Drejtori i zyrës së turizmit në bashkinë Shkodër, Gentian Mema është shprehur se rreth 70 mijë turistë kanë vizituar qytetin e Shkodrës nga muaji janar i këtij viti e deri më tani. Ai thotë se ky vit ka një tendencë në rritje të numrit të turistëve prej 30-40%.

“Numri i turistëve vitin e fundit në rritje. Ka ndjekur tendencën e dhjetëve vitete të fundit. Kemi pasur rritje 30-40%. Duhet të jemi optimistë, që ky numër në vijim do rritet, pasi jemi në kulmin e sezonit”, u shpreh Mema.

Turistët janë kryesisht nga vende të Bashkimit Evropian, kryesisht Gjermania, Zvicra, e cila të befason me 6000 turistë, që me sa duket preferojnë Alpet e Shqipërisë. Por dhe nga Evropa Lindore: Rusia, Polonia dhe Çekia, tre vende që sjellin shumë turistë në qarkun e Shkodrës, të cilët kalojnë pushimet në vendin fqinj, Mali i Zi dhe zgjedhin të vizitojnë brenda ditës edhe qytetin e Shkodrës.