Më mirë të dish apo (sesa) të kesh?!

Nga Marin Mema
Nuk do të ekzagjeroja, nëse do të thosha se Shqipëria është një vendi unikal sa i takon pasurive turistike referuar hapësirës së saj, por padyshim mbetet edhe më unikale, kur vjen puna për t’i përdorur këto pasuri në të mirën e saj.
Por ku çalon çështja?
Një analizë e thjeshtë, për të cilën prej kohësh i gjen në një mendje edhe vetë shqiptarët lidhet për shembull me faktin se vendi ynë ka një vijë bregdetare të mrekullueshme, e cila ose është mbytur në ndërtime betonizuese ose nuk ka infrastrukturë dhe projekte të denja për t’i kthyer në destinacione të mirëfillta turistike. Sot, pjesë të tëra, siç është gjiri i Kepit të Rodonit, bregdeti i Fierit, plazhi i Godullës, Rrushkullit, presin një zhvillim të vërtetë në trajtë turizmi jo më spontan e të paorganizuar, por të vendosur në binarët zhvillimorë europianë.
Duke lënë pas turizmin bregdetar, mund të themi edhe që Shqipëria ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit malor e megjithatë është një fakt i njohur tashme se shqiptarët në masë dërrmuese shkojnë në Mavrovë, Kolashin e gjithkund tjetër. Sigurisht, ka një grup vendesh që vitet e fundit janë zhvilluar, siç është rasti i Razmës, Thethit, Vermoshit, Dardhës, Valbonës, Voskopojës etj., por për t’u kthyer në destinacione të mirëfillta duhet shumë më shumë, përsa kohë kapacitetet akomoduese momentale në këto vende janë të limituara.
Më tej akoma, mund të sjellim në vëmendje edhe vende më pak të njohura dhe eksploruara, si psh. parku kombëtar i Shebenikut në Librazhd, për të cilin është e vështirë të mendosh se diku tjetër mund të ketë falur natyra kaq shumë, e po kështu mund të vijoj me Gërmenjin, Vithkuqin, Lëpushën, Qafë Shtamën, Dumre, Prespë, Hotovë, etj. Të gjitha vendet e mësipërme janë dëshmi se Shqipëria është një mrekulli e falur nga natyra, por fatkeqe për shkak të masakrës së barbarëve ndaj pyjeve.
Një tjetër aspekt që duhet të na bënte të ndiheshim krenar është edhe prezenca e shpeshtë e monumenteve të kulturës, të cilët diku nga mungesa e mirëmbajtjes dhe diku nga shpërfillja e instinkti shkatërrimtar, ose kanë humbur ose nuk shfrytëzohen siç duhet.
E sigurisht këtu nuk flitet vetëm për destinacionet e përhershme, siç janë Butrinti, Apollonia, Kruja, Antigoneja etj., por është me vlerë të dimë se Shqipëria ka shumë mundësi të tjera që do t’i shtoheshin një liste të gjatë vlerash. E pra, për ironi të fatit është e vështirë të mendosh se veç banorëve të zonave ka të tjerë që njohin, psh. kalanë e Kardhiqit, atë të Zhulatit jo larg Tepelenës, qytetin e Nikaias në zemër të Mallakastrës, atë të Sardës pak kilometra nga Shkodra, kalatë e Qinamit, Gurit të Bardhë apo vlera si ajo që përcjell kalaja e Grezhdanit në Dibër e kështu me radhë. Lista e këtyre xhevahireve që zbukurojnë Shqipërinë vijon edhe me Albanopolin, Dimalin, Palokastra, Dorëzi, Ndroqi, Vigu, Kalaja e Kratulit, Leklit, Matohasanajt, varret unikale ilire në Selcë të poshtme, Hija e Korbit, Hadrianopoli, Irmaj, Gurëzeza, Kalaja e Sopotit në Borsh, ajo e Këlcyrës, Leklit, Olympes, Laçit, Pogradecit e madje edhe kalaja me histori të jashtëzakonshme e Drishtit. Të gjitha këto pasuri antike që s’janë të vetmet, flenë në pritje që dikush të kujtohet, jo thjesht për t’i renditur ndër regjistra, por për t’i rikthyer në vende vërtet të vizitueshme.
Pavarësisht marrjes së masave për të vënë në lëvizje mekanizmat e ndryshkur, nuk mundet më të kënaqemi me turistë disa orësh në Gjirokastër, Berat, Sarandë etj., por duhet të gjejmë mënyrën për t’i mbajtur sa më gjatë, sepse fundja kemi çfarë t’u ofrojmë.
Në fund të fundit, Shqipëria mbetet një vend i jashtëzakonshëm, të cilin duhet vetëm të dimë ta njohim dhe ta reklamojmë. Deri sot nuk e kemi bërë, dhe për dreq mbetemi një vend plot pasuri, porse me xhepa bosh…
Ka ardhur momenti t’i japim fund dilemës: Më mirë të dish apo (sesa) të kesh?!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...