoksalisht, problemi me i madh i Shqipërisë është se ajo i takon të gjithë shqiptarëve!